Shqipëria, Italia dhe Emiratët e Bashkuara Arabe pritet të nënshkruan sot një marrëveshje për shtrirjen e kabujve nënujorë mes Shqipërisë dhe Italisë, për energjinë elektrike.
Në fjalën e saj në eventin e mbajtur në Abu Dhabi, Meloni u shpreh se ishte krenare për nismën, ndërsa shtoi se ky është momenti që të përfitojmë nga ndryshimet e mëdha që po ndodhin në botë dhe t’i shohim si mundësi.
“Të dashur kolegë, zonja dhe zotërinj! E pranova me kënaqësi të madhe ftesën nga Sheikh Mohammed bin Zayed dhe qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u bashkuar me ju në këtë Samit sepse e konsideroj shumë të dobishëm dhe tejet të vlefshme për të shumëfishuar mundësitë për diskutim, për dialog mbi zgjidhjet më të mira që mund të vëmë në shërbim të një sfide kaq historike.
Italia është e lidhur në mënyrë tradicionale me Ballkanin Perëndimor, siç tregon dhe miqësia ime me kryeministrin Edi Rama dhe përgjatë kohës ka sjellë po kështu si rezultat edhe projekte në infrastrukturën energjetike. I referohem për shembull ndërlidhjes energjetike për 430 km përgjatë Adriatikut që lidh Italinë me Malin e Zi dhe me rajonin e Ballkanit është një infrastrukturë strategjike që synojmë ta forcojmë dhe ta bëjmë më efikase e konkurruese dhe synojmë që të ecim në këtë drejtim, kështu që jam jashtë mase e gëzuar, ashtu siç e shpalli dhe Edi më parë që të nënshkruaj kuadrin e partneritetit strategjik për të nisur një projekt po aq ambicioz midis dy brigjeve te Adriatikut, ku Lartmadhëria e tij Sheikh Mohammed bin Zayed dhe Kryeministri Edi Rama, dy miq të mirë të mitë, dy miq të mirë të Italisë do të marrin pjesë në nënshkrimin e një angazhimi jashtë mase të rëndësishëm, për të zbatuar një ndërlidhje të re energjetike për të prodhuar energji të gjelbër në Shqipëri dhe për eksportimin e një pjese të kësaj energjie në Itali përgjatë një kabwlli nënujor përgjatë detit Adriatik.
Në fakt, besojmë fort te ky projekt që përfshin tre qeveritë tona, si dhe sekorin tonë privat, operatorët e rrjetit energjetik dhe jam personalisht krenare për këtë nismë sepse tregon në mënyrë të prekshme forma të reja bashkëpunimi, të cilat mund të ndërtohen edhe midis partnerëve në dukje të largët, duke folur gjeografikisht, partnerë, të cilët sidoqoftë e shohin fushën e shahut në tërësi dhe jo thjesht një pjesë të sajën që ju takon, apo me të cilën janë më afër të lidhur.
Kjo nismë është një hap konkret drejt një ndërlidhjeje mirëfilli globale, nga Azia në gji, nga Afrika e Veriut në Europë, e aftë për të furnizuar me energji në mënyrë të dykahshme, apo bidireksionale.
Zonja dhe zotërinj, e dimë që jetojmë në një epokë posaçërisht komplekse, shënjuar nga transformime vërtet të forta.
Tashmë kemi një zgjedhje për të bërë, ose mund të vuajmë nga këto transformime, duke qëndruar pa bërë asgjë, apo mund t’i interpretojmë ato si mundësi.
Besoj fort që duhet të zgjedhim të dytën dhe duhet ta ndjekim me kurajë dhe vizion, pa asnjë frikë, ndërkohë që ekonomitë vazhdojnë të ecin, por i vetmi karburant për t’i çuar përpara janë njohuritë tona, ndërkohë që frenat për të mos ta bërë këtë është vetëm mungesa jonë e imagjinatës.
Faleminderit!”, tha ajo.