Doktori Luan Mavriqi i klinikës “Brianza Dent” pretendon se gjendja e italianit Simone Del Vecchio është përkeqësuar si pasojë e bërjes së dushit pas operacionit për heqjen e 20 dhëmbëve dhe tymosjen e marijuanës. Prej 8 muajsh, i riu italian dergjet në shtrat, pasi pas ndërhyrjes që kreu në klinikë, në Tiranë, pësoi 4 arreste kardiake.

“Tak Fak” pasi u njoh me këtë pretendim të doktor Luanit, u detyrua të pyesë vëllanë e Simones, Marcon.

Dhe ja çfarë thotë ai…

Tak Fak: Përshëndetje Marco! Fillimisht uroj më të mirën për ju. Jam Rovena, gazetarja me të cilën kemi biseduar edhe më herët. Për dijeninë tënde, jemi duke ndjekur në Shqipëri, në mënyrë të pavarur, rastin e vëllait tuaj Simone.

Kemi folur ndërkohë me klinikën dentare ku ai është kuruar. Ku dentisti na tha që Simone nuk ka pasur probleme shëndetësore për faktin që i janë hequr 20 dhëmbë, por sepse pas ndërhyrjes ai ka bërë dush dhe ka tymosur marijuanë. Si familje keni një përgjigje, ose një reagim? Kjo është gjithçka që duam të dimë nga familja juaj. Faleminderit dhe ndjesë për shqetësimin, Rovena.

Marco Del Vecchio (Vëllai i Simones): Mirëdita! Fillimisht do ia dërgoj komunikimin tuaj, avokatit të familjes, që po merret me çështjen, për të ditur se si do të procedojmë. Sepse kjo që dentisti thotë është gënjeshtra më e madhe në botë. Vëllai im nuk ka tymosur asgjë. Por e përsëris që këto janë gjëra delikate që duhet t’i zgjidh me avokatin tim, me të cilin jam në kontakt që kur kjo ngjarje ka ndodhur. Unë jam shumë i zënë edhe për faktin që gjendja shëndetësore e vëllait tim është rënduar dhe po provojmë ta transferojmë në një strukturë tjetër në veri të Italisë ose në Austri.

Gjithmonë duke paguar nga xhepi ynë.

Përsëris, ju lutem flisni me avokatin tonë, sepse ndryshe nga nervozizmi unë mund të shpërthej, për shkak të pohimeve të rreme të dentistit.

Marco Del Vecchio: Unë dua të di si kanë arritur ata të kenë një certifikim të tillë? Kanë ndonjë regjistrim video? Si kanë arritur të certifikojnë përdorimin e marijuanës? Mbi cilat kritere mjeko-ligjore arsyetoni në Shqipëri? Shikoj vetëm çmenduri në këto që po më thoni. Nëse nuk kanë prova të vërteta, atëherë këto pohime janë të rënda. Në Shqipëri, Konsullata italiane është në dijeni të rastit. Zoti Mavriqi të mos thotë idiotësira, sepse ndihet i sigurt në një shtet që mbron qytetarët e tij nga gjërat e çmendura të paligjshme që bëjnë… Do të kthehem sepse kam shumë zemërim brenda trupit tim dhe mund të shpërthej shumë lehtësisht… Ai ka shkatërruar jetën e vëllait tim dhe të familjes sime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb