Televizioni francez France24 i ka kushtuar një reportazh Shqipërisë dhe çështjes së importit të mbetjeve që pritet të miratohet nga parlamenti. Por ndërsa reportazhi bën pjesë të analizës të gjithë aktorët duke nisur nga politika, deputeti Eduart Shalsi, iniciator i këtij ligji deri tek shoqëria civile nuk mungon as një deklaratë e fortë. Gazetarët e quajnë Shqipërinë vendin më të korruptuar të Europës, i cili tashmë është duke luftuar me tonelata mbeturina të papërpunuara.

France ok
“Qeveria shqiptare po këmbëngul të miratojë një ligj që do të legalizojë importimin e mbetjeve të para në vend. Autoritetet thonë se kjo do të sigurojë një rritje të ndjeshme në sektorin e riciklimit dhe më gjerë në ekonominë e vendit. Por shumë qytetarë kanë shprehur dyshime në aftësinë e autoriteteve për të monitoruar në mënyrë strikte importin e mbetjeve, kjo në vendin më të korruptuar të Europës, i cili tashmë është duke luftuar me tonelata mbeturina të papërpunuara,” nis reportazhi i France24 për Shqipërinë.

Gazetarët francezë kanë folur me riciklues që janë të interesuar për miratimin e ligjit dhe kanë parë nga afër punën e tyre duke dëgjuar dhe ankesat. Drejtori i një kompanie ricikluese Vullnet Haka, i pyetur nga gazetarët e France 24 thotë se ai do donte të importonte plehra të përdorura plastike por kjo është e paligjshme.

“Shqipëria shumë shpejt mund të bëhet një parajsë riciklimi në Europën jugore dhe të zhvillojë ekonominë e saj. Parlamenti shqiptar votoi legjislacionin në verë por pas kundërshtimeve nga popullsia, u hodh poshtë dhe u kthye mbrapsht në parlament. Tani ligjvënësit shqiptarët duan ta miratojnë pas një shqyrtimi të dytë. Italia fqinje është e interesuar dhe një marrëveshje e rëndësishme është nënshkruar midis Veronës dhe Tiranës”, vijon reportazhi.

Vullneti thotë që miratimi i ligjit do të krijonte rreth 100 vende pune në kompaninë e tij. “Ambientalistët ndërkohë janë mobilizuar për të ndaluar parlamentin që të miratojë ligjin. Në Shqipëri shteti është i dobët dhe korrupsioni është i përhapur shumë”, thuhet në kronikë.

Ndërkohë Lavdosh Ferruni, kreu i AKIP, thotë që qeveria ju kthye ëndrrës së vjetër për importin e plehrave por qytetarët kanë vendosur kundër importit të plehrave dhe mendojnë që kjo nuk është diçka që i përket perspektivës së Shqipërisë.

Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduart Shalsi jep arsyet e tij pse ky ligj duhet të miratohet duke sqaruar se vendi ynë nuk ka si synim depozitimin e plehrave, por do të importojë vetëm ato mbetje që sipas tij futen në listën e gjelbër të BE.

“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se zhurma e krijuar se Shqipëria do të kthehet në një depozitë të mbetjeve është e pavërtetë. Ajo që ne do të importojmë është ajo që në BE quhet si lista e gjelbër e mbetjeve”, është shprehur Shalsi

Në përfundim të reportazhit, “France 24” shprehet se qeveria shqiptare po kërkon ta kthejë vendin në një parajsë të riciklimit të mbetjeve, por duhet të marrë parasysh kapacitetet që ka dhe vështirësitë që ky import krijon.

“Shqipëria po kërkon të kthehet në parajsën e riciklimit të mbetjeve në Evropë. Por sa është e mundur kjo për shtetin më të korruptuar të Europës, dhe që e ka mjaft të vështirë kontrollin e territorit dhe të doganave? Sa siguri ofron Shqipëria për qytetarët e saj se çfarë do të importohet dhe si do të riciklohet? Për të gjitha këto, qeveria duhet të japë një përgjigje, përpara se ky ligj të nisë zbatim. Si vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria duhet të zgjidhë problemin për menaxhimin e mbetjeve dhe aktualisht është shumë larg arritjes së këtij qëllimi”, mbyllet kronika për Shqipërinë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb