Nga: LEDIONA XHELADINAJ*
POGRADEC – Pogradeci është qyteti turistik buzë liqenit të mrekullueshëm të Ohrit. Një qytet “palcërisht shqiptar” – siç thotë Lasgushi i madh, është i bukur jo vetëm prej natyre, por është edhe një qytet i lashtë e me tradita të hershme kulturore, artistike. Pogradeci është qyteti i luleve, i verës, i peshkut të rrallë Koranit, që vështirë se gjendet tjetër kund, por edhe i mikpritjes. Kështu e shohin ata pushues që zgjedhin Pogradecin, që së fundmi ka njohur edhe dorën e investimeve.

“Të them të drejtën jam kthyer përgjithmonë nga Greqia. Më pëlqen, jam shumë e dashuruar me Pogradecin. Eshtë një vend i mrekullueshëm. Njerëzit janë të dashur, janë të respektuar, janë të qetë. Ndjej një kënaqësi shpirtërore.”- shprehet një qytetare.

“Është ambient i qetë, i lezeçëm. Ndoshta është dhe pak më lirë. Ofron më tepër mundësi relaksi.”- thotë një pushues.

Pushuesit vlerësojnë edhe zgjerimin e hapësirave publike, falë investimeve të Bashkisë së Pogradecit.

Më një sipërfaqe prej 13 km, Pogradeci është një qytet që mund të vizitohet vetëm duke e shëtitur në këmbë. Kryetari i Bashkisë, Eduard Kapri tregon për investimet e kryera në këtë zonë, gjë që e ka bërë Pogradecin gjithnjë e më të pëlqyeshëm nga vizitorët.

“Si risi për herë të parë morëm një menaxhim të ri të parkingjeve të qytetit, me qëllim që të krijonim më tepër hapësira publike të lira për pushuesit, apo vizitorët që do vinin në Pogradec. Një nga masat e reja që ne morëm ishte lirimi i hapësirave publike të gjelbra të qytetit, ku këto i kthyem në shërbim të banorëve dhe të pushuesve të qytetit. Njëkohësisht rritëm edhe numrin e stolave ku njerëzit të kishin mundësi të pushonin.”- deklaroi kryebashkiaku Kapri.

Pogradeci ka shëtitore të gjëra, në të cilat mund të gjesh akoma xhiron tradicionale të qyteteve shqiptare. Shëtitores i është shtuar dhe ndriçimi. Bashkia e Pogradecit ka të tjera projekte për zhvillimin e zonës.

“Fokusi kryesor është zhvillimi i turizmit. Në lidhje me këtë zhvillim turizmi përqëndrohet edhe plani i ri rregullues, ku presim që nëpërmjet këtij plani të kemi mundësi të zgjerojmë hapësirat turistike në qytetin e Pogradecit. Pjesa e shëtitores së Pogradecit, ta shikojmë projektin drejt një pedonaleje.”- u shpreh Kapri.

Jo më kot, këtij vendi të magjishëm i kanë shkruar dikur Lasgushi dhe Kuteli, i kanë dhënë ngjyra piktorët si dhe është fiksuar në celuloid nga artistë të shumtë, për ta përjetësuar në kujtesën e brezave këtë perlë të Shqipërisë.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: