Nga: BASHKIM KOÇI*
Kanë kaluar shumë vite, mbi tri dekada, që nuk kam shkelur në ato anë, në atë krahinë plot magji, të cilën, më shumë se kushdo tjetër, ia jep Mali Baba i Tomorit. Sepse Tomorrica është bijëza e Malit Baba, nga ka marrë edhe emrin. Ajo, si të ishte një gjallesë, jeton, transformohet, kujtohet e krenohet me emrin e Malit, pa të cilin zor se do të mbetej ajo që është: sevdaja e Malit Baba. Me Tomorricën nuk më lidhin kujtime fëmijërie. As nga ato “të mbetura rrugës” për hesap të udhëtimeve të rastësishme. Jo! Me këtë zonë e me ata njerëz na mbajnë bashkë “kohërat e lashta” të moshës së rinisë, kohërat nga ku njeriun e ka çuar fati për të punuar e jetuar dhe pa e ditur se një ditë do të ktheja kokën pas, duke pyetur veten: more ç’ bëhet, si i ka shkuar filli asaj Tomorricës? Jap e marr nga Tomorrica çdo informacion që bën fjalë për të, që të krijon mundësinë e bashkëbisedimit me njerëzit, miq e shokë të mbetur atje, apo ata që janë larguar prej saj, por që mbajnë në shpirt e zemër mallin për vendlindjen. Kam pasur e kam një ndjesi disi të veçantë për Tomorricën, të cilën ta jep relievi, ta japin njerëzit, ta jep historia e artë shumëshekullore, e cila fsheh xhevahire mbi dhe nëntokë.
Arkitekt Kasemi dhe …
Për atë zonë të merr malli edhe pse aty kanë lindur apo kanë rrënjët e gjakut emrat e personaliteteve të mëdhenj të të gjitha fushave. Nga Tomorrica kanë dalë figura të shquara, të përmasave botërorë dhe që i kanë dhënë emër Shqipërisë. Nga fshati Gremsh, i cili sot është në grahmat e fundit, që jep e merr për të mos u zhdukur si i tillë, ka origjinën arkitekt Mimar Kasemi (1570-1650). Ai arriti të jetë Kryearkitekti i Perandorisë Osmane në shek. XII-të dhe u bë mjeshtër i arkitekturës klasike osmane. Ka krijuar vepra monumentale origjinale. Qoshku Bagdad, Qoshku Revan, Xhamia me Fajancë në Stamboll e shumë kryevepra të tjera, kanë për autor tomorricarin Kasem, i cili nuk harroi ta linte të zezën mbi të bardhë në Vakufnamen e tij të famshme të vitit 1648, ku, mes të tjerave, shkruan se “nga pronat e mija të mirëfillta po lë vakëf në fshatin Gremsh, që është vendlindja ime në Nahijen e Tomorricës, të Kazasë së Beratit, xhaminë, imaretin dhe banjën publike, të cilat i kam ndërtuar vetë”. Sigurisht, arkitekt Kasemi ka lënë edhe vepra të tjera të shkëlqyera, por në këto radhë nuk duhet të harrojmë, nuk duhet të mos themi e të kujtojmë atë që sot për sot është kryevepra e tij “e gjallë”, Ura e Kasabashit (Bash Kasemit), pranë qytetit të Çorovodës. Pra arkitekti me famë, tomorricari Mimar Kasemi, edhe pse jetonte e punonte në zemër të Perandorisë Osmane, nuk e harroi kurrë Tomorricën. As fshatin “ku i kishte rënë koka”, Gremshin, apo njerëzit e gjakut e të sojit të tij. Po sot, pas kaq shekujsh, si kujdesen dhe çfarë bëjnë për Tomorricën ata që populli u ka dhënë pushtet e që jetojnë, jo në zemër të Perandorisë, ashtu si arkitekt Kasemi, por në zemër të Shqipërisë, në Tiranë. Statistikat nuk janë të sakta (e kush mban sot statistika), por dimë që rrënimi dhe rrëmeti është i përmasave të frikshme, gati-gati fatale. Mësojmë se fshatra të tërë janë drejtë zhdukjes, ndërsa disa prej tyre si Duncka, Burranji, Luadhi, Postena, Vishanji, Lagësira, Gjogovica, Davidhi, Rromasi e ndonjë tjetër u ka mbetur vetëm emri, nuk ekzistojnë më. Janë plot nëntë vendbanime, të cilët, nëse deri dje ishin me shtëpi e katandi , me njerëz që punonin e nxitonin në trojet e tyre, vendosur aty shekuj e shekuj që nuk mbahet mend, sot, në vitin 2015, u tretën e u shuan si t’i ketë ndjekur dushmani. Në radhë drejtë zhdukjes është edhe vendlindja e arkitektit Kasem, Gremshi, i cili, po të ishte gjallë, do të ngrinte arkitekturën e turpit për bashkëkombësit e vet. Pse kështu, ç’ka ngjarë me Tomorricën? Një biznesmen i fuqishëm dhe i fisshëm skraparas, Kasem Hysenbelliu ( ai mban për emër, emrin e arkitektit të madh), kish venë duart në kokë, ish tromaksur, kur kish parë e përjetuar gjendjen ekonomike të një mikut të tij në fshatin Barç. Sipas tij, aty nuk jetohej, aty ishte vetëm ai, mjerimi. Dhe sipas tij në të gjithë fshatrat e zonës nuk ndjehej dora e shtetit. Aty nuk kish as shtet, as qeveri. Aty mbretëronte varfëria. Sigurisht, biznesmeni i ardhur nga Tirana nuk mund të transformonte si me magji atë ç’ka i panë sytë, por të paktën, për aq sa pa e dëgjoi, na e solli “valë të ngrohtë” këtu në Tiranë, për të bërë publike mjerimin që ka kapur Tomorricën.
… Frashërllinjtë…
Të dhënat që sjellin studiues të ndryshëm tregojnë se bejlerët e Frashërit janë tomorricarë. Halit Frashëri është i ati i Naimit, ai nuk është frashërjot, se gjyshi i tij Ajazi është nga Tomorrica. I nipi i Hamza Bej Tomorricës, Lumo Skendo, në librin e tij për Naim Bej Frashërin, 1901, botuar në Sofje shkruan: “Më 1570 Hamza Beu, i pari i Tomorricës desh të shtojë urdhrin e tij, e të marrë mpronje Skraparë, Oparë, Verçen, etj; po qeveri e Turqisë, qe si pëlqenin punët e këtij zotërie, e rrethoj në Berat, dhe Hamza Beu, si ju sosën çdo gjë, desh të dilte i veshur si grua; po u njoh dhe u zu i gjallë; mi këtë me gjithë fëmijë u dërgua në Stanimarkë, ku ndenji 70 vjet; Më 1650, në kohë të Mehmet Pashë Qypryliut u fal Ajaz beu, i nip i Hamzajt dhe ju dha për mpronje Frashëri, Mertinja, Topojani dhe në Vlorë Kudhesi, Armenja dhe ca fshatra në Myzeqe, po Ajazi pëlqeu Frashërin për të ndenjur, se është vend i forte”. Kaq. Frashërllinjtë nga gjaku janë tomorricarë. Kur merr vesh origjinën e këtyre dijetarëve të mëdhenj, të këtyre tre kolosëve “që u tretën për Shqipëri”, mendja na fluturon për në Tomorricë për të marrë ndonjë informacion për atë çka Naimi u tret si qiriri, shkollimin dhe diturinë. Mbaj mend se në Tomorricë, përpara viteve ’90, funksononin 20 shkolla të ciklit të ulët e 9-vjeçare dhe katër shkolla të mesme. Të gjithë fëmijët, pa përjashtim, ishin të detyruar me Ligj që të mbaronin arsimimin 9-vjeçar dhe rreth 70 për qind vijonin shkollën e mesme, me dhe pa shkëputje nga puna. Nuk bëhej fjalë për disa dhjetëra nxënës, por me qindra, kontingjent të tërë brezash, pa mbarim. Është rasti të sjell emrat specialistëve të mirënjohur në fusha të ndryshme, të cilët mësimet e para i morën aty, në Tomorricë: mjekët, Ajli e Sinan Alushani, Kastriot Lagësira, Qazim e Ibrahim Metani, Dalip Molla , Dalip Çela e Besim Boçi ; specialistë të fushës së bujqësisë; Kastriot Flamuri, Sybi Qemali, Petrit Shallari, Ilafet Mahmutaj, Skënder Osmënllari, Et’hem Shuku, Bilbil Alimadhi, Demir Allajbeu, Ylli Zhuri etj.; specialistë të talentuar në drejtime të tjera si, gjuhëtari Kujtim Kapllani, botuesi dhe shkrimtari Ylli Molla, historianët Idriz Metani e Asqeri Diko, publicisti Zylyftar Bregu, Ing. Bashkim Çela e Shemsi Molla; mësuesit Abedin Shameti, Dilaver Zyka, Caush e Agim Carkanji. Një ushtri e vërtetë me vlera të veçanta intelektuale. Në këto vitet e fundit Tomorrica, ashtu si dhe në drejtime të tjera të jetës, ndjehet e varfëruar, e rraskapitur. Pas ’90-ës është gremisur në honin e errësirës. Mjerishtë, i pakthyeshëm. Funksionojnë vetëm 13 shkolla të ciklit të ulët e atij 9-vjeçar. Gjithsej kanë vetëm 177 nxënës(!) Afërsisht 14 nxënës për çdo shkollë. Tregues pak i pakapshëm për brezin tonë, për ne që e pamë me sytë tanë “bumin” e shkollimit dhe të edukimit masiv të të gjithë brezave tomorricarë.
…dhe Ajli Alushani
Gjatë periudhës ’82-’87 të shekullit të kaluar, ministër i Shëndetësisë ishte tomorricari Ajli Alushani. Posa mori detyrën, Ajliut i shkoi mendja në vendlindje, në Tomorricë. Spitali i Gjerbësit funksiononte si jo më mirë, me mjedise e personel të mjaftueshëm për të përballuar nevojat e të gjithë zonës. Aty ishin në shërbim tre mjekë; I përgjithshëm, gjinekolog dhe radiolog, plus disa infermiere e mami. Në fshatrat Barç, Zhepë e Dobrenjë funksionon qendrat shëndetësore me nga një mjek dhe infermierë e mami. Në të 21 fshatrat e tjerë kishte Shtëpi Lindje. Për të gjithë zonën funksiononin dy farmaci me gjithçka që duhej për të sëmurët. Megjithatë doktor Hajliu nuk mund të mos bënte diçka më shumë, nuk mund të mos shtonte një gjë që të ishte nga dora e tij, me firmën e tij. Vendosi që për Tomorricën të ishte në dispozicion një ambulancë, makinë që do të shërbente si urgjencë për të sëmurët, ditë edhe natë, non-stop 24 orë. E mbajnë mend edhe tani, pas 30 vjetësh, atë ndihmesë që dha njeriu i tyre, djali nga fshati Gjerbës, Hajli Alushani. Po sjellim tani të dhënat më të fundit sesi funksionon shërbimi shëndetësor, se ç’ pamje ka marrë mjekësia-zhele në Tomorricë. Aty, pra në të gjithë zonën, kanë mbetur rreth tre mijë banorë. Për të gjithë kata njerëz është vënë në dispozicion vetëm një mjek, i cili shërben edhe për zonën e fshatrave të tjerë, përreth qytetit të Çorovodës. Mendoni se ç’mund të bëjë një banor i sëmurë i fshatit më të largët, Tërrovës, i cili nuk ka asnjë mundësi reale për të marrë këshillën e mjekut. Në shërbimin shëndetësor Tomorrica është kthyer një shekull mbrapa. Lexoja këto ditë shënimet e një mjeku francez të Luftës së Parë Botërore, i cili shkruante me shumë dhimbje për një grua të sëmurë nga Tomorrica, e që, për t’i ardhur në ndihmë, e përcollën me një mushkë për në një spital-austriak në qytetin e Korçës. Nuk gaboj po të them që gjendja në Tomorricë është akoma më e mjerë.
Liderët e mirë në fillim duhet të bëhen shërbëtorë të mirë. Pastaj të mund të bëjnë karrierë, pastaj le të ngjisin shkallët për të kapur kolltuqe. Për fatin tonë të keq politika, në këta 23 vjet ka prodhuar liderë të këqij, që nuk menduan qoftë edhe një çast të vetëm për popullin, i cili i ka votuar qorrazi masivisht. Me keqardhje, me trishtim dhe me shumë pak optimizëm pyes: Kush s’të do ty Tomorrocë? Njerëzit që jetojnë e punojnë atje ia dinë përgjigjen kësaj pyetjeje. Madje ia dinë mirë. E dinë mire, sepse nuk mund të mos dalin në përfundim të drejtë kur premtimet dhe gënjeshtrat e politikës janë pafund. E dinë mire, sepse shikojnë që çdo ditë e më shumë polarizimi rritet: pasurohen të pasurit, e të varfrit varfërohen. Bashkë me këta të fundit edhe Tomorrica. Andej e këtej atyre fshatrave të nëmura, me pak shpresë për ditë më të mira, mallkojnë e ç’fryjnë ndaj pushtetarëve që ikin e vijnë, që vijnë e ikin përsëri, ashtu si u hakërrehej dikur Ali Asllani: Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!/ Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë /nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!
“SOM”
“Mësojmë se fshatra të tërë janë drejtë zhdukjes, ndërsa disa prej tyre si Duncka, Burranji, Luadhi, Postena, Vishanji, Lagësira, Gjogovica, Davidhi, Rromasi e ndonjë tjetër u ka mbetur vetëm emri, nuk ekzistojnë më. Janë plot nëntë vendbanime, të cilët, nëse deri dje ishin me shtëpi e katandi, me njerëz që punonin e nxitonin në trojet e tyre, vendosur aty shekuj e shekuj që nuk mbahet mend, sot, në vitin 2015, u tretën e u shuan si t’i ketë djegur dushmani.
(Marre nga gazeta Telegrafi)
(BalkanWeb)