Emisioni investigativ Vetting, News24
Ligji dhe amnistia, dritëhijet e kryeprokurorit
Në njërin nga pasazhet e librit “Republika” të shkruar nga Platoni kemi një nga ngjarjet më të veçanta, që i bën apel shoqërisë për drejtësinë dhe njerëzoren.
Në libër jepet se Sokrati është dënuar me vdekje padrejtësisht nga juria e qytetit të Athinës dhe miqtë e tij organizohen për ta nxjerrë nga burgu duke u arratisur, por Sokrati nuk pranon.
Sipas Sokratit, edhe pse i ka ndodhur një padrejtësi, ai vetë nuk mund të bëjë një padrejtësi sepse dy veprime të gabuara nuk mund të sjellin kurrë një veprim të drejtë.
Sokratit nuk i bëri dëm ligji, por juria!
Jo më kot e sollëm këtë histori sepse në vetvete, tezat e Sokratit nuk ngrenë vetëm pyetje, por demonstrojnë parimet e një shoqërie të drejtë dhe se pa ndryshuar parimet, ne nuk mund të ndryshojmë drejtësinë, ne nuk mund të japim drejtësi. Ne mund të ndryshojmë ligjet, Gjyqtarët dhe Prokurorët, por ne nuk mund të japim dhe marrim drejtësi nëse ne nuk kemi parime të rrënjosura në familje dhe shoqëri.
Drejtësia, ky koncept i mohuar nga manteli i zi që veshin persona të deleguar nga krimi dhe politika po i merr frymën një kombi që është kthyer në komb nomadësh, sa në një shtet në shtetin tjetër duke braktisur Shqipërinë, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me shkretëtirën përveç faktit se tashmë po i shterojnë njerëzit.
Këta njerëz largohen prej lajmeve të përditshme të kronikës së zezë, prej lidhjeve të krimit me politikën, të cilat kur përballen me njerëz guximtarë dhe të vendosur, të dyja përdorin si kamzhik sistemin e drejtësisë kundra qytetarëve për t’i grabitur, mposhtur e për t’i nënshtruar.
Në këtë episod “Vetting” do të trajtojë denoncimin që ka ardhur për kryeprokurorin e Lezhës Erjon Shehaj, i cili jo vetëm që ka shkelur ligjin në shumë raste sipas Komisionerit Publik, por sipas denoncuesit e ka përjashtuar nga amnistia penale duke e mbajtur në burg përtej afateve.
Sipas avokatit Arben Llongozi “në rastin konkret kemi sistemin e drejtësisë që është fajtor në mos marrjen e masve për gjymin e një çështje në kohë. Pra referuar nenit 6 të Koventës Europiane për të Drejtat e njeriut. Nenit 32, 42 të Kushtetutes është parashikuar që një gjykim duhet të jetë i menjëhershëm, pra sa më shpejtë e parashikon ligji”.
Vonesat për procesin e Amnistisë
Armando Uka, një ish-i burgosur që ka vuajtur dënimin në burgun e Reçit në Shkodër për “Vetting” shprehet: “Unë e quaj veten civil se e kam mbaru burgun sepse deri atëhere unë kam qenë i burgosur në IEVP Rec, në rregull unë e di gabimin që kam bërë, por një orë e një minutë më vonë, unë e kam mbaru burgun tim, unë jam marrë peng nga kryeprokurori Erjon Shehaj.”
Ky është Armando Uka, i cili pretendon se është përjashtuar nga përfitimi i amnistisë penale, rrjedhimisht duke e mbajtur në burg përtej afateve të parashikuara. Uka shton: “Kam njoftuar emisionin tuaj sepse kam kryer një krim në vitin 2011, jam dënuar me 16 vjet. Dhe para atij e kam pasur një dënim tjetër 3-vjeçar. U ekstradova nga Italia, erdha këtu në Shqipëri në 13 tetor të vitit 2023. Erdha për të kryer 3 vjet e 11 muaj dënim, dënimin e mbetur e kisha kryer.
Tani… Me kalimin e kohës doli amnistia tani që erdha këtu. Nga 3 vjet e 11 muaj heqim 6 muaj, sa i takon?
Pastaj kisha edhe 855 ditë, si i thonë këtu në Shqipëri 3 mujorsha, të marra me vendim gjyqtarie në Itali, të njoftura nga Shqipëria.
I takonte që unë më 4 prill, më 4 prill kur është dhënë amnistia nëpër burgje që fillonin të dilnin njerëzit, duhet që unë të isha i lirë. Nga ajo ditë unë s’kam dalë, unë kam dalë në 5 shkurt 2025, tani sa kohë i bie që unë kam ndenjur brenda?”
Për të kuptuar më shumë rreth çështjes, por edhe për të marrë qëndrimin e të gjitha palëve, “Vetting” ka kryer një hulumtim që nxjerr në pah arsyet me rastin e Armando Ukas. “Vetting” e pyeti denoncuesin për sjelljen e tij brenda institucionit të vuajtjes së dënimit në Itali, por edhe në Shqipëri e cila ndikon edhe te përfitimet nga masa e uljes së dënimit. Në shumë raste, kur të burgosurit janë problematikë në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimit Penal (IEVP) ose e thënë ndryshe në burg, ata mund të penalizohen, por ky nuk ka qenë rasti sipas dëshmisë nga vetë Uka. “Sjellja ime në institucionet e Italisë dhe të Shqipërisë ka qenë ekzemplare. Jam sjellë mirë me shoqërinë, me personelin e policisë, me drejtuesit, me drejtorat e burgut. Jam sjellë ashtu sic duhet, jam sjellë normal.
Tashti… Problemi është se Kryeprokurori më ka mbajtur peng në burg 11 muaj o shok. Tani më duhet motivi, për çfarë?“ shprehet Armando Uka, ish-i burgosur.
Kjo është pyetja që e mundon prej gati një viti Ukan, por edhe avokatët e tij Gjergj Neli dhe Shaqe Marinaj, të cilët kanë bërë përpjekje të shumta, duke qenë edhe të shqetësuar për gjendjen e tij fizike dhe shpirtërore kur ishte i burgosur.
Për “Vetting” avokati Gjergj Neli u shpreh: “I dënuari e ka ndjerë shpirtërisht, fizikisht, unë sa herë që shkoja të takoja e ndieshim veten fajtorë për pjesën time si përfaqësues ligjor, sepse i dënuar nuk i përcepton sepse thotë unë kam një avokat dhe avokati, ideja e atij që është avokati që bën përpjekjet dhe më liron”.
Sipas denoncuesit dhe avokatëve të tij, dokumentacioni dhe kushtet për të përfituar nga Amnistia Penale kanë qenë sipas ligjeve në fuqi.
“Me letra, i kemi krejt letrat e dokumentuara, që unë kam ardhur nga Italia në Shqipëri për të kryer dënimin prej 3 vitesh e 11 muajsh nga 19 vjet që kisha. Kam bërë 14 vjet atje, llogaritë etj.
“E kam mbaruar burgun tim unë. Tashti ndoshta atij nuk i ka pëlqyer avokati që kam patur unë sepse janë njerëz të drejtë.”- tha Armando Uka
Për “Vetting”, avokati Gjergj Neli ka thënë se vazhdimisht ata prisnin veprime nga Prokuroria e Lezhës, kryesisht nga prokurori Erjon Shehaj, i cili i zvarriste procedurat dhe nuk i bënte në kohë. Të gjendur në këto kushte, avokatët kanë bërë kërkesë në Gjykatën e Lezhës për t’u njohur përfitimi nga amnistia penale.
Më 29 maj 2024, Gjykata e Lezhës pranoi kërkesën për bashkimin e dënimeve të Armando Ukas, duke e dënuar me një vendim të plotë prej 17 vitesh.
“Përfundimisht, ne duke parë qëndrimin e Prokurorit, sepse prokurori po i zvarriste procedurat për bashkimet e dënimeve, ne në cilësinë e avokatëve vumë në lëvizje gjykatën për bashkimin e dënimeve, e cila vendosi bashkimin e dënimeve në një të vetme. Që do të thotë nuk e llogariti 16 vjet dhe 3 dënime, por në një dënim të vetëm prej 17 vitesh për të dënuarin Armando Uka.”- u shpreh avokati Neli.
Por pavarësisht përpjekjeve të avokatëve, përsëri çështja do të ngelte në vend numëro dhe do të duhej të kryheshin procedurat e certifikatave të njohjes nga shteti italian edhe njëherë pasi sipas kryeprokurorit të Lezhës mungonin këto dokumente.
Avokati Gjergj Neli tha: “Ky i dënuar përfitonte uljen e dënimit nga 1 vit e gjysëm ashtu sic e përmbante ligji. Në këtë kontekst, prisnim lëvizje nga prokurori që të përfitonte amnistinë, por nuk ndodhi. Vazhdojshim gjyqet dhe prokurori nuk vinte në gjyqe, ne si mbrojtje e pamë që prokuroria po i shmangej”.
(BalkanWeb)