“Zonja e Vjetër” abonohet me “X-n”, vijon më të njëjtin trend në tre ndeshje radhazi në Serie A, 13 barazime në 20 ndeshje në total, si asnjë skuadër tjetër, jo vetëm në Itali. Ekipi i Thiago Motta-s doli me një pikë nga përballja me Atalanta-n, por këtë herë ky rezultat nuk hidhet poshtë. E ka të vështirë të mbajë ritmin e ekipeve kryesuese Atalanta, me skuadrën e Gjimshitit që ngec për herë të tretë radhazi dhe tashmë e sheh veten 4 pikë larg Napolit kryesues. Në mënyrë befasuese, Berat Gjimshiti zbriti në fushë si titullar, me kapitenin kuqezi që udhëhoqi prapavijën e Atalantës në një 90-minutësh shumë të luftuar.
Fraksioni i dytë ishte fantastik, me Juven që flirtoi menjëherë me golin, por Kalulu ishte i pafat teksa goditja e tij u përplas në shtyllën pingule dhe për t’u larguar më pas pak mbi vijën fatale. Në të 54-tën, pas një zbritje të shpejtë, Juve gjeti golin e avantazhit, me Kalulun që këtë herë arriti të dërgojë topin në rrjetë. Gasperini nisi “valsin” e zëvendësimeve ku mes të tjerëve hodhi në fushë edhe Retegui. Sulmuesi italian u kthye në protagonist ku në minutën e 78-të, me kokë brenda në zonë barazoi shifrat në 1-1. Të dy ekipet bënë gjithçka për të dalë me pikë të plota nga ky takim, por pa sukses.
Me 34 pikë në 20 javë, Juve e sheh veten në vendin e 5-të. Corriere dello Sport i bëri jehonë faktin që ky ishte barazimi i 13-të i Juves këtë sezon, ndërsa sipas të përditshmes italiane, Kolo Muani vjen sot në Torino. Në të njëjtën linjë ishte e përditshmja tjetër, La Gazzetta dello Sport, që shton se Kolo Muani vjen në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni. “Godet Juve”, ishte titulli kryesor i La Gazzetta-s.
(BalkanWeb)