Gleard Gusholli i arrestuar sot nga policia e Tiranës, i arrestuar më parë për pengmarrjen e të dashurës, theu arrestin shtëpiak për të shpërndarë drogë.

Gleard Gusholli është një emër jo pak i dëgjuar. Një vit më parë, ai u bë viral pasi mbajti peng në banesë, bashkëjetuesen e tij. Pasi e dhunoi për të paktën një javë rresht, e reja në atë kohë ia doli të njoftonte familjarët dhe blutë.

Edhe pse i arrestuar për pengmarrje dhe dhunë në familje, Gusholli, në rrethana të paqarta, doli nga qelia në arrest shtëpiak. Dhe kjo nuk e pengoi aspak atë, që të vijonte aktivitetin kriminal në shpërndarjen e lëndëve narkotike në kryeqytet.

Një natë më parë, nga ana e Komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë, mbi bazën e të dhënave të grumbulluara në rrugë operative për kapjen e personave që shpërndajnë lëndë narkotike të llojit kokainë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Blloku 21” ku u bë e mundur arrestimi në flagrancë i Gliard Gusholli dhe Frenkli Permarkaj.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 4 qese me lëndë të dyshuar kokainë me peshë të përgjithshem 23 gram, 2 aparate celularë, 1 automjet i tipit Mercedez Benz. Tashmë Gleard Gusholli duhet të përballet me ligjin edhe për dy vepra të tjera penale. Atë të “largimit nga banesa” apo thyerjen e arrestit shtëpiak dhe prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb