Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, deklaroi se ka vendosur të kandidojë në listë të hapur për zgjedhjet e 11 majit, me qëllim mobilizimin e strukturave të partisë.
Në një intervistë për News24, Idrizi theksoi se PDIU synon të sigurojë 4-5 mandate, kryesisht në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Elbasan. Ai shtoi se edhe nëse partia do të kishte dy mandate të garantuara në listat e mbyllura, ai do të vijonte të kandidonte në listën e hapur për të forcuar angazhimin e anëtarësisë.
“Vendimin për të qenë në listë të hapur e kam marrë para dy javësh. Ky është rasti dhe në këtë mënyrë ne tentojmë të arrijmë më shumë mandate. Nëse kryetari i partisë do shkonte i vetëm në një listë të mbyllur, do e kisha të pamundur të mobilizoja të gjithë PDIU-në,” – u shpreh Idrizi.
Ai konfirmoi gjithashtu marrëveshjen me Partinë Demokratike për pjesëmarrjen e PDIU-së në listat e hapura në nëntë qarqe të tjera, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të saj nga ana e PD-së. “U detyrova të shkoja vetë në selinë e PD-së mbrëmë për të siguruar që kjo marrëveshje të përmbushej brenda afateve ligjore,” – theksoi ai.
Idrizi rikujtoi se PDIU ka pasur tradicionalisht përfaqësim në Tiranë, duke kujtuar se në vitin 2005 siguroi një mandat në këtë qark përmes sistemit mazhoritar. “Ky është një koalicion ku secila parti ka peshën e vet,” – përfundoi ai.