NGA: FATMIRA NIKOLLI
Arbri mesjetar! Me 12 kisha që shtrihen në më shumë se 80 hektarë (tanimë zonë e mbrojtur nga shteti), me punishte qelqi e metali, me qendër administrative, banesa me kate, oxhaqe ngrohje, varrezën e vet, rrugë dhe furnizim me ujë dhe me një aristokraci që krahasohet me atë lombarde apo gjermanike të kohës, Komani mesjetar faktohet të ketë qenë një qendër e rëndësishme. Një fizionomi gjithnjë e më e qartë e vendbanimeve të grupuara mesjetare të Arbrit.
Arkeologia Etleva Nallbani që punon prej vitesh atje, thotë se kërkimet e gërmimet e fundit vërtetojnë 7 shekuj jete intensive. “Mendohej që Komani kishte pasur jetë intensive në shekujt VI deri në VIII, duke u nisur nga gërmimet në nekropoli, por gërmime më të detajuara të bëra së fundmi nxjerrin në dritë fakte që ka pasur jetë më afër nesh. Nga objektet e kultit dhe datimet me karbon, na del se Komani ka qenë në lulëzim deri në Shekullin e XII. Më së paku janë shtatë shekuj jete intensive”. Dr. Etleva Nallbani (Shkolla franceze e Romës) është drejtuese e ekspeditës, që prej vitesh po nxjerr në dritë qytetërimin e Arbrit mesjetar.
DY FAZA JETE, NJË MBISHKRIM DHE HIPOTEZAT
Mes shumë fazave, për Nallbanin dy janë kryesoret.
“Kemi punuar me një nga objektet e Komanit, bëhet fjalë për kishën me fron, peshkopale. Kishim nxjerrë pjesën e sanktuarit dhe sivjet e nxorëm të tërën. Ajo ka dalë me dy faza kryesore, sepse ka shumë të tilla. Është një ndërtim i parë që është paleokristian, mes shekujve VI dhe VIII, të cilin e kapim edhe në elemente arkitekture.
Ka një periudhë paleokristiane, që e kemi të sigurt e dokumentuar me një afresk që edhe pse i dëmtuar, më vonë është i rimarrë dhe pjesët e dëmtuara janë mbushur me llac dhe mbi të cilat kanë vendosur afreskun romanik pastaj”.
Sa i takon afreskut, ajo e përshkruan të ketë një skenë mitologjike, edhe pse ende nuk është nxjerrë në dritë i gjithi. “Shfaq një kafshë, që duhet të jetë dre mbase. Në një moment menduam se mund të jetë Krishti i paraqitur si në antikitetin e vonë si bari, mbase si mozaikët e Bylisit apo mozaiku i Arapajt. Nga ana tjetër, na del edhe një strukturë si me dru, që mund të jetë ndonjë varkë, varka e Noes mbase. Më poshtë, tek shkallarja e kishës-që është më e vonë, paraqitet me një shtresë tjetër, pikturë në absidë. Kisha është rreth 17 metra e gjatë pa llogaritur ndonjë ekzistencë narteksi – dhe duhet të një të tillë, pasi është e pikturuar nga jashtë e nuk ka kishë që pikturohet nga jashtë e të mos mbrohet”. Nallbani thotë se është kishë me një nef. Sipas saj, kishat e veriut në fakt, nuk kanë një arkitekturë të përcaktuar, sikurse është ajo bizantine. Ajo verën se bazohen deri diku te modeli pararoman, e më pas roman, por bëjnë si të munden me terrenin dhe kanë një përshtatje, sa asnjëra nuk është njësoj me tjetrën.
Mandej kalohet në fazën e dytë të jetës, ajo romanike që del me afresk. “Afresku është gjithë ngjyra, siç janë ngjyrat e afreskut romanik të kishave të Italisë së Jugut, mes shekujve XII-XIII. Nuk ndahen me bordura paneli nga paneli, ose motivi nga motivi, por ndërthuren si gërshet. Kemi bankina të tëra të veshura me afresk.
Po e kësaj periudhe ka dalë një panel i tërë i rrëzuar me mbishkrim latin kishtar. Nuk është një fjalë, është një formulë e tërë, por ende e papërkthyer”. Nallbani përmend edhe disa elementë dekorativë që gjenden tek mbishkrimi – disa rrathë me pikë në mes.
Ajo sqaron se ky motiv është përdorur në antikitetin e vonë dhe në shekujt e parë të Mesjetës. “Pallonjtë janë zogjtë e parajsës, janë shumë prezentë në kisha. Pallonjtë kanë atë rrethin me pikë që krijohet kur hapin pendët. Objektet e mesjetës e kanë shumë herë të paraqitur këtë motiv dhe këtu e gjejmë në mbishkrim. Është korniza e mbishkrimit. Pastaj janë format e E-ve që janë të ndryshme – dhe mbishkrimet këtu ndahen te mënyra se si shkruhen, çka merret në konsideratë për përcaktimin e periudhës që i përkasin”.
Për Nallbanin, kisha e gërmuar këtë verë, është një kishë shumë e madhe, me disa faza: ka dhomën e shenjtë të altarit, shumë të gjerë – shumë të madhe, merr shumë hapësirë të rëndësishme në kishë. “Për shembull, që në mes të kishës fillon pjesa e altarit dhe fillon me korniza dhe me shkallë që ngjiten deri në altar. Në përgjithësi, në këto lloj kishash, u lihet vend besimtarëve ndërsa kjo i lë shumë më tepër vend altarit. Kjo hapësirë tregon se këto kisha janë monastike, u shërbejnë manastireve, por është e pamundur, prandaj hidhen disa pikëpyetje: a ishte qendër pelegrinazhi? Nuk duket të jetë manastir sepse ke një popullsi civile që e banon këtë periudhë”, thotë ajo, ndërsa ka mbaruar gërmimet për sivjet dhe tani merret me të dhënat.
Ajo tregon se kisha ka pesë shkallë drejt altarit, me bankinë anësore të veshur me stuko fine, një pjesë të pikturuara. Absida është me fron qendror dhe me dy shkallë. Dhe çfarë është më e bukur sipas saj, ndonëse ende e pazbuluar tërësisht, e gjithë pjesa e sanktuarit është e pajisur me një ikonostas (kangjel për kishat perëndimore) i ndërtuar me shtuf, që është gur vullkanik i lehtë si pupël. Në këtë pikë, Nallbani sqaron se shtufi është elementi më lehtë i gdhendshëm ndaj është përdorur në shumë në kisha, por rrallë gjendet pasi dëmtohet shpejt, ndërsa Komani e ka ruajtur gjithë ikonostasin (kangjelin) e ndërtuar me shtuf.
ARISTOKRACIA E VERIUT
Për të ndërtuar një imazh më të qartë se si ka qenë qyteti mesjetar i Komanit, Nallbani tregon se Shëngjergji, lagja tjetër e Komanit, ka nxjerrë punishte-farkë metali, në krah të kishës me ndërtesa të tjera, me qeramikën, me qelq të importuar nga Kalifati, e sipas saj, të gjitha këto tregojnë për një popullsi të pasur. “Është një zonë ku kishte shumë kisha, çka ishte investim i jashtëzakonshëm që të jep të kuptosh për një aristokraci vendëse në veri të Shqipërisë, që është totalisht e krahasueshme me çdo lloj aristokracie të asaj kohe në Mesdhe. Nuk ke aristokracinë e Kostandinopojën, as atë të Ravenës, po e ke si ajo lombarde, si ajo karolinge, apo gjermanike – është identike e krahasueshme me nivelin ekonomik dhe për mënyrën se si ajo integron edhe ideologjinë kishtare. Të ndërtosh 12 kisha në një vendbanim të tillë do të thotë shumë. Kisha është ajo që zhvillonte jetën”, thotë arkeologia. Në fund, ajo vëren se nga interpretimi arkeologjik del që është një shoqëri shumë e ndërthurur mes Lindjes e Perëndimit, ku nis si bizantine dhe më pas del latine, e kjo nuk ndahet më, vijon të jetë latine. Në shekujt 13-14 shihet qartë prezenca italike”.
FRANG BARDHI
Por, kur ka së ekzistuari ai qytetërim i lulëzuar? Nallbani shënon se është e vështirë të përcaktohet koha fikse, mbasi edhe sot ka jetë në Koman. Në këtë pikë, ajo citon diçka të shkruar. “Për shembull, Frang Bardhi ka dhënë meshë në kishën e Shën Kollit diku aty, në fillim të shekullit të 17. Por, kur Frang Bardhi flet e jep meshë thotë ‘duajeni këtë vend, sepse është më i ndrituri në këto zona’. Domethënë që lulëzimi i Komanit ishte shuar në atë periudhë, gjersa ai e evokonte historinë e grishte popullsinë që ta donin”. Parë në këtë linjë, arkeologia shton se vendbanimi është i madh dhe nuk është jetuar me të njëjtin intensitet në çdo zonë, por i dendur ka qenë deri në fund të shekujve XIII-XIV.
NË SHTIGJET E KOMANIT
Këtë vit, anipse Komani gjendet larg rrugës së makinës, vizitorët nuk kanë munguar. Në bashkëpunim me Bashkinë e Vaut të Dejës, grupi i arkeologëve ka bërë edhe një “program të shtigjeve”. “Kemi bërë sinjalistikën, po bëjmë 4 tabela të mëdha dhe me panele të vogla druri do shpjegohen pikat kryesore, Shën Todri, Shën Gjergji etj. Nuk do të jetë një sit shumë, shumë i vizituar, por do jetë një vendbanim mali, me shtigje, ku stolat e pushimit janë bërë me degë pemësh, si çdo sinjalistikë tjetër, të gjitha në harmoni me natyrën. Së fundmi ka nisur edhe restaurimi i Shën Gjergjit, për çka Nallbani thotë se po bëhet me restaurator francez”.
Duhet pasur parasysh që çdo material, nga ato që përdorin arkeologët gjatë qëndrimit, deri tek mjetet e punës e jo vetëm – ngjiten lart në Koman me mushkë. Këtë verë kampi i ekspeditës ka “mbijetuar” me gjeneratorë, sepse fshati nuk kishte drita.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: