Policia e kryeqytetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Reaction”, duke arrestuar një 47-vjeçar të dyshuar për disa vjedhje të kryera brenda një dite.
Shtetasi F.(Z.) T., 47 vjeç, u identifikua dhe u kap nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 3, pas denoncimit të një qytetari për vjedhje në lokalin e tij.
Sipas hetimeve, më datë 16 mars 2025, i arrestuari ka vjedhur produkte nga një lokal, ka vjedhur një automjet dhe ka tentuar të vjedhë në dy automjete të tjera, duke iu thyer xhamat. Automjeti i vjedhur është gjetur dhe sekuestruar nga Policia si provë materiale.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse 47-vjeçari ka qenë i përfshirë edhe në vjedhje të tjera. Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, e cila do të vijojë veprimet ligjore ndaj të dyshuarit.