Besart Xhaferri, Kreu i FRPD-së, i ftuar në emisionin Open në News 24 tha se populli opozitar ka kaluar 12 vjet në opozitë për shkak të gabimeve të bëra nga opozita vetë.
Ai pranoi se Partia Demokratike ka bërë gabime, duke i hapur rrugë Edi Ramës për të krijuar një kod elektoral që ka disavantazhuar opozitën, si dhe duke i dhënë pushtetin lokal të gjithin në dorë. Xhaferri theksoi se një nga gabimet më të mëdha ishte mosrealizimi i rotacionit të pushtetit më 2021.
Ai theksoi se për shkak të këtyre gabimeve, PD nuk ka luksin për të bërë eksperimente dhe duhet të bëjë përpara me një listë të kandidaturave që njohin mirë terrenin dhe mund të sjellin ndryshime të vërteta në Shqipëri. Xhaferri shtoi se opozita është e vetëdijshme për përgjegjësitë që ka dhe është e gatshme të punojë për një rikthim të besimit te qytetarët dhe për të sjellë ndryshimin e premtuar.
Besart Xhaferri: Populli opozitar ka 12 vite që është në opozitë prej fajeve tona. Nëse ka 12 vite në opozitë populli opozitar, është se ne ia bëmë autostradë Edi Ramës që të na bëjë çdo kod elektoral që na disavantazhon si sot, e bëmë këtë më 2019, i dhamë gjithë pushtetin lokal, duke e bërë administratën me 200 mijë njerëz dhe vramë shpresën duke mos bërë rotacionin më 2021, patëm dhe problemet tona të brendshme. Ne jemi fajtorë. Duke qenë fajtorë kaq të mëdhenj, nuk e kemi luksin për të bërë eksperimente. Kemi shkuar me një listë me njerëz që njohin terrenin, dinë si të mundin kandidatët e PS dhe do të sjellin ndryshimin në Shqipëri.
(Balkanweb)