TIRANË- Pas publikimit të audio-përgjimit të mbrëmshëm, ku kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi i kërkonte favore seksuale një gruaje 40-vjeçare në këmbim të vendosjes së drejtësisë për një çështje pronësie që gruaja kishte në gjykatë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos të shkarkojë këtë të fundit.

Mësohet e KLD-ja u mblodh sot pas kërkesës së Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, për të votuar në unanimitet shkarkimin e Guximtar Boçit nga detyra. Po sot, KLD-ja vendosi ta pezullojë atë si gjykatës deri në përfundim të hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për akuzën e korrupsionit.

DENONCIMI NË STOP
Audio-përgjimi i publikuar mbrëmë në emisionin investigativ ‘Stop” tregon rastin e kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boci i cili i kërkon seks një qytetareje në këmbim të drejtësisë. Denoncuesja kishte një çështje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër dhe ka kërkuar takim me kreun e saj, Guximtar Boci. Por në zyrën e tij, kryetari tenton ta puthë dhe i bën ofertë seksuale. Ndërsa refuzon të bëjë seks me kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës, 40-vjeçarja humb çështjen. Ajo thotë se dështimi i saj, ka të bëjë me refuzimin, që i bëri kryetarit të gjykatës. Këtë shqetësim qytetarja ia shpreh edhe gjyqtares së çështjes me emrin Blerta, duke i rrëfyer mbi vardisjen e kryetarit. Kjo e fundit pranon, se fillimisht kryetari, Guximtar Boci, ishte interesuar për dosjen në fjalë, por më pas jo më.

DEKLARATA E MANJANIT
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi sot se Boçi ka dëmtuar rëndë autoritetin dhe figurën e gjyqtarit, duke paralajmëruar kështu shkarkimin. “KLD do të veprojë për rastin e gjyqtarit Guximtar Boçi. Gjyqtari nuk mund të jetë më në trupën gjyqësore, do të kërkoj pezullim të kreut të Gjykatës, pasi ka cenuar rëndë autoritetin dhe figurën e gjyqtarit. Do ketë mbledhje të KLD deri në krijimin e KLGJ-së”, tha ministri Manjani.

REAGIMI I PARE I KRYEGJYQTARIT
Publikimi i skandalit seksual në emisionin “Stop” u bë në një ditë dhe orar kur po zhvillohej ceremonia e martesës së vajzës së madhe të kryegjyqtarit të Gjirokastrës, Guximtar Boçi. Mësohet se ceremonia nisi rreth orës 16:00 deri rreth orës 20:30, në qytetin e Gjirokastrës. Gjyqtari Boçi paraprakisht ka mohuar ta ketë kontaktuar ndonjëherë gruan që ka kryer denoncimin pranë emisionit investigativ dhe se e hedh poshtë me neveri një bisedë të tillë. Ai deklaroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: