Nuk e kuptoj dot fare, se si kanë arritur të na deformojnë aq shumë, sa zgjohemi çdo mëngjes dhe jetojmë instiktivisht në të shkuarën, shekuj më parë, të mbushur kokën me urrejtje, të mbuluar me gjak që rrjedh nga luftrat e dikurshme.

Së fundmi është artikuluar shpesh që një çam dhe një grek do ishin njerëz shumë të nderuar, nëse do të vazhdonin ta shihnin njëri-tjetrin me një urrejtje për jetë a vdekje. Dhe kjo nuk mund të jetë tjetër, por thjesht një mëndësi primitive, ndërkohë që për hir të së vërtetës edhe një koalicion politik midis tyre do të ishte jashtë çdo logjike normale.

Ndërsa organizimi i përbashkët i një evenimenti të rëndësishëm futbollistik, nga Shqipëria dhe Serbia është konsideruar gati herezi. Në Kosovë kanë mbetur gjerësisht të fyer dhe askush nuk mund të thotë që janë të shtyrë nga një intolerancë e pashërueshme, por në të kundërt, nga një e drejtë e kulluar. Nuk ka ndeshje sportesh kolektive, ku një nga skuadrat e fushës është serbe dhe të mungojnë korret raciste, fyerjet, apo dhunimi i simboleve të Kosovës. “Vritini kroatët, që shqiptarët të mbeten pa vëllezër”… Këtu fjala urrejtje merr kuptim shumë më të butë, gati sarkazik, ndërsa ata që e besojnë si gjetje jetojnë frikshëm me statusin e barbarit, me mendje prehistorike që nuk ka mundur të evolojë dhe si pasojë ka mbetur në gjendje koma.

Por kjo histori qesharake ka një gjeografi më të gjerë, ku protagonist me të drejta të barabarta duan të jenë, as më shumë e as më pak, por të gjithë fqinjët. Maqedonasit sllavë janë kthyer përsëri të injorojë shqipen si gjuhë zyrtare. Grekët kanë kohë që ja kanë bërë fjali emrin kushtetues. Maqedoni quajnë një nga krahinat e tyre më të rëndësishme, ndërkohë që nuk i lejojnë më të ekspozojnë statuja të Aleksandrit të Madh, madje as të të atit, Filipit. Bullgarët nga ana e tyre u kanë përpiluar një listë aq të gjatë me kushte, saqë nëse binden ta plotësojnë zë për zë, ka mundësi, që për emër zyrtar, ndoshta duhet të përshtasin diçka nga ndonjë group “repi”. Por ky është vetëm teritori ynë, një mrekulli natyrore e dhuruar nga Zoti dhe që e kemi kthyer me dëshirë në një fatkeqësi humane, që nga dita që e shkelëm për herë të parë.

Pak më në qendër të kontinentit tonë funksionon diametrialisht në të kundërt, megjithëse historitë e dhunshme kanë qënë të njëllojta. Janë zhvilluar luftrat që kanë gëlltitur miliona njerëz. Ka akoma teritore të diskutueshme, por tani civilizimi i tyre të trishton. Vaterloja nuk është me pjesë e bisedave të përditshme, as e ardhmja e Alsasës dhe Lorenës. Dikur ishte asist për luftë, ndërsa tani as e vret mendjen njeri, se me kë duan të jetojnë sudetët. Tani është koha e Luksemburgut, që më shumë se shtet, ngjan me një organizim surreal.

Luksemburgu për zonën tonë miks është veçse një keq kuptim që të shkatëron humorin. Ajo ultësirë funksionon si Bibla, ku e para është gjithmone fjala. Vendasit kanë pranuar fillimisht tri gjuhë zyrtare, pa asnjë imponim dhe flitet për antikën e Luksemburgut që po mbijeton nga patriotizmi i të zotëve të shtëpisë, frengjishten dhe gjermanishten. Veç të tjerash flitet në masë anglisht dhe portugalisht, ky i fundit komuniteti më i madh i emigrantëve, i cili zë 16 përqind të një popullsie, pak më shumë se gjysmë-milionëshe të vendit. Në shkolla, por edhe në të gjithë sistemin parashkollor, mësohet paralelisht në të gjitha këto gjuhë. Luksemburgu është klasifikuar, si një nga vendet me më pak korrupsion në botë. Mban numrin dy, për vendet me më shumë mirëqënie dhe ka një pagë mesatare rreth 8 mijë dollarë në muaj. Ka çmime më të favorshme se në Francë, apo Gjermani, përsa i përket disa produkteve të rëndësishme jetike, siç janë për shembull karburantet dhe të gjitha këto përbëjnë arsye, që çdo ditë rreth 200 mijë qytetarë nga shtetet fqinje kalojnë kufirin për të shkuar në punë dhe e lënë serish qytetin ikonë, menjëherë pas përfundimit të orarit zyrtar.

Në kohën e koronavirusit, qeveria vendosi që i gjithë rrjeti i transportit të jetë falas, për t’u shfrytëzuar nga mjekët dhe të gjithë ata që shërbenin në terren, ndërkohë që më pas u vendos që asgjë të mos ndryshonte më kurrë, për të gjithë popullin. Pra francezë e gjermanë, belg e anglezë, të sakatuar me njëri tjetrin në periudha të ndryshme, tani kanë zgjedhur të jetojnë si të jetë e njejta popullsi, por në këtë peisazh mrekullisht delikat, që e quajnë Luksemburg.

Ja pra, çfarë diference e frikshme ekziston, midis njerëzish, të ngjashëm nga ana fizike dhe që jetojnë në këtë Europë të vogël. Disa kanë sajuar eksperimente, aq sa herë-herë nuk dinë çfarë të bëjnë me lumturinë e tyre, ndërsa ne vazhdojmë të kërkojmë ndonjë gomone të shtrembër, apo ndonjë justifikim bajat, për t’u hyrë të gjithëve pa ndroje nëpër banesa, mundësisht gjithmonë nga dritaret.

Një njohës i mirë i historisë së dy Luftrave Botërore, ish kryeministri britanik, Arthur James Barthour, ka thënë: “Në disa vende, logjika është një cilësi aspak e mirëpritur”. Dhe konservatori i linjës së ashpër ka qënë aktiv, kur në Sarajevë, një njeri i pasqaruar gjenetikisht shtiu mbi Arkidukën Ferdinand të Austro-Hungarisë, duke e lënë të vdekur në vend dhe menjëherë shpërtheu Lufta e Madhe, iniciativa e këtij gjysmë-serbi vazhdoi të vrasë si përbindësh çdo ditë. 9.7 milionë ushtarë të mobilizuar, 6.8 milionë civile, padyshim duke përfshirë gra e fëmijë. Dhe totali i viktimave të këtij komshiut tonë arriti në 16.5 milionë njerëz.

Nejse, si përfundim vllait tim Redit do i them që nesër, se na kanë njoftuar, se meqënëse profesor Naqja është me origjinë greke duhet ta fshij respektin e madh që kam pasur për të deri në ditën e fundit të jetës, ndërsa ti vlla harroje dashurinë për nanën time çame. Qenka turp thonë, aq më shumë që mund të pengojmë drejtpërdrejtë në ndërrimin e pushteteve.

Ai eventi i madh i futbollit (Euro U-21) do të zhvillohet me siguri, por ta lëshosh shpirtin për të shijuar vetëm magjinë e futbollit të këtyre përmasave, në një mot eksitues dhe aq më shumë në shtëpinë tonë, kjo ka pak gjasa të ndodhë, e pashoqëruar nga një përzierje e trashë polemikash.

Ndërkohë, si përfundim, na duhet të mos ngremë vetëm supet, por të mundohemi të kuptojmë, duke përdorur pak edhe arsyen, që vazhdojmë ta mbajmë të pahapur nga qese plasmasi nën vakum. Në fund të fundit edhe shumë nuk kemi pse të qahemi, pasi ky është një realitet që të paktën ne “shqiponjat” e kemi pranuar vullnerarisht. Nuk na bën përshtypje që drejtuesit më të lartë na drejtohen me përbuzje, si qënie të ulta, të sapo dalë provizorisht nga kampet e përqëndrimit. Përdorin fjalët më të ndyra, na marrin gjithçka që u pëlqen. Kanë glorifikuar veten dhe na kanë mbuluar me propagandë.

Kanë ngjitur piramidat që ia kanë kushtuar vetes dhe nga maja nuk dallojnë më njerëz, por thjesht pika që levizin në mënyrë kaotike. Sulmojnë për të shkatërruar kundërshtarin si katilë dhe më pas, me të njëjtën egërsi edhe njëri-tjetrin. Kanë mbushur burgjet dhe janë katandisur si mos më keq, fare pa dinjitet, duke fyer e kërcënuar si të fortë ata që ju ndërprenë ëndrrën, por në të vërtetë, gjithçka e bëjnë për të kërkuar mëshirë. Kanë dekada që na vjedhim me rrotacion, ndërsa ne të gjithë kemi zgjidhje të vetme vrapin për të kapur atë gomonen e orës së fundit.

Kush popull tjetër do të pranonte të jetonte me vetëdije brez pas brezi, si të ishte në pandemi. Të padukshëm, të urdhëruar për të qënë të nëndheshëm, pa pasur akses as në rrugë… Dhe gjithë ditën mallkojmë fatin, mallkojmë komshinjtë, mallojmë gjuhët e të tjerëve, kemi shekuj e shekuj që vetëm mallkojmë, duke e gjetur edhe si vaksinë efikase për këtë virusin që adhurojmë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: