Kina priti në një takim 3-palësh, Iranin dhe Moskën, për të gjetur një zgjidhje diplomatike për çështjen bërthamore të Iranit.

“Në situatën aktuale, ne besojmë se të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë dhe të përmbahen, në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi i situatës bërthamore të Iranit, apo të shkohet drejt një konfrontimi dhe konflikti”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, në një konferencë për media para takimit.

Në takim ishte i pranishëm zëvendësministri i Jashtëm kinez, Ma Zhaoxu, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, dhe ai iranian, Kazem Gharibabadi.

Vëmendja mbi çështjet bërthamore të Iranit është intensifikuar ditët e fundit pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se i ka dërguar një letër Teheranit duke kërkuar rifillimin e bisedimeve bërthamore dhe duke paralajmëruar për veprime të mundshme ushtarake nëse Irani refuzon bisedime të tilla.

Ministria e Jashtme iraniane tha të enjten se do të bënte një “vlerësim të plotë” përpara se të përgjigjet ndaj letrës së Trumpit.

“Letra u pranua mbrëmë dhe aktualisht është duke u shqyrtuar”, tha zëdhënësi Esmaeil Baqaei, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA. Ai shtoi se “një vendim mbi mënyrën e përgjigjes do të merret pas një vlerësimi të plotë”.

Pas takimit transmetuesi shtetëror kinez CCTV raportoi se “të tri palët shkëmbyen qëndrime mbi çështjen bërthamore të Iranit dhe çështje të tjera me interes të përbashkët”, por nuk ka detaje të tjera.

Teherani dhe Moska kanë forcuar marrëdhëniet në vitet e fundit, pasi mosmarrëveshjet e Iranit me Shtetet e Bashkuara janë rritur. Të dy vendet kanë mbajtur gjithashtu lidhje të ngushta me Kinën.

Këtë javë, të tri vendet zhvilluan stërvitje detare në Gjirin e Omanit, pranë ngushticës strategjike të Hormuzit, si një shfaqje force në Lindjen e Mesme, ku anijet pjesëmarrëse ndaluan në portin iranian të Çabaharit.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb