NGA ZONJA VJOLLCA

Përbërësit
25 gr maja e freskët
1 lgj sheqer
300 ml qumësht
1 lç kripë
1 kg miell
125 gr margarinë ose gjalpë
50 ml vaj misri
3 kokrra vezë
½ gotë ujë të vakët
Fara susami

Përgatitja

Fillimisht tresim majanë me qumështin e vakur së bashku me një lugë sheqer. I trazojmë derisa majaja dhe sheqeri të shkrijnë. E lemë në qetësi masën të vijë për 7-10 minuta.
Vendosim 800 gr miell në një tas dhe pasi bëjmë një gropë në mes të miellit ku shtojmë qumështin me maja. Fillojmë ta trazojmë miellin me qumështin me një lugë druri duke shtuar dhe 200 ml ujë të vakët, 50 ml vaj misri, pak kripë dhe dy kokrra vezë. Vazhdojmë trazimin derisa të na formohet një brumë i hollë. Shtojmë pak nga pak miellin që na kish tepruar duke vazhduar më tej ta punojmë brumin me dorë derisa ai të fillojë të mos na ngjitet shumë nepër duar, e pudrosim pak me miell dhe e vendosim në një tas të mbuluar me një pecetë. E lemë të pushojë për 30 minuta derisa brumi të dyfishojë sasinë e tij.
Më pas e largojmë nga tasi dhe e punojmë duke e pudrosur përsëri me miell dhe duke e hapur me majat e gishtave. E kalojmë në rulon duke hapur një petë me trashësinë e një gishti mesatarisht 1 cm dhe me ndihmën e një gote bëjmë mbi 30 rrathe.
Marrim një tavë të thellë ose një tenxhere, e lyejmë atë me margarinë dhe vendosim në mënyrë rrethore disqet e brumit njëra pas tjetrës si tjegullat e një çatie duke i lyer disqet njera pas tjetrës me pak margarinë me furcë. Pasi të jetë mbushur tenxherja e mbulojmë dhe e lemë të pushojë për 15 minuta. E lyejmë më pas me të verdhë veze e spërkasim me fara susami dhe e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 30 minuta të piqet.

(da.xha/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: