TIRANE- Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës bën me dije se koncesionin e rrugës së Kombit, operimit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të autostradës Milot-Morinë, e ka fituar një kompani turke. Koncesioni ka vlerën 5.6 mln euro dhe jepet për 30 vjet.

Në garë ishin tre kompani:

1. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Catalyst Viva Das General Constructing LLC”, “Salillari” LTD, “Violap Ateve”, “Bee Tech” dhe “Kastrati” SHA.

2. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, “PT Citra Marga Nusaphala Persada TDK” “Mehmet Ai Unal Insaat Taahhlil Madencilik San. Ve Tic. A.S” “Savronik Sistem Tah.San.Tic A.S”, “Vendeka Europian Investment B.V”.

3. Luman Biba.

Në njoftim thuhet se: Oferta e depozituar nga Luman Biba ishte një faqe e bosh, nuk kishte asnjë dokument, madje as ofertë dhe në këto kushte komisioni vendosi të mos e marrë në shqyrtim. Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Catalyst Viva Das General Constructing LLC” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 4,995,000 Euro, investim fillestar të propozuar në shumën 43,409,518 Euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 217,562,056 Euro. Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 Euro, investim fillestar të propozuar në shumën 50,622,174 Euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,604,079 Euro”.

“Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shqyrtuar në bashkëpunim të ngushtë me IFC në mënyrë të detajuar dhe të thelluar të dyja ofertat e paraqitura nga bashkimet e përkohshme të shoqërive, duke patur parasysh objektivin kryesor në këtë koncesion, përcaktimi nëse një ofertues ka kapacitetin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për ta implementuar këtë projekt në mënyrë të suksesshme. Në përfundim, pasi mori edhe rekomandimin e IFC, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi të shpallë ofertë të preferuar, atë të paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”
Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet ankim ne Komisionin e Prokurimit Publik”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb