NGA: MIRON ÇAKO
Narcizizmi, si patologji, e ka marrë emrin nga një personazh që vjen nga mitologjia e antikitetit grek. Narcizi (Narcissios) ishte një djalosh i pashëm dhe i mbyllur në vetvete, i cili refuzoi dashurinë e një nimfe (zanë). Ky refuzim nxiti zemërimin e nimfave të tjera, të cilat kërkuan ndihmën e hyjneshës Afrodita, që, si mallkim, e çoi Narcizin të dashurohet me veten e tij, duke e parë vetveten çdo ditë në reflektimin e një pellgu uji. Duke mos e përmbushur dashurinë e tij me një person tjetër, ai kaq shumë u dashurua pas imazhit të tij, saqë një ditë ky imazh e tërhoqi në pellgun e ujit, ku edhe u mbyt, dhe perënditë e kthyen në një lule. Kjo lule quhet “Narciz”. Narcizi është një ilustrim mjaft poetik i filozofëve grekë për vetëpëlqimin dhe pasojat që ai ka në jetën e një individi të dashuruar me vetveten me një mënyrë të deformuar të egos (unit) së tij. Sipas psikologëve e psikiatërve, ndjekja e kënaqësisë ose admirimi egoist i cilësive të vetë personit quhet “narcizizëm”. Në teorinë psikoanalitike, “narcizizmi” është një koncept që u prezantua gjerësisht në esenë e Sigmund Freud-it “Për narcizizmin” (1914). Shoqata Amerikane e Psikiatrisë e ka pasur të klasifikuar “çrregullimin narcizistik të personalitetit” në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM), që nga viti 1968, duke u bazuar në konceptin historik të megalomanisë (mendjemadhësisë). Koncepti i egoizmit të tepruar (megalomania), ka qenë i njohur gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Në Greqinë e lashtë, ky koncept u kuptua si arrogancë, por vetëm kohët e fundit egoizmi është parë si narcizizëm dhe është përkufizuar në aspektin psikologjik. Por, në vetvete, narcizizmi nuk është i njëjtë me egocentrizmin. Trevor Pederson thotë për egoizmin se: “Në këtë rast, funksionon vetëm përparësia e individit kundrejt të tjerëve, por, kur flasim për narcizizmin, ne jemi vetvetja me veten. Ka dallim midis koncepteve të narcizizmit dhe egoizmit. Pra, narcizizmi mendoj se është plotësim i dëshirës së egoizmit, duke marrë kënaqësinë e tij epshore (të biesh në dashuri erotike me veten)”.
Më 1898, Havelock Ellis, psikolog anglez, përdori termin “Narcissus” në lidhje me “masturbimin” e tepruar, kur personi bëhet objekt i tij. Në vitin 1899, Paul Nacke ishte personi i parë që përdori termin “narcizizëm” në një studim për perversionet seksuale. Otto Rank, në vitin 1911, botoi gazetën e parë psikoanalitike, me fjalën specifike “Narcizizëm”, duke e lidhur atë me kotësinë dhe vetadmirimin. Në vitin 1923, Martin Buber botoi një ese me titull “Ich und Du (Unë dhe Ti)”, në të cilën ai vuri në dukje se narcizizmi ynë shpesh na shtyn të lidhemi me të tjerët si objekte e jo si subjekte. Sipas psikologëve, ka edhe narcizizëm të shëndetshëm, i cili lidhet me shëndetin e mirë psikologjik. Vetëbesimi punon si një ndërmjetës midis narcizizmit dhe shëndetit psikologjik, d.m.th. të duash veten, që të kujdesesh për të. Në lidhje me gjendjen patologjike, narcizizmi i shëndetshëm ka të bëjë me një ndjenjë të fortë të “dashurisë për veten”, që e mbron qenien njerëzore ndaj sëmundjes. Megjithatë individi duhet ta dojë tjetrin si subjekt të dashurisë, që të mos sëmuret nga vetmia. Individi sëmuret, si rezultat i frustrimit (zhgënjimit, acarimit) të krijuar, kur ai nuk është në gjendje të dojë subjektin, personin tjetër. Në narcizizmin e tillë patologjik, si çrregullimi narcizistik i personalitetit, libidoja (kënaqësia) e personit është larguar nga objektet dhe personat në botë dhe prodhon megalomaninë (madhështinë për veten) dhe dashurinë për veten. Krahas kuptimit parësor (vetëpëlqimi) dhe atij të shëndetshëm (vetëdashuria) të narcizizmit, ai zakonisht konsiderohet edhe si një problem në marrëdhëniet e një personi a grupi me veten dhe të tjerët. Narcizizmi është konsideruar gjithashtu si një problem social apo kulturor. Hotchkiss e ka identifikuar narcizizmin në ato që ajo i quajti “shtatë mëkatet vdekjeprurëse të narcizistit”: 1- Paturpësi, 2- Mendjemadhësi në të menduar, 3- Arrogancë, 4- Përbuzje ndaj të tjerëve, 5- E drejtë e veçantë mbi të tjerët, 6- Shfrytëzim, 7- Moskufizim për veprime egoiste. Edhe pse shumica e njerëzve kanë disa tipare narciziste, nivelet e larta të narcizizmit mund të manifestohen në një formë patologjike, si çrregullim personaliteti narcizistik (NPD), ku pacienti mbivlerëson aftësitë e tij dhe ka nevojë të tepruar për admirim dhe afirmim të vetes. Ky thuajse është koncepti i psikologëve e psikiatërve në shekujt XIX-XX për narcizizmin, por Shkrimi i Shenjtë (Bibla) i ka trajtuar këto devijime të personalitetit njerëzor shekuj më parë dhe, më e rëndësishmja është se Bibla na tregon shkakun kryesor të vetëpëlqimit (narcizizmit), që erdhi nga keqpërdorimi plot krenari i egos (unit) së dy njerëzve të parë dhe të të tjerëve pas tyre, të cilët u frymëzuan nga Eusfori, një kryeengjëll i rënë. Djalli (gënjeshtari) u injektoi njerëzve gabimin e tij.
Ja çfarë thuhet në Bibël për atë, i cili ra i pari nga krijesat në dashuri egoiste dhe vetëpëlqim, gjë e cila e çoi në rebelim kundër Zotit Perëndi në vendet qiellore dhe që për këtë arsye u dënua të bjerë në kaosin e hiçit: “E thuaji atij: Kështu thotë Zoti Perëndi: T’u rrit mendja për shkak të bukurisë, pasuria të bëri të humbësh urtinë; atëherë vetë të flaka përtokë, të vura para syve të mbretërve që të të shikojnë me përbuzje” (Ezekieli 28:17), “Të gjithë popujt që do të shohin, do të çuditen se çka të gjeti. Ti u bëre shenjë tmerrimi, humbe për jetë të jetës!” (Ezekieli 28:19). Sindromën e vetëpëlqimit djalli e injektoi te dy njerëzit e parë, të cilët i nxiti të hiqnin shikimin nga Perëndia e ta drejtonin drejt vetes, duke i futur mendimin krenar, se pa Perëndinë mund të bëheshin të pavdekshëm, hyjnorë. Kështu, mendimi krenar i çoi ata në kotësi e vetëpëlqim; në fillim Evën (gruan), e cila besoi me krenari naive se mund të bëhej perëndi në Eden, më lart se Adami (burri) që ta sundonte atë. Jo vetëm Bibla, por edhe mësuesit e Kishës, Etërit e shenjtë që e ekzaminuan shpirtin njerëzor nga ndriçimi i Perëndisë dhe përvoja personale, thonë se krenaria dëmton aftësinë tonë për të menduar, na bën të jemi injorantë (të paditur) dhe të paaftë për të menduar drejt për vetveten. Atëherë kotësia prek pjesën dëshiruese të shpirtit tonë, na bën të duam e të realizojmë ide të çmendura, që krenaria na sjell në mendje. Kotësia është ajo që u jep sinjal të gjitha mendimeve të kota, për të vazhduar më tej. Njerëzit që kanë shumë kotësi janë ata njerëz, të cilët nuk punojnë nga dashuria apo nga një nevojë e natyrshme, por për t’u njohur e pëlqyer nga të tjerët, njësoj si aktorët, që realisht nuk janë ata që duken në shfaqjet teatrale. Pra, me krenarinë, ne jemi krejtësisht të paditur se çfarë është vetja jonë, por me kotësinë ndërtojmë vullnetarisht një imazh të gënjeshtërt të asaj që jemi në të vërtetë. Ndërtojmë imazhin e vetes sonë, që të mund ta kundrojmë me kënaqësi të madhe, si Narcizi, që u dashurua me fytyrën e tij dhe “perënditë” vendosën ta shndërrojnë në një lule, që të rritej pranë ujërave të qeta e të kundronte në përjetësi imazhin e tij në ujë, por që, natyrisht, kjo ishte vdekja e tij si njeri. Dhe, kur ne ndërtojmë një imazh të vetes sonë, me qëllim që ta admirojnë të tjerët, kjo do të thotë gjithashtu vdekje për ne si person njerëzor. Vetja jonë e vërtetë varroset në një varr të vogël të ndërtuar në zemrën tonë të prishur, të cilën tanimë e kontrollon kotësia e ku askush nuk dëgjon asgjë prej vetvetes, sepse ka dalë nga vetja reale. Prandaj dhe shën Joani i Shkallës (shek. VII) thotë: “Lavdia e kotë është ndryshimi i natyrës, një perversion (neveritje, shtrembërim) i karakterit, harxhimi i kotë i mundimeve, shpërdorimi i djersës së derdhur”.
E keqja është se njeriu lind i infektuar me narcizizmin, me vetëpëlqimin e trashëguar nga ADN prindërit si një deformim i psikikës. Këtë e vërejmë që në moshën fëmijërore dhe, në qoftë se nuk bëhet kujdes nga prindërit dhe vetvetja sipas moshës, atëherë fara e vetëpëlqimit zhvillohet dhe bëhet një gjembaç që shpon çdo njeri që i afrohet, por më shumë vetë veten e tij. Në sytë e tij, njeriu mund të duket i madh, i ditur, i bukur, por çfarë thuhet për atë në Shkrimin e Shenjtë? “Sepse ti thua: Unë jam i pasur, u pasurova dhe s`kam nevojë për asgjë; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur”(Zbulesa 3:17). Kurse për bukurinë e jashtme pozante të fytyrës së gruas, që nuk korrespondon me pamjen e brendshme të shpirtit të saj, thuhet: “Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend”(Fjalët e Urta 11:22). Dhe po ashtu, për kotësinë e tërë jetës tokësore me shkëlqimin e saj të rremë, thuhet përsëri: “Ditët e njeriut janë si bari, lulëzon porsi lulja e fushës. Se fryn era mbi të dhe s’është më dhe nuk dihet më se ku e ka pasur vendin” (Psalmi 102:15-16). Pra, thamë se të gjithë njerëzit janë pak a shumë narcizistë, të sëmurë me këtë sëmundje patologjike, që transmetohet në breza nga mëkati stërgjyshor-prindëror dhe personal. Kjo gjendje e narcizizmit vazhdon derisa të çlirohemi nga imazhi i gënjeshtërt për veten e të njohim veten se jemi njerëz të vdekshëm, të pendohemi për mëkatin e krenarisë, që është shkaku i narcizizmit, e të kërkojmë mjekun. Mjeku nuk mund të jetë thjesht një psikolog ose psikiatër, pavarësisht nga respekti për shkencën e psikologjisë dhe mjekësisë. Ato, në vetvete, janë të paafta për ta shëruar plotësisht këtë patologji, sepse, që të shërohet një sëmundje, nuk mjafton vetëm konstatimi i saj, por gjetja e shkak-pasojës dhe më pas e ilaçit të duhur. Njeriu me patologjinë e narcizizmit mendon se është zot i vetes së tij ose njerizot. Por kjo, sado e dëshirueshme që mund të jetë, është e pamundur, sepse njeriu në fund bie nga “piedestali” që e kishte lartësuar vetveten dhe në fund vdes dhe varroset. Kështu, i vdekshmi nuk mund të ngjallë të vdekshmin dhe pacienti nuk mund të shërojë pacientin. Në të kundërt, Perëndia, që është i pavdekshëm, i përsosur dhe i gjithëfuqishëm, mund ta shërojë njeriun nga sëmundja vdekjeprurëse e vetëpëlqimit, duke i mësuar të vërtetën e realitetit njerëzor dhe duke i dhuruar, si ilaç për krenarinë, të kundërtën: një mendje të përulur. Perëndia i ndihmon njerëzit që të çlirohen nga narcizizmi, kur ata dëgjojnë dhe pranojnë si shpëtimtar Birin e Perëndisë, Zotin-Njeri, Jisu Krishtin, “i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit (përulësia e përsosur)” (Filipianve 2:6-7).
Ai i fton të gjithë njerëzit, pa dallim: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” (Mateu 11:28- 30). “Sepse pa mua nuk bëni dot asgjë” (Joani 15:5). Edhe Kisha, si trupi i Krishtit, këtë mision ka: ajo është një spital që me anën e klerit (infermierët) i drejton njerëzit e sëmurë nga krenaria, egoizmi, vetëpëlqimi, për te Zoti Krisht(Mjeku i Madh), me anën e Mistereve të shenjta. Njëri prej tyre shumë efikas për shërimin e vetëpëlqimin(narcizizmit), është dhe ai i Pendim-Rrëfimit, i cili kryhet me ndihmën dhe përpara një ati rrëfyes, që jo vetëm e konstaton sëmundjen e narcizizmit, por edhe transmeton Hirin e Perëndisë në emër të Krishtit, që fal mëkatin e krenarisë dhe është i domosdoshëm për shërimin e kësaj sëmundjeje patologjike me të gjithë pasojat e saja. Prandaj mund të themi se ati rrëfyes është edhe psikolog, por psikologu nuk është një atë rrëfyes, kështu ai nuk mund të japë shërimin e plotë nga vetvetja e tij, te pacienti narcizist. Te Fjalët e Urta thuhet: “Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij, shtrin një rrjetë në hapat e tij (Fjalët e Urta 29:5). Lajkat e frymëzojnë dhe e shtojnë dozën e narcizizmit. Dhe është një koincidencë se si fjala “like” në rrjetet e ndryshme sociale, mund të tingëllojë “lajkë” në gjuhën shqipe. Këtu e kam fjalën, p.sh. për fotografitë që postojmë, dhe jo për çdo fotografi, por për ato raste kur teprohet në ekspozimin e vetes, gjë që vjen nga një vetëpëlqim i lidhur me narcizizmin. Kjo është bërë në mënyrë të pavetëdijshme një varësi, një problem psikologjik, një patologji e njerëzve që keqpërdorin portalet e rrjeteve sociale. Për shembull, ka individë që e nisin ditën duke vetëpozuar para mikrokamerës së celularit e duke bërë selfie (fotografi të vetvetes) sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që midis tyre të gjejnë fotografi të përshtatshme për postimin e radhës, duke pritur reagimin e të tjerëve, ose në mungesë të fansave, kënaqen duke parë vetveten. Shumë postojnë foto pa u menduar, me nxitim, mjafton që të tërheqin like-t e të tjerëve. Kam dëgjuar se dikush bënte rreth dyqind selfie në mëngjes, për të zgjedhur një ose disa për portalin e vet. Shpeshherë pamjet janë sa qesharake, aq edhe të trishtueshme; pozimi shpeshherë vjen me ngërdheshje ose me poza ekstravagante deri në “striptizëm”, vetëm për të tërhequr sa më shumë interes te të tjerët, për të ushqyer vetëpëlqimin(narcizizmin). Këtu kemi një krizë identiteti personal të individit, duke dalë jashtë vetvetes reale, se kush jemi me të vërtetë. Kjo gjë na bën qesharakë te të tjerët që na njohin se kush jemi ne.
Krahas kësaj, prindërit ekspozojnë pa kriter edhe fëmijët e tyre në “Facebook”, vetëm për t’u mburrur, dhe këtu shfaqet narcizizmi prindëror. Me këto veprime prindërit u mësojnë diçka të gabuar fëmijëve, vetëpëlqimin (narcizizmin), të cilët e përvetësojnë nga imitimi i shembullit të prindërve të tyre. Përveç kësaj ka shumë rreziqe të tjera për fëmijët që i reklamojmë në rrjetet sociale, të cilat nuk po i përmendim këtu. Mendoj se ky fenomen, që po na infekton përditë e më shumë, është tregues se brezi i sotëm po bëhet gjithnjë e më tepër egoist, me vetëpëlqim dhe dashuri për veten, duke ndaluar së qeni një qenie shoqërore normale në komunikim me të tjerët, madje edhe ato më intime, në çift. Ashtu si profetizoi apostulli i kombeve, Pavli: “Dhe brezi i fundit do të jetë egoist”. Ky fenomen po na shkatërron, rrënon si individë dhe si shoqëri. “Sepse është e pamundur që dikush që është i robëruar nga dashuria për duartrokitje, të mendojë ose të bëjë diçka fisnike dhe të madhe. Ai duhet të jetë i ulët, i keq, i pandershëm, i vogël, mendjengushtë”, thotë shën Joan Gojarti (shek. IV). Teknologjia e komunikimit online (siç është “Facebook”-u, “Instagram”- i etj.) sot ka një shtrirje në gjithë globin. Sipas faqes “Zephoria.com” informohemi se deri në gusht të 2015-ës, gati 1.5 miliardë persona përdorin llogarinë e tyre në “Facebook”, ku vetëm në Shqipëri janë 1.3 milionë përdorues, 44.9% e popullsisë. Pra një deri në shtatë njerëz në të gjithë botën përdorin “Facebook”-un. Gjatë një dite, 4.5 miliardë përdorin butonin like, 30% e personave janë 23-24 vjeç, 47% meshkuj dhe 53% femra. 50% e personave nga mosha 18–24 vjeç futen në “Facebook” sapo zgjohen nga gjumi dhe çdo minutë publikohen 293 mijë statuse. Në 1 minutë postohen 136 mijë fotografi dhe në një ditë 300 milionë, çdo sekondë hapen pesë profile të reja. Kjo shpikje për komunikim, pavarësisht se është një arritje e madhe e teknologjisë moderne për njerëzimin, në vetvete a nuk është as e mirë dhe as e keqe, sepse varet nga mënyra se si e përdorim. Ne mund ta përdorim atë si një pellg uji, ku thjesht mund të shohim çdo ditë veten, duke u dashuruar me të deri në perversion, dhe pastaj të mbytemi e të vdesim si njerëz të natyrshëm në pellgun e marrëzisë dhe egoizmit, si Narcizi i mitologjisë, ose mund ta përdorim si një pasqyrë, nëpërmjet së cilës të reflektojmë, me përulësi dhe dallim, dashurinë e shëndetshme për veten dhe për të tjerët, dhe të kontribuojmë për të mirën e të gjithëve, ashtu si thuhet në Shkrimin e Shenjtë: “Duaje tjetrin si veten”.(Mar 12-31)
* Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, KOASH
(ed.me/GSH/BalkanWeb)