Gjykata e Sarandës, me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit, ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të biznesmentit 43-vjecar Romeo Laze.

Laze është dënuar në fund të vitit 2022 me 4.7 vjet heqje lire për akuzën “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Laze u arrestua në 28 gusht 2021 në kuadër të operacionit “Çuka”. Gjatë kontrollit të banesës së Lazes, policia e Sarandës gjeti dhe sekuestroi 1.2 kg kokainë, 3 peshore elektronike, një shumë të konsiderueshme në lekë dhe euro si dhe 3 automjete e 3 motocikleta.

Pas hetimit pasuror, Gjykata e Sarandës vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, duke urdhëruar sekuestrimin e 2 pasurive të paluajtshme në pronësi të Lazes, të ndodhura në zonën kadastrale 8641 në Sarandë, subjektit tregëtar me objekt “Lavazho, tregëti automjetesh” në lagjen nr. 4 Sarandë si dhe dy automjete në pronësi të tij, konkretisht me targa AB777RN dhe AA118DR.

Ekzekutimi i sekuestrove është kryer ditën e djeshme nga Komisariati i Policisë Sarandë.

Njoftimi:

Vihet sekuestro mbi 3 pasuri të paluajtshme në pronësi të një shtetasi, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, në vijim të punës për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtari të paligjshme/kriminale, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pas një pune të detajuar hetimore dhe gjurmuese, ka ekzekutuar vendimin për sekuestrimin e disa pasurive të dyshuara me burim kriminal.

Në këtë kuadër, u vu sekuestro mbi pasuritë e shtetasit R. L., 44 vjeç, banues në Sarandë, me precedent penal në fushën e narkotikëve, konkretisht:

  • 1 ndërtesë me sipërfaqe 21 m²;
  • 1 truall me sipërfaqe 100 m²;
  • 1 subjekt tregtar me fusha veprimtarie lavazh dhe tregti automjetesh.

Hetimet vijojnë për të zbuluar burimin e këtyre pasurive të shtetasit R. L.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: