CEO i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk thuhet se ndërhyri për të “ndihmuar në lirimin” e Cecilia Sala nga Irani duke “kontaktuar” me ambasadorin e Teheranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani. Kështu shkruan “New York Times”, duke cituar dy zyrtarë anonimë iranianë.
Sipas gazetës amerikane, miliarderi është kontaktuar nga i dashuri i Cecilia Sala, Daniele Raineri , “nëpërmjet një ndërmjetësi”, pak para vizitës së fundit të papritur dhe të rrufeshme të kryeministres Giorgia Meloni në Mar-a-lago, Florida, për të takuar Donald Trump, presidentin e zgjedhur të SHBA.
Në një intervistë, Raineri shpjegoi për “New York Times” se mendoi të kontaktonte Musk pasi kishte lexuar për “një kanal komunikimi mes tij dhe diplomatëve iranianë”, dhe në dritën e lidhjes së tij me Donald Trump, i cili e zgjodhi atë për të drejtuar së bashku me Vivek Ramaswamy, Departamentin për Efiçencën e Qeverisë (Doge), gjë që e bënte miliarderin një opsion të mirë për t’ia adresuar shqetësimin.
Ndërmjetësi i përmendur në artikull është Andrea Stroppa, të cilin gazeta e cilëson si “bashkëpunëtor” të Musk, të cilit Raineri i kërkoi t’i vinte në vëmendje miliarderit çështjen e Cecilia Sala.
I pyetur nga gazeta, Stroppa deklaroi se Musk e kishte “shënuar” kërkesën, duke specifikuar megjithatë se nuk ishte në dijeni për përfshirjen e tij të pretenduar në këtë rast.
CEO i Tesla-s u takua me ambasadorin iranian në OKB, Amir Saeid Iravani në nëntor 2024, javë para arrestimit të gazetares italiane, për të diskutuar tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit. Takimi mësohet se ka ndodhur në rezidencën e ambasadorit iranian në New York.
Dy zyrtarët që folën për “New York Times” saktësuan gjithashtu se Musk mund të kishte kontaktuar sërish me ambasadorin “menjëherë pas” vizitës së Melonit në Florida, në 5 janar 2025.
(BalkanWeb)