Tre të vdekur dhe nëntë të plagosur është bilanci i një shpërthimi me granate në qendër të kryeqytetit kolumbian, Bogota, të mërkurën mbrëma.

“Një pajisje e re shpërthyese u hodh mbi një turmë njerëzish (…) duke rezultuar, për fat të keq, në humbjen e tre jetëve dhe plagosjen e nëntë të tjerëve,” tha kryetari i bashkisë Carlos Fernando Galán përmes X pak pas mesnatës të së mërkurës (dje të enjten në 06:00 me orën tonë).

Shpërthimi në lagjen San Bernardo u shkaktua nga një granatë e hedhur, tha drejtori i policisë së kryeqytetit, gjenerali Giovanni Cristanzo, për mediat pak larg nga vendi i shpërthimit.

Sulmi ishte për shkak të një “konflikti (…) midis dy organizatave kriminale lokale” që pretendojnë kontrollin e zonës, shpjegoi ai.

Rrethi qendror i këtij kryeqyteti, i njohur për faktin se tradicionalisht ka qenë shtëpia e kompanive të prodhimit të mobiljeve, vitet e fundit është kthyer në një vend për trafikimin dhe konsumin e sasive të vogla të drogës.

Sipas kryetarit të bashkisë së Bogotës, i cili dëshiron të “rimarrë” lagjen, ishte një “reagim i bandave kriminale që përpiqeshin të mbijetonin mes rrethimit” të policisë. Ai gjithashtu kërkoi që kjo e fundit “të intensifikojë presionin mbi bandat” dhe “të arrestojë drejtuesit e tyre”.

Tre javë më parë, autoritetet njoftuan se një i pastrehë u vra dhe shtatë persona të tjerë u plagosën pasi një granatë u hodh në lagje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb