Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në studion e “Open” në News24 la të hapur mundësinë e mos organizimit të procesit të primareve në Partinë Demokratike para zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, pavarësisht asaj që është premtuar më herët.

Bardhi theksoi se nuk ka ende një vendim të Partisë Demokratike për të mos mbajtur zgjedhje primare, duke shtuar se PD ka qenë e angazhuar në procese më prioritare sesa organizimi i këtij procesi të brendshëm. Ai shpjegoi se vota brenda partisë është një shenjë e demokratizimit, por theksoi se çdo proces i brendshëm duhet të jetë i kujdesshëm për të shmangur destabilizimin dhe përçarjet.

Bardhi gjithashtu tha se procesi i primareve është i pëlqyer nga çdo anëtar i partisë, por se, në fund të fundit, është më e rëndësishme që Partia Demokratike të fitojë zgjedhjet. Ai e krahasoi këtë me procesin e zgjedhjeve lokale, ku anëtarët e PD kanë kaluar një proces të ngjashëm, ndërkohë që zgjedhjet për deputetë janë një hap shumë më i vështirë.

Pavarësisht mbështetjes për primaret nga disa anëtarë, Bardhi pranoi se ka edhe kritika brenda partisë për mundësinë e një gare të tillë, duke theksuar se për momentin mund të mos jetë zgjedhja më e mirë për të realizuar këtë proces brenda partisë. Ai shtoi gjithashtu se Partia Demokratike ka pasur probleme me listat e anëtarësisë dhe se përplasjet brenda partisë janë shpesh më të mëdha se ato me kundërshtarët politikë.

Bardhi nënvizoi se kujdesi dhe maturia janë të domosdoshme në organizimin e çdo procesi të brendshëm, për të ruajtur unitetin dhe forcën e partisë.

“Nuk ka vendim të PD për të mos bërë zgjedhje primare. Nuk kemi një datë sepse PD ka qenë edhe në procese të tjera që vlerësohen shumë më prioritare se sa një proces i brendshëm. Vota brenda partisë tregon demokratizimin, por çdo lloj procesi i brendshëm duhet në një formë që të mos sjellë destabilizim apo përçarje.
Procesi i primareve i pëlqen çdo anëtari të partisë, por mes kësaj dhe faktit që partia duhet të fitojë zgjedhjet, demokratët zgjedhin mundësinë më të mirë për të fituar zgjedhjet. Secili prej tyre ka kaluar një proces primar gjatë zgjedhjeve lokale dhe duhet thënë se në listën për deputetë është një proces shumë më i vështirë.
Për momentin mund të mos jetë zgjedhja më e mirë për të bërë një garë brenda partisë sipas mendimit të disa anëtarëve demokratë, ndërsa ka të tjerë që janë pro tyre me çdo kosto. Ne sot kemi probleme me listat e anëtarësisë, kur mbaron procesi kemi probleme kur kundërshtojnë listat e anëtarësisë dhe histori të kësaj natyre. Përplasja brenda partisë, ne demokratët e kemi inatin brenda vetes më të madh se me kundërshtarin politik. Kur je në opozitë dhe nuk ke një parti ushtri, padiskutim që ngjall pakënaqësi dhe sjellin largime, më pak vota rrjedhimisht. Duhet të ketë një kujdes maksimal nëse do të mbahen primaret për mënyrën si do të realizohen”, tha Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb