TIRANE – Presidenti i Republikës dekretoi dje ndryshimin në qeverinë “Rama”. Eglantina Gjermeni do të jetë vetëm ministre e Zhvillimit Urban. Ndërsa pjesa e Turizmit i bashkëngjitet Arben Ahmetaj, i cili tashmë do të jetë Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Nuk dihet saktësisht se përse kryeministri Rama e bëri këtë ndryshim, pasi ka pasur heshtje nga ana e qeverisë. Drejtori i Komunikimit, Endri Fuga, por edhe ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, të kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” nuk kanë dhënë asnjë shpjegim. Qeveria nuk bëri asnjë reagim zyrtar, por ministrja e Zhvillimit Urban tha në emisionin “Natë me Xhaxhiun” se kjo lëvizje ka lidhje me investimet e huaja.
“Turizmi u kalua tek ministria e Zhvillimit Ekonomik e Tregtisë sepse ajo lidhet direkt me investimet e huaja. Eshtë një vendim i kryeministrit Rama. Mua nuk më pëlqen ta quaj heqje apo marrje. Është një ndryshim strukturor brenda së njëjtës qeveri. Njëkohësisht, ministria e Zhvillimit Urban ka mjaft detyra, siç janë legalizimet, planifikimi urban, zhvillimi i territorit, etj”, tha ministrja Eglantina Gjermeni në intervistën me Rezar Xhaxhiun në emisionin “Natë me Xhaxhiun” në “News 24”.
Ndërkohë ditë më parë, burime nga qeveria kanë pohuar për mediat se ky kalim është bërë edhe për efekt të bashkëpunimit me Kosovën në fushën e tregtisë, sipërmarrjes, por edhe të turizmit tashmë. Ndërkohë, që ministrja Eglantina Gjermeni mësohet jo zyrtarisht se do të ketë në kompetencën e saj legalizimet e ndërtimeve pa leje, planifikimin e zhvillimit urban dhe strehimin, përmes banesave sociale për shtresat në nevojë. Kryeministri Rama deri tani ka vlerësuar të gjithë ministrat e tij për punën e bërë deri më tani. Madje, ai ka deklaruar se nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime në qeveri dhe i beson punës së skuadrës së tij.
(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)