Më shumë se 1 vit e 3 muaj pas arrestimit të tij në Spanjë, Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit, do të ekstradohet këtë të martë në orën 22:15 minuta në Tiranë. Ai është shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2022 dhe pritet të mbërrijë në Rinas gjatë orëve të mbrëmjes. Berisha ka humbur betejën ligjore në Spanjë, duke kundërshtuar ekstradimin në Shqipëri, pas 15 muajsh qëndrim atje, ku u gjet i transformuar, me mjekër të bardhë dhe tatuazhe në duar, duke përdorur një identitet bullgar.

Ai ishte shpallur në kërkim që në vitin 2020 për dy vrasje të ndodhura në vitin 2005, të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, ngjarje që u zbardhën 15 vjet më vonë. Çështja për Lamen u pushua për mungesë provash, ndërsa aktualisht Lulzim Berisha është ende në kërkim për vrasjen e Klodian Saliut, i cili u qëllua për vdekje në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj, ndërsa udhëtonte me makinën e tij.

Lulzim Berisha ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe trafikime ilegale në vitet 1998-2000. Megjithatë, dënimi për të u ul në 25 vjet burgim nga Gjykata e Lartë në vitin 2014. Dy vjet më pas, ai mundi të largohej nga burgu pas një vendimi të Apelit të Durrësit, i cili vendosi se kishte shlyer 3 të katërtat e dënimit dhe ia fali 5 vite të mbetura për sjellje të mirë. Në vitin 2021, Gjykata e Lartë e prishi këtë vendim dhe urdhëroi rikthimin e tij në qeli për vuajtjen e dënimit të mbetur. Për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit e shpalli Lulzim Berishën në kërkim në janar 2022. Me kthimin e tij në Shqipëri, Lulzim Berisha do të përballet me dënimin për vrasjet e vitit 2005 dhe përfundimin e dënimit të mëparshëm.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb