Gjykata e Lartë e Rumanisë shqyrton sot ankesën e Calin Georgescu dhe Koalicionit për Mbrojtjen e Shtetit të Ligjit kundër anulimit të zgjedhjeve presidenciale. Kështu njofton agjencia rumune e shtypit “Agerpres”. Georgescu paditi Zyrën Qendrore Zgjedhore dhe disa institucione, duke përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, qeverinë Prokurorinë e Përgjithshme dhe Shërbimin e Inteligjencës, si dhe Presidentin Klaus Iohannis dhe kreun e Save Romania Elena Lasconi. Debati ka të bëjë me dy vendime të Zyrës Qendrore të Zgjedhjeve, të cilat, bazuar në një vendim të Gjykatës Kushtetuese të datës 6 dhjetor 2024, anulonin rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve dhe urdhëronin përsëritjen e procesit zgjedhor. Më 31 dhjetor 2024, Gjykata e Apelit të Bukureshtit hodhi poshtë ankesën e Georgescu, duke vlerësuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese ishin përfundimtare dhe detyruese. Për më tepër, sipas gjyqtarëve anulimi i zgjedhjeve nuk ka cenuar të drejtat kushtetuese të qytetarëve.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u motivua nga dokumentet e deklasifikuara nga Këshilli i Lartë i Mbrojtjes, të cilat tregojnë shkelje të legjislacionit zgjedhor nga Georgescu. Këto dokumente zbulojnë se financimi i fushatës zgjedhore në TikTok, me vlerë një milion euro është kryer nga Bogdan Peschir pavarësisht se kandidati ka deklaruar zero shpenzime në Autoritetin e Përhershëm Zgjedhor. Për më tepër autoritetet raportuan veprime nga kriminelët kibernetikë shtetërorë kundër infrastrukturës zgjedhore , dhe një intensifikimin e aktiviteteve hibride ruse që synonin të ndikonin në opinionin publik dhe axhendën politike në Rumani. Sipas shërbimeve të inteligjencës, këto operacione synojnë të mbështesin kandidatët euroskeptikë dhe lëvizjet anti-sisteme duke nxitur pakënaqësi dhe presion mbi autoritetet për të reduktuar mbështetjen për Ukrainën.
(BalkanWeb)