Tiranë
Komisariati i Policisë Nr. 3, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në inteligjencën informative për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Interruption”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: D. D., 40 vjeç dhe P. G., 28 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas shitnin doza të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në afërsi të një shkolle, dhe se lëndën narkotike e fshihnin në ambientet e një lavazhi në përdorim nga shtetasi D. D.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. L., 19 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lëndë e dyshuar kanabis, të cilën nga veprimet hetimore dyshohet se ia kishte blerë shtetasit D. D.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasve D. D. dhe P. G., kontrollit në ambientet e lavazhit dhe të banesës së shtetasit D. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 220 doza kanabisi, 20 doza kokaine, 1 armë të ftohtë (thikë), shuma parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, 2 peshore elektronike dhe 2 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.