Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar (DRAP) në Korçë ka reaguar ndaj lajmeve se pagat e mësuesve janë ulur. Sipas DRAP-it, përkundrazi, mësuesve iu është rritur paga mesatarisht me 180 euro në muaj, duke e çuar atë në 950 euro.

Në një njoftim për mediat, Drejtoria shpjegon se ky është një hap i rëndësishëm në kuadër të politikave për mbështetje dhe motivim të mësuesve. Ky institucion njofton se rritja e pagës përfshin disa faktorë, duke përfshirë pozicionin e punës, vjetërsinë në profesion dhe nivelin e kualifikimit. Për më tepër, janë harmonizuar edhe elementët e pagës, duke shpërblyer punonjësit sipas nivelit të kualifikimit, në përputhje me administratën publike.

DRAP Korçë thekson se kjo është një rritje historike e pagave për mësuesit dhe synon të përmirësojë mirëqenien dhe performancën e mësuesve, si dhe të rrisë standardet në sistemin arsimor parauniversitar.

Njoftimi i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë:

Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar (DRAP) Korçë sqaron mësuesit e interesuar se në kuadër të politikave të reja për mbështetjen dhe motivimin e tyre, mësuesit kanë përfituar një rritje mesatare prej 18 mijë lekë çdo muaj duke e çuar pagën mesatare të mësuesve në 950 euro.

Kjo është rritja më e madhe historike e pagave për mësuesit.

Konkretisht, kjo rritje përfshin:

Rritje të pagës bazuar në pozicionin e punës. Rritje të pagës bazuar në vjetërsinë në punë. Rritje të pagës bazuar në nivelin e kualifikimit si dhe harmonizimin e elementëve të pagës, duke shperblyer punonjesit ne perputhje me nivelin e kualifikimit, ashtu si edhe pjesa tjeter e punonjësve të administratës publike.

Këto masa synojnë të rrisin mirëqenien dhe performancën e mësuesve, duke përmirësuar standardet në sistemin arsimor parauniversitar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: