Me ftesë të Kryetarit të Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar, Sir Lindsay Hoyle, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nisi sot vizitën zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.
Kryeparlamentarja shoqërohet nga deputetët Pandeli Majko, Damian Gjiknuri, Eduard Shalsi, Blerina Gjylameti, Lavdrim Krashi, Lefter Gështenja si edhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar Uran Ferizi.
Gjatë takimit me kryetarin e Dhomës së Komuneve Sir Lindsay Hoyle, Spiropali diskutoi mbi bashkëpunimin mes dy vendeve. Pas nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët në dhjetor 2022, dialogu politik, marrëdhëniet e shkëmbimet dypalëshe janë në një momentum të favorshëm dhe Kuvendi dhe Dhoma e Komuneve po kontribuojnë në avancimin e tyre.
Bashkëpunimi me Parlamentin britanik është një prioritet i Kuvendit dhe niveli më i lartë i marrëdhënive dypalëshe, theksoi znj. Spiropali. Ndërveprimi ynë synon thellimin e reformave, mbështetjen e zhvillimit ekonomik, fuqizimin e institucioneve demokratike, sigurinë dhe mbrojtjen e paqes, turizmin, inovacionin, arsimin, kulturën dhe nismat e tjera dypalëshe. Bashkëpunimi ynë i sukseshëm në luftën kundër emigrimit ilegal përfshin edhe projektet e programet mbështetëse për investime dhe punësimin e rinisë në disa zona të Veriut.
Në Mbretërinë e Bashkuar jeton një komunitet i madh i Diasporës shqiptare, aktiv dhe i mirëintegruar, i cili shërben si një urë miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali nënvizoi lidershipin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe vlerësoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për stabilitetin dhe anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe vendeve të Balllkanit Perëndimor.
Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme nga Mbretëria e Bashkuar të integrimeve dhe perspektivës euro-atlantike të Kosovës si edhe të bashkëpunimit të saj me NATO-n.
Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar, nënvizoi znj. Spiropali, do të vijojnë bashkëpunimin për mbështetjen e vendosur dhe të palëkundur për mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në koherencë të plotë me qëndrimet e BE-së dhe NATO-s.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe delegacioni i Kuvendit u takuan edhe me përfaqësues të grupit të miqësisë me Shqipërinë dhe delegacionit të Dhomës së Komuneve në Unionin Ndër-Parlamentar, me të cilët diskutuan çështje konkrete të bashkëpunimit parlamentar dypalësh, modernizimin e funksionimit e të shërbimeve të Kuvendit si dhe koordinimin e qëndrimeve në forumet parlamentare ndërkombëtare.
Kryetarja Spiropali dhe delegacioni i Kuvendit ndoqën edhe seancën e pyetjeve në parlament me Kryeministrin Keir Starmer.
(BalkanWeb)