Bayerni i Mynihut fiton duke shënuar 5 gola, duke u dëfryer në fushë ndaj Hoffenheim në Allianz Arena e duke i dhënë mesazhin e qartë, kampionëve në fuqi të Bayer Leverkusen se këtë sezon, për të mbrojtur kurorën e kampionit do ta kenë shumë më të vështirë.

Sfida foli e gjitha në favor të skuadrës së Vincent Kompany, e cila prishi ekuilibrat që në minutën e 7 me Leroy Sane, që me një goditje potente me të majtën tund rrjetën e miqve për golin e avantazhit. Por Bayern nuk ndalet me kaq, vetëm 5 minuta më pas do të ishte Harry Kane që do të servirte një top të bukur në zonë për Guerreiron që nuk do të falte për golin e dyfishimit të shifrave.

Në minutën e 26 do të vinte momenti për të shtuar emrin në listën e golashënuesve edhe Harry Kane që transformon saktë një penallti të akorduar në favor të bavarezëve.

Edhe pjesa e dytë do të kishte të njëjtin ritëm,e skuadrën e Kompany që sulmon, ndërsa miqtë që mbroheshin për të mos pësuar shumë. Goli i 4 erdhi shumë shpejtë me Leroy Sane që shfrytëzon saktë në shtyllën e dytë një top të gjatë të harkuar nga krahu i majtë, duke shtyrë saktë sferën brenda rrjetës, për golin e tij të dytë personal të mbrëmjes. Për të kompletuar suksesin e bavarezëve mendoi Serge Gnabry, që në mesin e pjesës së dytë shtyu saktë topin drejt rrjetës për golin e 5 dhe të fundit të mbrëmjes.

I lumtur ishte në fundin e ndeshjes tekniku belg Kompany pas suksesit të thellë të ekipit të tij:

“Jam i lumtur me performancën dhe mentalitetin e treguar nga ekipi. U mbrojtëm në mënyrë agresive dhe zhvilluam një lojë të mirë. Duhet të vazhdojmë kështu. Po tregojmë ndeshje pas ndeshje se jemi të “uritur”, pas sezonit zhgënjyes të vitit të shkuar. Duhet të mbajmë këtë ritëm”.

Pas kësaj fitoreje, Bayern ritkthen diferencën në + 4 pikë nga ndjekësi më i afërt, “aspirinat” e Bayer Leverkusen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: