Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, morën pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së 75 apartamenteve për 75 familje në lagjen e re në Kombinat. Në fjalën e tij, ai u shpreh se në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës janë duke hartuar paketa të reja që kanë në fokus familjen.

Ministri Gonxhja tha se nga kreditë e buta përfitojnë 1200 familje, ndërkohë që ka pasur mbi 3 mijë aplikime.

“Vetëm një muaj më parë financuam për bashkinë Tiranë një paketë me interesa për 1200 kuota për kredi për familje dhe të rinjtë. Janë familje në nevojë, që mund të jenë në një situatë me të ardhura të ulëta, kemi nëna kryefamiljare, kemi gra të divorcuara që kanë nevojë për këto kredi. Janë 1200 kuota dhe sot nga aplikimet shohim rëndësinë sepse janë mbi 3 mijë aplikime. Ne do adresojmë edhe një pjesë të dytë për këtë nevojë”, u shpreh ministri.

Ai deklaroi se prej mbi 3 vite mbështesim bonusin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti, por që një pjesë e tyre do të ndërpresin sot qiranë për shkak se do të marrin banesat e reja.

Ministri tha se në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do të ndërtojnë banesa për t’ia shitur ato familjeve në nevojë me çmim më të ulët dhe me këste.

“Me entin e banesave, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë kemi marrë troje që i ofron Bashkia Tiranë që me Entin e Banesave t’i investojmë për ndërtesa, me banesa sociale që do të shiten me çmim të ulët, me këste dhe me një skemë të leverdishme për familjet që janë në nevojë.

E mbyll me një paketë tjetër që bëhemi gati për ta lancuar këtë vit që do të jetë paketa që do të lidhë familjen, fëmijën, të punësuarin me strehimin. Çatia si një mundësi për të na bashkuar me këto tre elemente.

Që të kemi edhe një incentivë dhe të nisim lindjet duke bërë që ne të propozojmë shumë shpejt që për çdo fëmije që lind të kemi një zbritje të menjëhershme kjo ose përmes buxhetit ose përmes donatorëve, direkt nga çmimi i kontraktuar nga kjo familje për këtë banesë”, theksoi ministri Gonxhja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb