Nga: MENTOR KIKIA*
Ka dalë një tjetër pretendim për reformën në drejtësi. Dhe besoj se gjithmonë do të dalë diçka që nuk shkon. Sali Berisha, e pas tij edhe Jozefina Topalli, e pas saj edhe një deputet i LSI-së (padyshim jo me kokën e tij si Spartak Braho gjithmonë), shprehën publikisht shqetësimin dhe votën kundër, tashmë edhe për një frikë të re. Pas kundërshtimit të kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, tashmë po shqetësohen për cenimin e pavarësisë së shtetit, pasi në strukturat e drejtësisë, në atë që njihet si vetingu, procesi i kontrollit dhe emërimit të gjykatësve e prokurorëve, do të jenë edhe dy përfaqësues të huaj, një i SHBA e një i BE. Madje, edhe gjuha zyrtare do të jetë edhe shqip, edhe anglisht. Një fakt që ka qenë prezent që në draftin e parë të reformës, por që deri tani nuk ishte shqetësuar askush për këtë. Ata thonë se reformën mund ta bëjmë vetë ne shqiptarët, “s’ka pse të na monitorojnë e kontrollojnë të huajt. Nuk e ndajmë pavarësinë”.
Padyshim që po, ju mund ta bëni reformën dhe drejtësinë, ashtu siç e keni bërë deri tani. Për të garantuar një gjyqësor vegël, një Gjykatë të Lartë produkt pazaresh të tipit Fullani, që garanton vetëm një gjë, paprekshmërinë tuaj, pavarësisht çfarë i bëni këtij populli e këtij vendi.
Në kushtet kur reformat deri tani kanë qenë hiq ata “të atyre” dhe vër “këta tanët”, futja e të huajve në procesin e hartimit të reformës aktuale në drejtësi, e aq më shumë edhe në zbatimin e saj përmes përfaqësuesve në veting, janë parë gjerësisht si garancia e vetme nga shqiptarët e thjeshtë, që kjo reformë mund të sjellë ndonjë ndryshim. Kanë qenë pikërisht diplomatët e huaj, ambasada e SHBA-ve dhe BE, të dërguarit e Brukselit dhe Uashingtonit, deri te sekretari Kerry e komisionerët për zgjerim dhe të politikës së jashtme, që kanë ushtruar në mënyrë sistematike presion mbi klasën tonë politike, asnjëherë të gatshme për t’u marrë vesh për të mirën e vendit dhe popullit, përveçse për të bërë pazar për interesa të saj. Ndërsa dëgjojmë tashmë deklarata të tilla, pra shqetësime se të huajt, ata që në fakt kanë qenë garancia edhe e kësaj pak demokracie që kemi, po na cenojnë pavarësinë e shtetit tonë, nuk më vjen thjesht ndërmend shprehja se nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve. Por më bën të dyshoj seriozisht se politikanët tanë janë tërësisht jashtë realitetit. Nuk e dinë akoma ata se shqiptarët nuk kanë më pikën e besimit tek ata?
Nuk e dinë që ata që i votojnë, i votojnë vetëm sepse i joshin me vende pune e para në dorë, apo i kërcënojnë me bukën e gojës?
Nuk e dinë që ne e dimë, që këtij vendi i kanë bërë e po i bëjnë gropën dhe sa herë bëjnë gjëmën e radhës, flasin në emër të Shqipërisë, atdhetarisë dhe sovranitetit të saj?
Nuk e dinë se përveç Greqisë dhe Serbisë, shqiptarët janë gati të votojnë pro shndërrimit të vendit të tyre në shtetin e 51 të SHBA-ve, në landin e 17 të Gjermanisë, provincë të Mbretërisë së Bashkuar (edhe jashtë BE-së), Francës, Italisë… vetëm e vetëm që të mos qeveriseshin më nga kjo klasë politike?
Në fakt, ka një zgjidhje nëse shqetësimi për cenimin e pavarësisë do të shndërrohet në ortek. Duke qenë se Shqipëria është e të gjithëve, madje më shumë e jona se atyre, që thjeshtë e kanë zhvatur deri tani, atëherë vetting mund të kalojë në referendum. Na takon neve të vendosim për këtë pikë që na “cenon pavarësinë”. Pastaj të tregojë populli, nëse ka më shumë besim te një ekspert amerikan apo te politikanët e tij.
(d.d/GSH/BalkanWeb)