Nga Miron Çako
Jetojmë në shekullin XXI, “koha e konsumit”. Në të vërtetë sot në botë , për shkak të zhvillimit të teknologjisë ushqimore, nuk ka pasur asnjeherë kaq sasi dhe shumëllojshmëri ushqimesh për t‘u konsumuar nga njerëzit, prandaj edhe koha ku jetojmë quhet “koha e konsumit. Por përsëri në glob ekziston ende varfëria e cila i mban në kthetrat e saj një kategori dhe grup njerëzish, të cilët jetojnë me minimumin jetik, ose rrezikojnë të vdesin nga etja dhe uria. Varfëria si plagë sociale, vjen nga shumë shkaqe, shkaktuar kryesisht nga katastrofat natyrore, pamjaftueshmëri e burimeve ushqimore, largimi nga zonat rurale (fshatrat), mbipopullimi i zonave urbane (qyteteve), ekspasion ekonomik i shteteve të pasura ndaj atyre të varfëra, nga keqmenaxhimi i qeverive përkatëse, padrejtësia, papunësia, nga luftrat etj.
Statistikat janë të trishtueshme. Nga sondazhet e shumta të kryera nga shoqatat sensibilizuese rezulton se 925 milion individë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Rreth 1 miliardë njerëz shtrihen për të fjetur çdo natë të uritur. Varfërinë ekstreme mund ta quajmë një nga format e terrorizmit të sotëm global , mos më e keqja, sepse varfëria e imponuar, depersonalizon viktimat e saj, të cilët të shtrënguar nga krizat e urisë përfundojnë deri aty sa kërkojnë për “ushqim” mbeturinat që klasifikohen si plehra në kazanë dhe landfillet duke ulur dinjitetin njerëzor, si në atë të kafshës, që presin thërimet, që bien nga tryeza e zotërinjve. Kjo gjendje sociale çnjerëzore i detyron njerëzit të bëjnë punë të zeza të ulta, të pista të pamoralshme, vetëm për një copë bukë. Situata bëhet më tragjike kur urinë e vuajnë dhe fëmijët që lindin nga prindër të varfër në vende të varfëra dhe për shkak të kequshqyerjes, urisë dhe etjes bëhen viktima të vdekjes që foshnje, ose fëmijë të vegjël. Sipas statistikave; 1 në 6 fëmijë lindin nën peshë. Përveç kësaj uria shkakton vdekjen e 2.6 milion fëmijëve në mbarë rruzullin tokësor çdo vit dhe çdo 3 sekonda një fëmijë vdes si pasoje e urisë.
Nga statistikat globale edhe vendi ynë i cili ka nivelin më të ulët ekonomik në rajon nuk i shmanget dot varfërisë dhe urisë. Sipas Bankës Botërore, 45/5 e popullsisë në Shqipëri jetojnë në kufirin e varfërisë me 5 dollar në ditë, kjo përqindje e popullsisë që jeton me këto të ardhura në vendet të tjera të rajonit është më e ulët.
Të gjithë këta të varfër nuk janë viktima thjesht të fatit, sepse fati nuk ekziston, por në përgjithësi janë viktimat e indiferencës shoqërore dhe më keq të egoizmit dhe lakmisë së njerëzve të pangopur të cilët jo vetëm mendojnë për vete, por marrin dhe atë që u takon të tjerëve siç thuhet në Bibël: “Disa zhvendosin kufijtë, marrin me forcë kopetë dhe i çojnë në kullotë, u marrin gomarin jetimëve dhe marrin peng kaun e gruas së ve; i shtyjnë jashtë rruge nevojtarët, kështu tërë të varfrit e vendit janë të detyruar të fshihen.” (Jobi. 24: 2-4) Duket sikur këta të varfër të nëpërkëmbur nga njerëzit edhe Zoti vetë i ka harruar dhe i ka lënë si të vetëm në fatin e tyre : “Vajtimi i atyre që po vdesin ngrihet nga qyteti, shpirti i të plagosurve kërkon ndihmë, por Perëndia nuk i vë mend të keqes që u ka bërë” ( Jobi. 24: 12).
Por ndryshe nga ajo që duket në perceptimin njerëzor të çastit me frymë dëshpëruese, e vërteta është krejt ndryshe. Këta të varfër të injoruar të keqpërdorur nga shoqëria konsumiste egoiste, e kanë Mbretin e tyre i cili i përfaqëson dhe i mbron. Të jesh një mbret i të varfërve duhet të lindesh si ata, të rritesh si ata, të përbuzesh dhe të përndiqesh si ata, por të mos jesh i nënshtruar “fatit” dhe të luftosh dhe të fitosh në emër të tyre përballë varfërisë, urisë dhe padrejtësisë sociale, duke fituar bukën e përditshme me punë të ndershme dhe duke përdëllyer ata që janë më të varfër se ty.
Kush është ky Mbret i të varfërve?
Ai ka 2016 vjet që ka hyrë në historinë e njerëzimit, i lindur nga Nëna e tij, në Betlehem të Judesë, brënda një shpellë në kushte ekstreme të varfërisë: “Edhe ndërsa ata ishin atje, asaj iu mbushën ditët që të lindë. 7Edhe lindi birin e saj, të parëlindurin, edhe e mbështolli në shpërgënj, edhe e vuri në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata në bujtinë” (Lk. 2:6-7) Ky Fëmijë Hyjnor, i lindur si i varfër mes të varfërve, është Jisu Krishti, Biri i Perëndisë- Biri i njeriut. Përgjatë gjithë jetës së Tij tokësore varfëria ishte motra e Krishtit, sepse Ai u bë vëllai i të varfërve dhe Mbreti i tyre, mbrojtës i të drejtave të tyre të nëpërkëmbura ashtu siç ishte profetizuar për atë: “Por ai do të gjykojë të varfërit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit” (Isaia 11-4)
Jisu Krishti vërtet është Mbret i të varfërve, por jo i varfër nga fuqia dhe lavdia, sepse Ai është Zoti nga përjetësia dhe u bë njeri i varfër nga dhembshuria për të varfërit si është shkruar në psalmet: “Dhe britma e të varfërve arrin në veshët e Zotit Savaoth dhe armiqtë e tyre janë ata të Zotit dhe hidhërimi i tyre tërheq dashurinë e Tij” (Psalmet 18; 28; 9:14-19)
Varfëria e Krishtit si njeri nuk ishte një varfëri e imponuar nga “fati”, por një varfëri vullnetare, një vetzbrazje nga lavdia dhe pasuria e Tij hyjnore. Ambjenti i grazhdit është një dëshmi se Krishti u përul, u bë i varfër vullnetarisht, se s’ka më të varfër se një shpellë dhe më përulësi se të shtrihesh në një grazhd ku hanë kafshët. Prandaj Mesia i të varfërve është vet një i varfër vullnetar, që mori mbi vete sa lloje dhe forma varfërish dhe i shenjtëroi ato me vetzbrazjen e Tij ekstreme në kryq dhe kështu fitoi mbi armikun e varfërisë, që është mëkati i cili frymëzohet nga egoizmi dhe lakmia njerëzore.
Ai u hapi rrugën të varfërve në bashkim me Zotin duke i ftuar ata drejt vetes dhe njehsuar me veten: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje” (Math. 11-28) I bëri ata bij Perëndie, të pasur me hirin e Shpirtit të Shenjtë, pjesëtar të popullit të ri të Zotit dhe qytetar të Mbretërisë së Zotit, që pritet të vijë mbi dhe ashtu siç është në qiejt: “Dhe pashë një qiell të ri dhe një tokë të re.. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan“. Dhe ai që rrinte mbi fron tha: Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja. (Zbulesa 21: 1; 3-5)
Krishtërimi nuk është një filozofi fataliste, që pret vetëm nga qielli, por një besim që i kundërvihet varfërisë, me vepra dashurie konkrete në këtë botë të padrejtë, plot egoizëm dhe lakmi. Vetë Krishti bëri dy mrekulli të mëdha, për të ushqyer turmat e varfëra, me mijëra, me pak bukë dhe peshq. Mrekullia kishte karakter pedagogjik për të krishterët: “që do i kenë të varfërit gjithmonë me vete”. Pra atë pak që ata kanë, mos të ngurojnë ta ndajnë me të varfërit pasi ja japin vetë Zotit që ka fuqi t’i shumfishojë: “Sepse kush i jep të varfërit i jep hua Perëndisë.”(Fja 19; 17) Kjo dashuri konkrete për të varfërit konsiton në: “ndarje të bukës tënde me atë që ka uri, strehim në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt” (Isaia 58: 7) Dashuri për të varfërin është e personalizuar tek një person, Krishti, i cili përfaqëson të varfërit si Vëllai dhe Mbreti i tyre sepse Krishti në emër të tyre tha: “Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët…sepse çdo gjë që ia keni bërë këtyre vëllezërve më të vegjël ma keni bërë mua ”( Mateu 25. 35-36)
Një histori mallëngjyese e ilustron shumë këtë të vërtetë ungjillore (lajmi i mirë). Një fëmijë i varfër, i uritur, i zbathur, i zhveshur po shikonte me kureshtje nga vitrina e një supermarketi ku ishin të ekspozuara ushqime, rroba dhe këpucë, fëmija lutej te Perëndia dhe ëndërronte, sikur ato të ishin të tijat dhe kështu për pak harroi vuajtjen e përditshme nga privimi i gjërave më elementare të jetës. Ashtu duke ëndërruar e sjell në vete prekja e një burri me pamje zotërie i cili duke i buzëqeshur e merr për dore dhe e fut në dyqan dhe i blen çdo gjë që fëmija dëshironte. Mbasi ky fëmijë e shikon veten të transfomuar i veshur me rroba të pastra, të bukura dhe të ngrohta, me këpucë , duke shijuar ëmbëlsira, ngriti sytë nga zotëria dhe i tha: Mos je ti Perëndia?, por ai iu përgjigj me buzëqeshje: unë nuk jam Perëndia por një i krishterë, një bir i tij.
Krishti si Mbret i të varfërve, nuk luftoi me të pasurit me reforma populiste, apo duke nxitur revolucion popullor në luftë klasash, të varfërit kundër të pasurit, por ai luftoi kundër shkaqeve të varfërisë, si egoizmi, lakmia, padrejtësia, pasione që i kanë dhe i zhvillojnë brënda tyre më shumë të pasurit. Ai paralajmëron të pasurit për rrezikun e lakmisë për pasuri e cila mund të bëhet një mamona (zot i rremë), që të marros, të bën një materialist antishoqëror, egoist çnjerëzor, që të ndan nga i afërmi dhe në fund vdes i vetëm dhe pa Perëndi. Krishti mësonte me shëmbëlltyra: “Por Perëndia i tha të pasurit: O i pamend, po këtë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?” Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë”. (Llk. 12:20-21) “Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë! Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë“. (Lk.18: 24-25)
Apostull Jakovi nxënës i Krishtit, është shumë kategorik me këtë kastë të pasurish indiferentë dhe të padrejtë duke thënë: “Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t`ju zënë. Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t`ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit. Ja, paga që u keni ngrënë punëtorëve që iu korrën arat, po këlthet dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive. Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit. Dënuat dhe vratë të drejtin, ai nuk ju kundërshtoi”(Jak. 5:1-6)
Krishti dhe krishtërimi nuk janë kundër pasurisë në vetvete, por kundër keqmenaxhimit të saj. I pasuri nuk është pronar i pasurisë së tij, por një menaxhues, që duhet ta përdorë pasurinë në ndihmë të të afërmit që është në nevojë. Kjo nuk e humb pasurinë e tij, përkundrazi e shton atë, jo thjesht në këtë jetë por në Mbretërinë e Zotit, i Cili tha për të pasurit: “mblidhni për vete thesare në qiell…sepse ku është thesari juaj do të jetë zemra juaj” (Math. 6:20-21). Po ashtu dhe apostull Pavli këshillon: “ Të pasurit në këtë jetë porositi të mos mbahen me të madh, as të mos shpresojnë në pasurinë që s’qëndron, po në Perëndinë e gjallë, i cili na i jep të gjitha dorë hapur që t’i gëzojmë; të bëjnë të mirën, të pasurohen në punë të mira, të jenë dorëdhënës, të shoqërueshëm, duke mledhur për vete si thesar një themel të mirë për të ardhmen, që të arrijnë jetën e përjetshme”. (I Tim. 6:17-19).
Krishti i lumëron të varfërit. “Lum të varfërit në frymë, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve” (Math. 5:3). Përveç varfërisë materiale, ka edhe një varfëri shpirtërore, që do të thotë të jesh i përulur në mendje, kjo të bën nxënës me Krishtin: “Mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”(Math. 11:28-30) Lumërimi konsiston në ngjashmëri me Krishtin: “I cili duke qenë i pasur u bë i varfër për ju që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij” (II Kor.8: 9)
Por jo të gjithë të varfërit e kanë Mbret Krishtin dhe janë të lumuruar me Atë, sepse jo të gjithë e besojnë atë si Zot dhe Mbret. Ka nga ata të varfër që nuk duan të jetojnë me moral dhe dinjitet njerëzor duke zbatuar porositë e Zotit: “Mos vidh, mos gënje, mos vrit, mos lakmo, puno ndershëm”. Këta njerëz janë të varfër jo nga padrejtësia e të tjerëve, por për shkak të padrejtësisë ndaj vetes, të përtacisë, paudhësisë, abuzimit, krimit dhe mbi të gjitha të pabesisë. Davidi 1000 vjet p.K në urtësinë e tij thotë: “Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë”. (Psalmi 37:23-25) Prandaj njeriu që të mos bjerë në varfëri dhe mjerim, duhet të punojë ndershëm duke u lutur Zotit, burimi i çdo të mire,me këtë mënyrë: “Unë të kërkova dy gjëra; mos m’i moho para se të vdes: largo nga unë fallsitetin dhe gënjeshtrën; mos më jep as varfëri as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme, me qëllim që pasi të jem ngopur, të mos të të mohoj dhe të them: “Kush është Zoti?” ose pasi të jem bërë i varfër, të mos vjedh dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim.” (Fj. e Ur. 30:7-9).
Lindja e Krishtit si festë po afron edhe këtë vit, por mund të ndodhë paradoksi që Krishti, për të cilin bëhet festa, nga disa të krishterë në emër, të përjashtohet nga festa e tyre pavarësisht se thonë ne festojmë Krishtlindjet, Christmas. Krishtin si Mbretin e të varfërve, nuk mund ta shohim publikisht në vilat luksoze, me mantel mbretëror me kostum firmato, mes luksit dhe argëtimit profan. Ai gjendet rrugëve të qytetit, i varfër, i uritur, i zhveshur, i pastrehë, i vetmuar, i cili pret ata që festojnë Krishtlindjen t’i afrohen, ta veshin, ta ushqejnë, dhe ta ftojnë në festën për kujtim të ditëlindjes së tij, ndryshe ata nuk janë duke festuar krishtlindje sepse; “Edhe nëse një njeri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?” (I Jn. 3: 17)
Por nuk janë vetëm të pasurit që duhet të japin nga të tyret, por dhe të varfërit duhet t’iu japin atyre që janë më të varfër se ata.Të gjithë kanë mundësi të japin diçka, që ndonjëherë është shumë e vlefshme se vetë lëmosha. Këtë na e tregon shkrimtari i madh rus Dostojevski i cili duke ecur I shkujdesur rrugës dëgjoi një lypëse që kërkoi lëmosh. Dostojevski kërkoi nëpër xhepat e tij për të gjetur ndonjë monedhë por më kot. Atëherë shkrimtari i madh, u ul në gjunjë dhe duke i puthur dorën i thotë: të më falni sepse në këto çaste nuk më ndodhet asnjë monedhë. Lypësja iu përgjigj:- Të faleminderit . E mora monedhën. Atë që më dhatë ju nuk ma ka dhënë asnjë tjetër.
Pra mirësia dhe respekti që ka nevojë çdo qenjie humane, është më e madhe se vetë lëmosha,këtë të paktën çdo kush mund ta bëjë,në të kundërtën; “ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar” (Fja 17.5)
Për Krishtlindjet tregohet një histori; Një herë Krishti u shfaq si fëmijë i vogël, i varfër midis banorëve të një qyteti të madh dhe u drejtua në pjesën më të ndritshme të qytetit, në shtëpitë e të pasurve të ndriçuara nga dritat shumëngjyrëshe, të cilët ishin gati në mbrëmje të fillonin festën me ambiente të ngrohta, tryeza të shtruara, me pemën e Krishtlindjes që poshtë saj ishin dhuratat për t’iu ndarë njëri-tjetrit. Krishti fëmijë mendoi se do ta pranonin në festën e lindjes së tij, por në çdo derë që trokiti nga brenda saj u dëgjua: “largohu, nuk kemi vend për ty, sot festojmë Krishtlindjen” atëhere Ai u drejtua nga lagjet periferike të errëta nga mungesa e dritave, për t’u pritur nga të varfërit, që të festonte bashkë me ta Krishtlindjen si Mbreti dhe Vëllai i tyre.
Le të bëhemi gati ta festojmë Krishtlindjen me Krishtin, Mbretin e të varfëve.
(BalkanWeb)