Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim të fortë gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në Milano, duke theksuar nevojën për pastrimin e vendit nga korrupsioni dhe abuzimet e mundshme të fondeve publike.

“Shqipëria do të pastrohet! Ne do të bëjmë një audit të përgjithshëm për të zbuluar se ku kanë shkuar 57 miliardë eurot e këtyre viteve. Buxheti ynë po plaçkitet, dhe prona e shqiptarëve është nën kërcënim nga kriminelët dhe kartelet e drogës,” deklaroi Berisha.

Ai nënvizoi se një nga shtyllat kryesore të programit të tij është zero toleranca ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Do të ketë një ligj special për të mbyllur fondacionin Xhorxh Soros në Shqipëri dhe për ta shpallur atë non grata,” shtoi ai.

Berisha i bëri thirrje shqiptarëve dhe miqve italianë të ndihmojnë në këtë proces pastrimi, duke theksuar se “Soros është hajduti më i madh i kursimeve të qytetarëve italianë”.

“Miq, programi ynë ka edhe një shtyllë tjetër, një premtim tjetër: pastrimin e shtëpisë. Shtëpia do pastrohet!

E kam thënë edhe njëherë, po ua shpjegoj, dhe e them prap.

Im at ka qenë besimtar. Falej, i lutej Zotit dhe unë e respektoja shumë. Aty, nga vitet ’70, ai filloi të mos falej më. Nuk falej, dhe kishte hall se po më prish punë mua. I them: Bab’, unë dëshiroj të të shoh duke u falur, duke u lutur.
Jo, më thotë bir, nuk falem se në këtë mjedis të tillë, as Zoti vet nuk të dëgjon.

Më vonë lexova në libra të shenjtë, çfarë thonë. Librat e shenjtë shkruajnë: që Zoti të hyjë në shtëpinë tënde, pastrojë përpara shtëpinë. Po, shtëpinë e kanë në dorë hajdutërit më të mëdhenj të kohërave. Shtëpinë e ka në dorë, sot kryeministër është Toto Rino, kryeministri i Shqipërisë është një Eskobar, një Toto Rino.

Sot, prona, buxheti plaçkiten mbi 24 orë. Sot, kartelet e drogës janë vendimarrësit kryesorë. Atëherë, pastrimi i shtëpisë është shtyllë kryesore. Ju jap ju fjalën e nderit se, ligji do veprojë me forcën më të madhe.

Së pari, zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Së dyti, audit i përgjithshëm. Ku shkuan 57 miliardë euro të këtyre viteve, ku i depozituan, në çfarë i shndërruan? Do t’i merren, do iu kthehen qytetarëve. Por edhe një ligj tjetër special.
Mbyllja e fondacionit Xhorxh Soros në Shqipëri dhe shpallja non grata e Xhorxh Sorosit.
Dhe do t’u lutem shumë t’ia thoni këtë çdo miku italian që njihni. Se e bëj këtë, edhe për shqiptarët, por për italianët. Sepse, për qytetarët italianë Xhorxh Soros është, që nga Roma e lashtë e gjer sot, hajduti më i madh i kursimeve të tyre.

Po, po. 20 miliardë ka vjedhur në një bixhoz. Do i nxjerrim të gjitha, ndaj dhe ligji anti-Soros do të jetë ligji i pastrimit të shtëpisë”, u shpreh Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb