NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE– Të shkruarit e një libri është shtatzëni mendore, kur e për fundon nuk dua të shoh tastierë”. Romani i ri “Po shkoj të kap Enisin” shtrihet në vitin 2021 – një shtrat i largët dhe i huaj e i ftohtë nga emrat e ditës, një rrëfim për letërsinë, frojdizmin, erosin e turpin. Profesor Edmond Tupjen e gjeje çdo ditë të panairit në stendën e “Pegit”, ku herë jepte autografe, herë fliste me vizitorët, e ndonjë copë here, bisedonte me fqinjin e tij në stendën përkarshi, Ben Blushin. Të dy i vendosin ngjarjet e librave të tyre në vitin 2021.

Tupja thotë se është thjesht rastësi. “Pseudoromani” i tij, siç e cilëson vetë, “Po shkoj të kap Enisin”, është një triller, një histori dashurie ku një inspektore e bukur policie dashurohet me keqbërësin. Më tej, është një Robin Hood i pamundur dhe shumë personazhe që mund t’i gjejmë mes nesh, ndërsa në libër janë me emra të tjerë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai rrëfen romanin dhe autorin, ku ndahen e ku ngërthehen, ku është lexuesi i mirë, e ku është shkrimtari i vëmendshëm, pa lënë jashtë bisedës, as “parajsën që është e bukur, por që kush e ka parë dhe u kthye të na tregojë”, damkën e turpit e të lirisë, e jo vetëm.

– Sa kohë ju është dashur për ta shkruar ‘pseudoromanin’ “Po shkoj të kap Enisin”?
Librin e kam shkruar për katër muaj dhe për ta bërë letërsi m’u deshën edhe pesë a gjashtë muaj të tjerë. Kam parasysh, që m’u desh kjo kohë që ta rregulloja, duhej punuar e limuar. Jo se kishte ujëra, po vende-vende e kam lexuar me zë të lartë, si Floberi, që ta dëgjoja si tingëllonte. Floberi lexonte në tarracë me zë të lartë – unë jo aq shumë, sepse nuk kam pasur kohë, por kam pasur fatin e madh që me Loreta Berhamin botuese, libri im ka kaluar në sitën e 4 palë syve, korrektore e redaktore dhe më kanë bërë vërejtje shumë me vend.

– I mirëprisni vërejtjet e redaktoreve?
Oh, po. Jam i rrallë. Aida Baro, kryeredaktorja e librit “Vajzat e Ballkonit”, më ka sugjeruar edhe spostime paragrafësh. Një paragraf me 10 rreshta, më sugjeroi ta çoja në fund, një kapitull më tej, se e ke më të fortë se pjesën tjetër, dhe ajo duhet të vijë kreshendo, në rritje. Kishte të drejtë. Në dy vende unë e spostova paragrafin.

– Pse i vini ngjarjet në vitin 2021?
Sepse kam dashur të shmang çdo ngjashmëri me persona të sotëm. Nuk doja ta vija shënimin e zakonshëm që “çdo ngjashmëri është e rastësishme…” se ajo kuptohet që ka. Dua që ta nxjerrë konkluzionin vetë lexuesi, ka ngjashmëri a jo, me Shqipërinë e ditëve tona. Për koinçidencë, viti 2021 është përdorur edhe nga unë edhe nga Ben Blushi me “Kryeministrin” e tij. Dhe kemi shumë afinitet mendimesh e shijesh.

– Sërish, kuptohet se disa nga personazhet tuaja janë të frymëzuar nga realiteti i sotëm i Shqipërisë, apo jo?
Jo disa, të gjithë.

– Keni pasur qëllim të denonconi situatën politike apo ekonomike, çfarë konkretisht?
Jooo, unë shkruaj se më vjen të shkruaj. Mesazhet i nxjerr lexuesi. E kam thënë disa herë se unë nuk shkruaj libra me mesazhe, unë shkruaj për teza e për tema. Lexuesi duke lexuar le të kapë mesazhet që mendon se i kap dhe kështu lexuesi në këtë mënyrë bëhet bashkëpunëtor me mua, jo bashkëfajtor, megjithëse, deri diku edhe bashkëfajtor mund të jetë; por bëhet bashkëpunëtor në kuptimin që deri diku ai kthehet në bashkautor, ai rishkruan librin tim në kokën e tij. E rindërton, e shpërbën, për ta ribërë. Kjo është gjëja më e bukur për lexuesin dhe për mua, sepse ai hyn në tekstin tim, merr nga teksti im dhe e rindërton atë, duke u bërë si bleta. Unë nuk po them që të gjithë librat e mi janë mjaltë, apo nektar, por merr diçka. Më intereson kjo: marrëdhënia me lexuesin është shumë më e fortë kur ai lexon; është i pranishëm ai dhe jam edhe unë, ai futet në librin tim. Është më i fortë ai takim se sa një takim me lexuesin, a kur je në panair.

– Sepse është më intim leximi?
Po, është më shumë intim, sepse pasi përballet me mua, ai përballet edhe me veten e vet. Kjo është shumë interesante. Unë kur lexoj, ose kur lexoja, kam mundur dhe jam pasuruar nga leximet e mia – pikërisht kështu – jam bërë bashkautor përmes leximit.

– Enisi, një personazh pak Robin Hood e pak i fortë, a ka gjasa të ekzistojë vërtet në Shqipëri? Apo, edhe nëse nuk është, na duhet ta krijojmë atë po nuk qe?
Nuk mund të kalosh nga kriminel të bëhesh filantrop- bamirës. Fazë e ndërmjetme duhet të jetë robinhudizmi, them unë, por kjo është fantazi e imja. Këtu ndërhyn kultura ime e të lexuarit. Do kisha pasur qejf që të kishim një Robin Hood. Gjysma e së keqes po ta kishim. Po prapë është i rrezikshëm, sepse është i jashtëligjshëm – ai do vrasë shpërndarësin e drogës, por duhet gjykuar, s’ka vetëgjyqësi. Këtij personazhi i kundërvihet Jehona.

– Përtej bukurisë, pse duhet dashuruar Jehona?
Sepse ka pasur babanë polic dhe ia vranë para kohe. Ajo shkëputet nga tërheqja për të atin. Kjo është skema frojdiane, kompleksi i Elektrës. Unë jam marrë me fëmijërinë e personazheve, siç jam marrë te “Vajzat e ballkonit”.

– Për t’u marrë me botëkuptimin dhe formimin e personazheve?
Jo, nuk shkoj aq larg. I marr personazhet e më intereson të inspektoj e të gërmoj, të zhbiriloj në fëmijërinë e tyre, kjo është skema frojdiane e unë jam frojdian; për të parë se si ata i kalojnë këto etapa të fëmijërisë së hershme dhe sa gjurmë lë fëmijëria deri në 6 vjeç te njeriu. Është një psikolog amerikan që ka bërë një libër “Gjithçka luhet para moshës 6 vjeç”, çka bëri skandal. Si është e mundur? E kotë atëherë që i çojmë fëmijët në shkollë të mesme – jo thotë ai – kjo është koha kur vihen kolonat e personalitetit, ose shtyllat. Unë them që deri në 13, vijnë disa shtylla ndihmë, ndërsa pas kësaj moshe, bëhen vetëm mbushje me tulla.

– Pra, përmes kësaj teorie e hedhim poshtë rimishërimin dhe të rimarrët e asaj çka kemi dhënë?
Oh, rimishërimi- unë jam ateist. Rimishërimi është i bukur, është tundues, parajsa po ashtu – shumë interesante – megjithëse, nuk ka shkuar njeri atje që të rikthehet.

– Cili ka qenë personazhi që ju ka kushtuar më shumë mund?
Mua libri më lodh, më lodh shumë. Është një lloj shtatzënie mendore. Kur del më në fund libri, je i gëzuar pa fund, por je i dërrmuar. Nuk kam dëshirë të prek tastierë me dorë. Pastaj, unë e marr veten seriozisht, nuk mund të shkruaj tri libra në ditë, nuk ka pulë që bën tri vezë në ditë. Një filozof latin thotë se duhet nxituar me ngadalë. E shkrova për katër muaj dhe m’u deshën më shumë se kaq që ta bëja letërsi.

– Ju përmendet frojdizmin, por njiheni edhe si lëvrues e mjeshtër i erotizmit në Shqipëri, a mendoni se kuptohet vërtet ky zhanër te ne?
Jam autor erotik, jo pornografik. Ka disa momente, disa skena të aktit seksual, që në përshkrim unë fus elementë që mund të duken si diçka si erotike, por janë të pashmangshëm. Ka një kufi ndonjëherë…

– Sa kuptohet, e sa pranohet?
Në fillim fare, kur botova fjalorin erotik, në vitin 2004, gjysma e njerëzve mendonin se unë jam i çmendur, gjysma tjetër mendonin se unë jam kurvar. Fjala tamam. Ma kanë thënë studentët e mi. Madje, njëri që ishte student i mirë, më tha: që gjysma e klasës mendojnë se jeni i çmendur e gjysma se jeni kurvar. Unë në fakt, nuk isha as njëra e as tjetra.

– Po mësohemi me erotizmin sipas jush?
Po, po. Blendi Salaj më tha që tani ta “vunë vulën, damkën e lirisë”, tani njerëzit u mësuan me ty dhe t’i je i lirë të thuash ç’të duash. Më gjithë mend ka të drejtë, më mirë të të dalë nami, se sa syri. Çudia më e madhe zgjat tri ditë. Gratë, femrat janë të më guximshme. Për fjalorin erotik, shumica thoshin “ja ky”. Një vlonjate, një labe më tha: “Të lumtë dora profesor” (me theks Vlore), ishte si ata që thonë: “të dua moj qëne”. Edhe një polic vlonjat më tha “kur do e nxjerrësh në librari atë librin?”. Vlonjatët e shkodranët janë më të lirë, më të emancipuar. Durrësi më pak, Gjirokastra deri diku, Korça… hmm nuk është keq.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: