Përplasjet e prokurorit Erjon Shehaj me avokatët
Duke parë vonesat dhe problemet për lirimin nga burgu të Armando Ukës, avokati Gjergj Neli ka kryer denoncim në SPAK për kryeprokurorin Erjon Shehaj, te Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë dhe te Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ka bërë ankesë edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda. Prej 1 janarit 2025, Prokuria e Posacme ka marrë edhe kompetencat e Komisionerit Publik, i cili në vendimin e fundit në vitin 2022 nëpërmjet ish-Komisionerit Florian Ballhysa ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për kalimin e procesit të “Vettingut” nga kryeprokurori i Lezhës Erjon Shehaj.
Në letrën e drejtuar Drejtuesit të Prokurorisë së Posacme Altin Dumani, avokati Gjergj Neli ka denoncuar moskryerjen e qellimshme të veprimeve për lirimin e Armando Ukas nëpërmjet përfitimeve nga Amnistia Penale konkretisht ligji 33/2024.
Sipas avokatit, njohja e përfitimeve të uljeve të dënimit të përfituara në Itali është bërë nga Gjykata e Lezhës në 18 nëntor 2024.
Por përveç problemit me të përfaqësuarin Uka, avokati ka denoncuar Prokurorin Erjon Shehaj edhe për një rast që ka ndodhur në vitin 2020. Më 27 tetor 2020, Gjergj Neli është marrë forcërisht nga Policia e Shtetit Lezhë, e cila e ka arrestuar avokatin, ku sipas këtij të fundit ka qenë porosi e prokurorit Erjon Shehaj. Sipas avokatit Neli në letrën e drejtuar SPAK-ut akuzohet kryeprokurori i Lezhës se presioni ka ardhur pasi ky nuk i bindej për afera korruptive.
Çështja ndaj avokatit është pushuar nga Gjykata në 24 maj 2021 dhe më pas Erjon Shehaj ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Shkodrës, e cila ka lënë në fuqi përsëri vendimin e Gjykatës Lezhë duke rrëzuar ankimin e prokurorit.
Por kjo nuk është hera e parë që kryeprokurori Erjon Shehaj ka patur përplasje me avokatët përsa i përket procesit të hetimeve.
Në informacionet e siguruara nga emisioni “Vetting” rezulton se Shehaj ka patur një përplasje edhe me avokatin Ded Guri.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2015 në Prokurorinë e Lezhës, ku është administruar një zarf, brenda të cilit kanë qenë dy letra kërcënuese për ish-drejtuesit e Prokurorisë Lezhë Përparim Vukaj dhe prokurorit Erjon Shehaj. Por kjo çështje është marrë nën hetim nga ky i fundit, megjithëse vetë trajtimi i çështjes nga Shehaj ka konflikt interesi, fakt që mbështetet edhe nga Komisioneri Ballhysa.
Kjo çështje do të apelohej në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe në të do të nxirreshin konkluzione, që rrëzonin masat e marra nga prokurori Shehaj përsa i përket hetimeve.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër më 20 maj 2015 do të shfuqizohej vendimi i Gjykatës Lezhë pasi arrestimi i avokatit Ded Guri dhe masa e sigurisë ishin të pavlefshme sepse ligji e ndalonte që Prokurori të hetojë një çështje ku është i përfshirë vetë dhe nuk kishte prova që implikonin avokatin.
Në vendim theksohet se letra kërcënuese i është drejtuar prokurorit Shehaj dhe për këtë arsye ai nuk duhet ta kishte pranuar këtë çështje.
Por avokati Ded Guri nuk do ta linte me kaq këtë çështje, ku rezultoi të mos ishte i përfshirë në asnjë veprim të antiligjor duke fituar pafajësinë. Menjëherë vendimit, avokati Guri do të bënte padi, ku akuzonte drejtuesin aktual të Prokurorisë Lezhë, Erjon Shehaj për shpërdorim detyre, çështje e cila pas dinamikave të shumta përfundoi në ngarkim të Gjykatës së Kurbinit. Prokuroria në këtë rast do të kërkonte pushimin e çështjes, ndërkohë që interesant është edhe arsyetimi i vendimit të Gjykatës.
Sipas argumenteve në vendimin e Gjykatës së Kurbinit në dhjetor 2021, kjo Gjykatë do të vlerësonte se nga ana e prokurorit Shehaj, potencialisht në veprimet dhe mosveprimet e këtij të fundit mund të ketë vepër penale. Në këtë rast sipas nenit 313 të kodit penal mund të kërkohet dënimi me gjobë ose deri në 5 vite burg.
Në vendimin e arsyetuar nga Gjykata theksohet se rasti për ndjekjen penale të Erjon Shehaj është parashkruar pasi kanë kaluar më shumë se 5 vite nga momenti që është urdhëruar arrestimi i kundraligjshëm i avokatit Ded Guri.
Pavarësisht argumenteve që ka paraqitur drejtuesi i Prokurorisë Shehaj, sipas Komisionerit Publik në këtë çështje janë konstatuar rrethana, të cilat, sipas ligjit në fuqi, e detyrojnë prokurorin të heqi dorë nga hetimi i çështjes, kur ka interesa që lidhen me këtë të fundit.
Në vendimin e konfirmimit nga procesi i Vettingut të Erjon Shehaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka kaluar këtë dosje për shqyrtim te Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.
Komisioneri Publik: Kryeprokurori Shehaj ka probleme me profesionalizmin
Sipas ish Komisionerit Publik Florian Ballhysa, në rastin e prokurorit Erjon Shehaj nga aktet e administruara paraqiten gjetje dhe rrethana ligjore e faktike që nuk plotësojnë kriteret dhe standardet e etikës, të cilat garantojnë mbrojtjen dhe forcimin e besimit të publikut.
Në ankim evidentohet fakti se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka evidentuar gjetje në të gjitha burimet e vlerësimit të kriterit të aftësive profesionale, si në raportin e hartuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por edhe denoncimet nga publiku.
Emisioni “Vetting” i kërkoi informacione rreth dosjes së kryeprokurorit Shehaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e cila në kthim-përgjigje deklaroi se nuk mund të na e vendoste në dispozicion informacionin pasi çështja e Erjon Shehajt është në proces gjyqësor.
Për të kuptuar më shumë rreth çështjes së Armando Ukës, “Vetting” i drejtoi dhe një kërkesë për koment Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Deri në publikimin e këtij materiali nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga institucionet, e cila lidhet tashmë me një çështje që ka përfunduar nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Ashtu siç pohohet edhe në dialogun e Sokratit për dënimin e tij të padrejtë, Sokratit nuk i bëri dëm ligji, por juria, e cila na sjell te pyetja e vjetër:
Kush do t’i ruajë vetë rojet?
(BalkanWeb)