E papritur ishte krisja e Gjergji Muzakës me skuadrën “bardheblu” të Tiranës. Edhe pse jo ende zyrtarisht ai nuk është më pjesë e kryeqytetase dhe kjo konfirmohet nga mos udhëtimi i tij me skuadrën në Antalia. Lidhur me këtë situatë është prononcuar dhe presidenti i klubit Refik Halili, që ka mbetur mjaft i zhgënjyer nga ish-lojtari i tij, i cili për më shumë e ka hedhur në gjyq.

“Asnjëherë nga goja ime nuk do të dëgjohen gjëra jo të mira për Gjergji Muzakën. Ai ka qenë një ndër të preferuarit e mi, por ndonjëherë gjerat nuk shkojnë ashtu siç planifikohen. Asnjëherë nuk kam për ta trajtuar Muzakën si lojtar të zakonshëm, pasi për të në vitin 2008-të kam paguar 95-milionë lekë për ta afruar pranë klubit. Kam menduar gjithmonë, se futbollisti do të mbyllte karrierën te Tirana, por nuk ndodhi kështu”, u shpreh Halili për “sport ekspres”.

Lidhur me shkakun se pse Muzaka u la jashtë listës së grumbullimi për në Turqi, presidenti shpjegon: “Më ka ardhur një njoftim nga dhoma e zgjidhjes së konflikteve në FSHF, që të hënën duhet të paraqitem për një ballafaqim me Muzakën, në lidhje me rrogat e prapambetura. Jam tronditur, nuk kam besuar kurrë, që raporti im personal me Muzakën të shkonte deri në gjyq. më shumë sesa raport president -lojtar, kam marrëdhënie njerëzore me Gjergjin, sepse gjithnjë e kam konsideruar si lojtar të rëndësishëm kampionatit. Unë nuk ballafaqohem gjyqeve me të sepse kam pasur respekt maksimal.

Unë e di çfarë kemi nënshkruar e di madje dhe sa duhet të paguajë Muzaka kur ka qenë i dëmtuar. Edhe ai e di. Ai është pjesë e familjes së madhe të klubit, por kjo thirrje për padi më ka tronditur”, mësohet të ketë thënë presidenti i Tiranës, Refik Halili, lidhur me çështjen e Gjergji Muzakës.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb