Gjykata e Apelit të Posaçëm ka zbardhur argumentat në të cilat u bazua për të caktuar masë të re sigurie për ish-kryeministrin Sali Berisha, atë të detyrimit për t’u praqitur para policisë gjyqësore të hënën e 1 dhe të 3 të muajit. Në vendimin e firmosur nga gjyqtari Engert Pëllumbi thuhet se nga vendimmarrja e gjyqtarit që caktoi masën e parë ndaj Berishës në tetor të 2023, nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë.

Kjo masë e parë – arsyeton Pëllumbi – është lënë në fuqi në të gjitha shkallët e gjykimit edhe është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. “Si rezultat, nuk ka vend për shuarjen e masës së sigurimit personal”, arsyetohet në vendim.

Gjyqtari Pëllumbi sqaron se masa e arrestit në shtëpi u caktua ndaj ish-kryeministrit, për shkak se ai nuk zbatoi detyrimet për masën e parë.

Sipas Apelit masa e arrestit në shtëpi për Berishën u revokua, për shkak se nuk ishte më e nevojshme, nisur nga rrethanat, mosha e tij, por edhe duke mbajtur në konsideratë faktin “që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi, është kryetar i partisë kryesore opozitare”.

Gykata arsyeton se Berisha e ka shlyer pasojën e moszbatimit të masës së parë, por tashmë duhet të respektojë detyrimet që lidhen me masën e re të sigurimit.

“Ne rast se kërkuesi nuk do të zbatojë detyrimet që lidhen me masën e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, atëherë organi i akuzës do të ketë të drejtën të kërkojë serish zëvendësimin me një masë sigurimi më të rëndë”, thekson gjykata.

Sali Berisha e ka zbatuar këtë vendim dhe është paraqitur në SPAK. Ndërkohë që vijon përballjen me Gjykatën e Posacme për akuzën e korrupsionit lidhur me procedurat e privatimit të ish-klubit sportiv Partizani.

Vendimi i zbardhur

Lidhur me kushtet e veçanta për caktimin e masës së sigurimit personal, nga vendimmarrja e gjyqtarit të hetimeve paraprake nuk ka ndryshuar asgjë, dhe gjyqtari i seancës paraprake nuk ka sjellë ndonjë element të ri që tregon mungesën e kushteve të veçanta si rreziku i ikjes dhe rreziku i dëmtimit të provave.
Vendimi i gjyqtarit të hetimeve paraprake (lidhur me caktimin masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”), i ka kaluar të tre shkallët e gjykimit madje dhe Gjykatën Kushtetuese dhe është konfirmuar.

Ndërkohë, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” është vendosur jo për shkak të shtimit të nevojave të sigurimit por për shkak të thyerjes së detyrimeve të masës së mëparshme të sigurimit, ajo e “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Kërkuesi z. S.B. e ka tentuar duke paraqitur edhe më parë pranë gjyqtarit të hetimeve paraprake, kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit personal, ku e tillë kërkesë është rrëzuar me vendim të konfirmuar në të tre shkallët e gjykimit.

Si rezultat, nuk ka vend për shuarjen e masës së sigurimit personal.

Gjyqtari i seancës paraprake në marrjen e vendimit të tij, thjesht ka bërë një rivlerësim të elementëve që janë marrë një herë në konsideratë nga gjyqtari i hetimeve paraprake, pa shtuar ndonjë element të ri, gjë e cila nuk i lejohet pasi përbën gjë të gjykuar.

2. Lidhur me zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga ajo e “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, duke marrë parasysh:
– faktin se kërkuesi kishte një vit me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”,
– faktin se moszbatimi i detyrimeve që lidheshin me masës e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” bazoheshin mbi një alibi për antikushtetuetshmërinë e kësaj mase, të rrëzuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese,
– moshën dhe rrethana e tjera që kanë qenë në konsideratë të gjyqtarit të hetimeve paraprake, por të vlerësuara tashmë në raport me këto rrethana të tjera,
– si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare, u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.

Me anë të kësaj mase (“Arrest në shtëpi”) kërkuesi e ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë nga dispozitat ligjore për moszbatimin e masës së mëparshme të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, dhe për rrjedhojë kjo masë sigurimi duhej zëvendësuar, duke i’u dhënë edhe një herë mundësia kërkuesit që të respektojë detyrimet qe lidhet me masën e re të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Ne rast se kërkuesi nuk do të zbatojë detyrimet që lidhen me masën e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, atëherë organi i akuzës do të ketë të drejtën të kërkojë serish zëvendësimin e kësaj mase sigurimi, me një masë sigurimi më të rëndë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb