Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump mund të firmosë një urdhër ekzekutiv për të pezulluar për “2 ose 3 muaj” hyrjen në fuqi të ligjit të miratuar nga Kongresi që ndalon TikTok-un në SHBA. Masa e ndalimit vlen sa kohë kompania kineze ByteDance vijon të ketë në pronësi rrjen social TikTok. Kompanisë kineze i është kërkuar të shesë aksionet e saj në këtë platformë, për të shmangur kështu edhe vendimin ekstrem të drejtësisë amerikane që do ta bënte të paaksesueshëm në të gjithë territorin.
Burime i kanë thënë Washington Post se Trump po vlerësonte disa opsione për të “shpëtuar” platformën pas fitores së tij në zgjedhjet e 5 nëntorit, duke përfshirë nënshkrimin e një urdhri të mundshëm ekzekutiv.
Për momentin, sipas ligjit të miratuar nga Kongresi dhe nënshkruar nga Presidenti Joe Biden në dritën e shqetësimeve të sigurisë kombëtare për shkak të kontrollit kinez ndaj TikTok, ndalimi i platformës duhet të hyjë në fuqi të dielën, një ditë para inaugurimit të Trump.
Muajin e kaluar, presidenti i zgjedhur tha se kishte një “dobësi” për TikTok duke sjellë në vëmendje popullaritetin e platformës midis të rinjve, të cilët ai tha se ishin “vendimtarë” për fitoren e tij ndaj demokrates Kamala Harris nëntorin e kaluar.
(BalkanWeb)