Denoncuesja e skandalit seksual të kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës u jep hetuesve detaje të reja në lidhje me ngjarjen. Rudina I., 40 vjeçe, u ka thënë dy hetuesve të Prokurorisë që e morën në pyetje në Gjirokastër se është takuar me kryegjyqtarin tri herë, një herë në zyrën e tij dhe dy herë jashtë gjykatës, në lokale të ndryshme. Nëna e dy fëmijëve u ka thënë hetuesve se ka pasur konflikte pronësie në familje, të cilat janë bërë shkak për padinë civile që ajo kishte bërë në Gjykatën e Gjirokastrës, në datën 20 janar 2014. Si pasojë e këtyre konflikteve, Rudina I. ka thënë se mbeti pa strehë bashkë me dy fëmijët e saj. Duke qenë se, sipas saj, është detyruar të shkojë te prindërit për shkak të konflikteve me ish-vjehrrën, pasi ka bërë padinë e pronësisë në Gjykatë, ka qenë babai që e ka orientuar Rudina I. që të takonte kryetarin e Gjykatës, Guximtar Boçin, duke qenë se ata njiheshin mes tyre.
TAKIMET ME GJYQTARIN
Në dëshminë e saj, gruaja 40-vjeçare ka bërë me dije se pasi kishte bërë padinë dhe çështja ishte në shqyrtim, u takua me kreun e Gjykatës në zyrën e tij dhe e njoftoi për padinë që kishte bërë, duke e vënë në dijeni se çështja po shqyrtohej nga gjyqtarja Blerta Çibuku. Në dëshminë e vet, 40-vjeçarja u ka thënë hetuesve se kryetari i Gjykatës filloi ta provokonte që në takimin e parë në zyrë. Gjatë këtij takimi, sipas gruas, kryetari i Gjykatës në një moment i është afruar asaj, ka tentuar ta prekë dhe ta puthë, por ajo është larguar. Ngacmimet, sipas dëshmitares, kanë arritur kulmin në takimin e dytë në një lokal, ku me gjithë kërkesën e vazhdueshme të Guximtar Boçit, ajo ka refuzuar lidhjen intime. Në këtë mënyrë, denoncuesja e skandalit ka hedhur dyshimet e saj se pasi refuzoi kryegjyqtarin e Gjirokastrës, ai ndikoi më pas te kolegia e tij, Blerta Çibuku, e cila dha vendim kundër Rudina I. Ky vendim ndërkohë u la në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës dhe denoncuesja u ka thënë hetuesve se ka dyshime se edhe në Apel, ka qenë kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës që ka ndikuar për një vendimmarrje kundër saj, pasi në takimet e para i kishte thënë se “do ta ndihmonte edhe në Apel”. Sipas Prokurorisë, biseda mes gruas e gjyqtarit është regjistruar në vitin 2015. Prokuroria ka sekuestruar pamjet e kamerave brenda Gjykatës së Gjirokastrës dhe po ashtu ka marrë në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë. Grupi i hetimit ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave nga lokalet ku është takuar Rudina I. me kryetarin e Gjykatës.
Nga ana tjetër, 40-vjeçarja u ka shpjeguar hetuesve se prej 3 vitesh dhunohet dhe kërcënohet nga ish-vjehrra e saj, Merushe Makri. Rudina I. ka thënë se ka kërkuar tri herë urdhër mbrojtjeje në Policinë e Gjirokastrës nga vjehrra, duke e akuzuar se ajo e dhunonte për shkak të konfliktit të pronësisë. Pretendimet për dhunë duket se kanë qenë të dyanshme, pasi në Gjykatën e Gjirokastrës hetuesit kanë gjetur së paku 7 urdhra mbrojtjeje që vjehrra Merushe Makri e ish-burri Mihal Makri kanë kërkuar ndaj Rudina I. nga viti 2013 e në vazhdim./panorama
(ed.me/BalkanWeb)