Kryeministri i Francës François Bayrou njoftoi të martën se do të rinegociojë planin për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 65 vjeç, një lëvizje që vlerësohet e rëndësishme për të siguruar stabilitet për qeverinë e tij të pakicës.

Në fjalimin e tij të parë para ligjvënësve në Asamblenë Kombëtare, kryeministri Bayrou deklaroi  se ka vendosur ta rihapë këtë çështje.

Ai u zotua se do të kërkojë një rrugë të re për reforma, pa patur ndonjë tabu as kur bëhet fjalë për çështjen e moshës së pensionit  përderisa financat për ndryshimin janë të garantuara.

Plani i Presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën për të dalë në pension nxiti protesta masive nga janari deri në qershor të vitit 2023.

Reforma për ligjin e pensionit, që u miratua në prill të vitit 2023, pavarësisht protestave masive është zbatuar gradualisht.

Bayrou sugjeroi se mosha 64 vjeçare, që ishte ndryshimi më i kritikuar mund të ulej në varësi të rezultatit të negociatave.

“Ne nuk mund ta përkeqësojmë bilancin financiar të sistemit të pensioneve “. theksoi  kryeministri Bayrou.

Në anën tjetër të spektrit politik, konservatorët kanë paralajmëruar kundër pezullimit të ndryshimeve në lidhje me pensionet.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: