Mëngjesin e sotëm në “Koha për t’u zgjuar” në News24, i ftuar ishte avokati Alban Duraj, i cili foli në lidhje me problematikat të cilat u krijohen qytetarëve për shkak të gabimeve me dokumentacionet e gjendjes civile.
Ai u shpreh se shpesh qytetarët detyrohen të kalojën në kalvar shpenzimesh dhe humbje kohe, s pasojë e gabimeve të bëra nga punonjësit e gjendjeve civile, referuar edhe faktit që deri në vitin 2012 gjithçka ka qenë manuale dhe gabimi njerëzor ka qenë i pranishëm.
“Ka me qindra raste ku ka probleme nga aktet e gjendjes civile ku për gabime njerëzore, pasi deri në vitin 2012 gjithçka ishte manuale nëpër regjistra, ka pasur shumë gabime ortografike, duke bërë që qytetarët të ndeshen me burokraci.
Momentalisht praktika është që edhe pse i ndjekim të gjitha shkallët administrative, përgjigja që marrim është që duhet t’i drejtohemi gjykatës.
Administrativja do mesatarisht një vit e gjysmë që të zgjidhë një çështje, flasim për shkallën e parë, pasi rutina e institucioneve është që e ankimojnë vendimin në Apel, duke shtuar koston për qytetarët dhe rritur edhe më tej kohën e zgjidhjes së problemit.
Jemi para rasteve të shpërdorimit të detyrës, pasi në vend të zgjidhin vetë çështjen, përdorin slogani: drejtojuni gjykatës”, tha ai.