Agjentë të dy shërbimeve sekrete kanë ardhur ditët e fundit në Tiranë, ku kanë zhvilluar takime të vazhdueshme me zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Shtetit, kryesisht me ata të Antiterrorit. Mësohet se agjentë të MOSAD dhe të një shërbimi tjetër sekret kanë zbarkuar në Shqipëri për hetimet e xhihadistëve të arrestuar pak ditë më parë në qytetin e Shkodrës. Lavdërim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi dyshohet se janë personat që kanë dhënë urdhëra për sulme terroriste në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Sipas raportimeve në media, dy të dyshuarit, të cilët janë shumë aktiv si pjesë e celulave terroriste ISIS gjatë luftimeve në Siri dhe Irak, kanë patur komunikim të vazhdueshëm me shtetasit shqiptar nga Kosova, disa prej tyre tashmë të arrestuar ditëve të fundit. Burimet thanë se gjatë këtyre komunikimeve, është arritur transkiptohen disa biseda, ku është kërkuar që të organizohet një sulm me eksploziv dhe më pas me armë në stadiumin “Loro Borçi të Shkodrës, gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael.

ARRESTIMET NE SHKODER
Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se agjentët e huaj u kanë dhënë hetuesve të vendit tonë disa emra të shoqëruar me fotot përkatëse të disa personave që dyshohen për prirje radikale, si dhe persona që bashkëpunonin me shtetasit Xhezair Fishti, Ergys Faslia, Bekim Protopapa dhe Medat Hasani, të cilët u arrestuan në Shkodër nga Antiterrori. Sipas të njëjtave burimeve, raportohet se në këtë qytet u arrestuan 9 persona, që dyshohet se bashkëpunonin me njëri-tjetrin për rekrutime në Siri, por 5 prej tyre iu dërguan autoriteteve në Kosovë nën masa të rrepta sigurie. Ndërsa, katër personat e tjerë aktualisht ndodhen në paraburgim në vendin tonë, pasi gjykata me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”.

Për këta persona, prokurorët e çështjes kanë prova të forta se do të kryenin akte terroriste në vendin tonë. Nga përgjimet ka rezultuar se nga bisedat që personat e arrestuar kanë kryer me njëri-tjetrin, kanë pohuar se do të vepronin e do të godisnin shumë shpejt. Për këtë arsye, mësohet se ndalimi i imamit të vetëshpallur Xhezair Fishti,berberit Ergys Faslia, mjekut të Malësisë së Madhe Bekim Protopapa, Medat Hasani, por edhe personave të tjerë u bë vetëm pak orë para se në Shkodër të zhvillohej mesha e lumturimit për 38 martirë katolikë të torturuar e vrarë nga regjimi komunist.

Pikërisht gjatë kësaj meshe, prokurorët kishin dyshime se grupi i xhihadistëve mund të kishte planifikuar ndonjë sulm terrorist. Ndërsa, sulmi tjetër dyshohej se do të kryhej gjatë ndeshjes Shqipëri- Izrael, e cila do të luhej në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Pas këtij dyshimi u vendos që ndeshja të luhej në stadiumin “Elbasan Arena”. Ndërkaq, nga hetimet ka rezultuar se urdhrat për sulme terroriste në vendin tonë janë dhënë nga disa shtetas kosovarë, të cilët luftojnë në Siri përkrahë ISIS-it.

Pas vënies në pranga të personave të lartpërmendur, ata u morën në pyetje nga prokurorë të Krimeve të Rënda dhe asnjëri prej tyre nuk i ka pranuar akuzat. Të njëjtin qëndrim ata mbajtën edhe para togave të zeza gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura. Dyshimet se grupi në fjalë mund të kryente akte të përgjakshme gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael, e cila do të luhej në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës u shtuan pas përgjimit të disa bisedave të tjera, ku të dyshuarit shpreheshin se, “do të marrim hak për vëllezërit tanë myslimanë”.

Me qëllim marrjen e masave për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Izrael, UEFA ka vendosur që ajo të luhet në “Elbasan Arena”. Agjentët e shërbimeve të huaja bashkëpunuan me SHISH e Policinë e Shtetit për hartimin e planit të masave. Nga ana tjetër, asnjëri prej katër të dyshuarve nuk ka pranuar akuzat duke pretenduar se po persekutohen për shkak të besimit. Prej ditësh ata po mbahen të izoluar nën masa të rrepta sigurie.

Kujtojmë se një vit më parë Parisi u vu në një “shtetrrethim” të përkohshëm pas ngjarjeve terroriste që tronditën kryeqytetin francez, me 7 sulme të koordinuara në zemër të qytetit, që lanë të paktën mbi 158 viktima.

Tmerri i vërtetë ndodhi në sallën e koncerteve “Bataclan”, ku u vranë 118 persona, të cilët fillimisht u morën peng dhe më pas u ekzekutuan nga tre pengmarrësit. Forcat e policisë bastisën sallën, duke ekzekutuar pengmarrësit, ndërsa liruan pengjet e mbetur.

Fillimisht u raportua për të shtëna brenda restorantit “Petit Cambodge” në “Rue Bichat”, ku mbetën të vdekur 11 persona, ndërsa pak më vonë ndodhën dy shpërthime pranë stadiumit “Stade de France”, ku po zhvillohej ndeshja miqësore mes Francës dhe Gjermanisë.

Të shtëna dhe shpërthime bombash janë dëgjuar edhe në galerinë e artit “Louvre”, si dhe në dy qendra tregtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: