Një histori tronditëse e cila ka përfshirë një familje nga Kirasi në Shkodër, ka dalë në dritë, duke zbuluar detaje të dhunës sistematike dhe konflikteve të rënduara për vite me radhë.
Protagonistja e kësaj ngjarjeje është një 52-vjeçare, e cila rrëfeu në emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores Evis Ahmeti në News24, se konflikti me vëllain ka kaluar kufijtë e makabritetit.
Sipas dëshmisë së saj, dhuna filloi vite më parë, kur babai ende jetonte, dhe shpesh përfshinte episode të ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike. Ajo rrëfen se edhe sot, ndonëse është e martuar dhe ka krijuar familjen e saj, plagët e konfliktit vazhdojnë të ndihen.
Nëna e 52-vjeçares, shprehet se djali i saj jo vetëm që ka ushtruar dhunë sistematike ndaj saj dhe bashkëshortit të ndjerë, por ka kërkuar edhe pronësinë e shtëpisë në Kiras, duke lënë vajzat jashtë çdo të drejte pronësore.
“Djali më ka dhunuar mua dhe bashkëshortin e ndjerë. Ka qenë një dhunë sistematike që ka vazhduar edhe para se i ati të ndërronte jetë katër vjet më parë. Ai dëshiron pronësinë e shtëpisë në Kiras në Shkodër. Edhe vajzave i ushtronte jo vetëm dhunë fizike, por dhe psikologjike. Nusja nuk na respektonte , dhe ishte ajo që e “detyronte” djalin të merrte me dhunë shtëpinë” përfundoi nëna e 52 vjeçares.
Mimoza, 52-vjeçarja, ka treguar se vëllai ka ushtruar dhunë veçanërisht ndaj babait të tyre të sëmurë, i cili vuante nga problemet e zemrës. Sipas saj, bashkë me bashkëshorten e tij, ai pretendonte se vetëm ai kishte të drejtë mbi shtëpinë ku kishin kaluar fëmijërinë.
“Vëllai ka ushtruar gjithmonë dhunë tek prindërit, sidomos tek babai i cili ishte i sëmurë dhe vuante nga zemra. Bashkë me nusen ai kërkonte pronësinë e shtëpisë ku jemi rritur në Kiras, Shkodër dhe pretendonte se neve motrave nuk na përkiste asgjë. Nusja është sjellë shumë keq që në fillim, kundrejt prindërve por edhe neve. Ajo nuk na jepte ushqim, dhe gjithmonë na nxirrte jashtë duke na thënë se shtëpia ishte vetëm e saj. Kemi vuajtur shumë, nuk kemi pasur asnjë ndihmë. Komshinjtë shpesh na jepnin për të ngrënë. Duam drejtësi” përfundoi 52 vjeçarja.