LAÇ- Policia ka vënë në pranga djalin e kryebashkiakut të Kurbinit, Kejvi Bardhi pas aksidentit të djeshëm, ku përplasi një makinë policie. Burime për BalkanWeb bëjnë të ditur se 20-vjeçari fshihej në kryeqytet dhe është arrestuar nga policia e Tiranës.
Djali i kreut të Bashkisë së Kurbinit, Artur Bardhi, teksa ecte me shpejtësi, aksidentoi një automjet policie në kryqëzim dhe dy mjete të tjera, duke plagosur rëndë efektivin e Policisë.
Përplasja ndodhi pranë fshatin Gjorm rreth orës 11:30 të së enjtes.
“Janë përplasur Benz me targë AA 111 OU ku drejtues dyshohet shtetasi K.B. i cili është larguar nga vendi i ngjarjes. Ford me targë AA 602 CH me drejtues shtetasi F.A. Mjeti i policisë Lezhë me targë Policia 2024”, thuhej në njoftimin e Policisë së Lezhës.
Kevi Bardhi djali i kryebashkiakut socialist që drejton Bashkinë e Laçit udhëtonte sot me shpejtësi të lartë në aksin rrugor Fushë Krujë-Milot e për pasojë ka përplasur nga mbrapa makinën e policisë që mbante radarin.
Nga postimet që 20-vjeçari bën në rrjetet sociale duket i fiksuar pas makinave të shtrenjta. Ai shfaqet shpesh në timonin e mjeteve si “Benz” e “Audi” por pozon edhe para tyre. Në një foto ai madje ngre edhe dy gishtat lart, në një kokë që i ati është socialist.
Kujtojmë që babai i tij, Artur Bardhi, kryetar i Bashkisë së Kurbinit, ka pranuar në Formularin e Dekriminalizimit se, para se të njihej me gjeneralitetet që mban sot, ka mbajtur respektivisht katër emra dhe mbiemra të ndryshëm Gentian Lila, Altin Tanushi, Gent Bushi, në Bashki e njohin dhe firmos si Artur Bardhi, ndërsa në çertifikatë është Artur Ndoi, i biri i Ndues dhe Gjelës.
Në formularin e vetëdeklarimit në KQZ për efekt të ligjit të dekriminalizimit, kryabashkiaku i Kurbinit, Bardhi, e ka pranuar vetë se ka përdorur katër emra të ndryshëm.
Këto 4 emra ai i ka vendosur në seksionin “emra të padokumentuara”, por nuk dihet përse i janë dashur 4 emra.
(m.k/BalkanWeb)