NGA: EDA ZARI
Sapo kisha mbushur 18 vjeç. Para se të ndodhte vrasja e tim vëllai (Ilirian Zari, vrarë në kufi në moshën 30-vjeçare, më 3 shkurt 1990), kurrë nuk kisha shpenzuarasnjë çast të jetës sime për të kuptuar stilin e të menduarit njerëzor në rrethana totalitare. Nuk më kishte ballafaquar vetja me pyetje të natyrës: “Çfarë ndodh me sjelljen e një individi, një grupi apo të një klase të caktuar njerëzish, teksa me ndërgjegje ushtrojnë mbi shoqërinë pushtet të pakufishëm?” Ky sundim, përveç se përcaktonte vlerat e njeriut, diktonte intimitetin dhe mendimin e secilit në sfera të ndryshme jetësore. Më keq akoma, merrte vendime të të zhdukte sa hap e mbyll sytë brenda natës. Vallë, sa sundimtarë ndjeheshin kur përzgjidhnin serbes (pasi kishin larë duart në enën e pafajësisë, duke e justifikuar veprimin me detyrën që kryenin) se kush qe miku dhe kush armiku i radhës që duhej eliminuar? Apo, më konkretisht, me cilën ndërgjegje morale flinin komandantët e postave kufitare, kur qëllonim mbi civilët që tentonin të shkelnin kufijtë e “shenjtë”? (E lëmë mënjanë këtu nivelin arsimor apo moral të ushtarëve të kufirit, të cilët, në të shumtën e rasteve, ishin ushtarë që sapo kishin mbaruar arsimin tetëvjeçar).
Po oficerët e Sigurimit, hetuesit, gjykatësit, prokurorët, përgjuesit, ndëshkuesit, policët, inspektorët e organeve të ruajtjes së rendit në atë kohë? Sa e justifikueshme është të dilet sot, si dikur, me parullën: “Ne bënim atë që na kërkonte autoriteti dhe ligji përkatës”? Ishte vërtetë e domosdoshme, që këta njerëz të zgjidhnin këtë veprim, duke fikur mijëra jetë civilësh, përmes ekzekutimeve pa gjyq në kufi, si im vëlla, apo nëpër burgje, nëpërmjet gjykimeve të padrejta dhe në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare të njeriut, përmes torturave e më pas persekutimit të individëve, apo familjeve që lanë pas? Ç’të mirë personale u sillte zbatimi i një ligji çnjerë- zor? Apo flasim këtu për arsye praktike? A nuk është kjo praktikë, e cila në kurriz të jetës së një njeriu, u solli avantazhe personale? Faktet tregojnë se individëve të tillë, shërbyes të sistemit të dikurshëm, u ka rënë për detyrë të vijojnë maksimën e totalitarizmit. Dje, dikush ishte agjent apo hetues, sot është pedagog i së drejtës apo gjyqtar në një gjykatë shumë të lartë. Kjo nuk është thjesht “ironi e fatit”, kjo është teknika e së “keqes banale”, që u lejon atyre dhe sot e kësaj dite të veprojnë deri në instancat më të larta të së drejtës, të prirur nga sëmundja profesionale e praktikave të një sistemi totalitar. Kjo sjellje është një përmbysje e teorisë së “Imperativit Kategorik” të Kant-i, që thotë: “Vepro sikur maksimat e veprimeve të tua do të ktheheshin, përmes vullnetit tënd, në ligj universal. Vepro në mënyrë të atillë që njerëzimin, qoftë përfaqësuar nga vetja jote, qoftë nga dikush tjetër, ta trajtosh jo si mjet në dobi të një përfundimi, por gjithmonë si qëllim.” Si rrjedhojë, personat që dikur kanë pasur bindje dhe kanë kryer veprime totalitare, edhe në një rend tjetër shoqëror kanë për të vijuar të sillen si në realitetin totalitar.
Mirëpo, si duhet vepruar, kur vetë ligji është kriminal? Më së fundi, këta njerëz çfarë zgjodhën të bëjnë kundër krimit komunist, kundër atij sistemi totalitar? Këtu më vjen në mendje Hannah Arendt, e cila te “Banaliteti i së keqes – Eichmann në Jeruzalem”, ndër të tjera, thotë: “(…) këta njerëz nuk patën mundësi t’i bënin rezistencë sistemit, megjithëse mundësia e tyre e vetme ishte të mos bënin ASGJË”! Arendt më ndihmon të shtroj pyetjen: përse njerëzit e zakontë u përfshinë në krimet e komunizmit? Burokratët pranuan me vullnet të lirë, shijuan privilegjet e postit, thurën lavde dhe i rrahën shpatullat njëri-tjetrit sa herë që dekoratat e sistemit izolues dhe diktatorial shkëlqenin në xhaketat a uniformat e tyre. Me dashje, ata u përgatitën nga aparaturat e pushtetit totalitar dhe, si rrjedhojë, u deformuan moralisht në formë sistematike. Morali mbi bindjet, veprimet, sjelljet e këtyre pseudo-intelektualëve, dhe gjithmonë pseudo-njerëzve, neglizhenca për t’u ndërgjegjësuar për konceptin e lirisë njerëzore, shërbimi gatu-tu pro së keqes, u bë rutinë e punës së tyre të përditshme. Gjithsesi, veç këtyre konstatimeve tron- ditëse, ka diçka edhe më tragjike. Është tragjike se si shoqëria jonë, si në të kaluarën, por edhe SOT, anashkalon me urti artificiale këtë banalitet, duke na gostitur klishenë e ilaçit të famshëm, “KOHA”, sepse vetëm ajo mund të shërojë plagët përmes shiringës së harresës! Kjo është keqësia moderne! Kufiri i Shqipërisë përbëhej, në anën ku kjo kufizohej me Jugosllavinë, nga 176 piramida kryesore dhe 1254 të ndërmjetme, kurse në anën e kufizimit me Greqinë kishte 177 piramida kryesore. Im vëlla, Iliri, bashkë me vëllanë tjetër, Agimin, si dhe një person të tretë, në shkurt të vitit 1990 u rreshtuan në radhët e atyre pionierëve të cilët guxuan të tentonin për të përqafuar lirinë. Iliri, si dhe qindra të tjerë gjatë po atij viti, u fik pranë njërës prej atyre 353 piramidave kufitare të Shqipërisë. Sa herë flitet apo shkruhet për vrasjet në kufi të vitit 1990, sa herë kërkohet të provohet persekutimi dhe tmerret e komunizmit, shoh se si fotografia e tim vëllai është e para që ilustron makabritetin.
Një jetë e fikur, rënë në baltë, hetuesi, prokurori dhe dy ushtarë me duar në xhepa, bëjnë sehir me qesëndi e krenari kufomën e tij. [figura 1] Sot, në shkurt të vitit 2017, plot 27 vjet më pas, mes shumë dokumentesh, shoh për herë të parë pikërisht këtë foto, si dhe 7 fotografitë e tjera që përmban dosja e “Shërbimit Kriminalistik”, pjesë e vendimit të çështjes penale ngritur në ngarkim të vëllait të mbijetuar, që u arrestua natën e tentativës për arratisje. Lexoj deklaratat e dy ushtarëve që kryen vrasjen: “Unë jam ushtar i vitit të parë. Unë dhe A. qëlluam në drejtim të tij. Meqenëse e goditëm, ai u rrë- zua dhe tha: “O, më vratë”. Mbasi u sigurova se ai kishte vdekur, unë kalova në bllokim të kufirit, që të mos kalonin ata dy të tjerët.” Vazhdoj, me dridhje, të lexoj protokollin e hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit Kolonjë, ku thuhet: “…ka të dhëna të mjaftueshme për veprën penale “Tradhti ndaj atdheut”.” Një tjetër proces-verbal, i mbajtur nga hetuesi i Degës së Ersekës, nënshkruar nga një pensionist nga fshati Starje, thotë: “…në këtë kohë dëgjova një trokitje në xham … duke dyshuar se mund të ishte nga ata personat që kërkoheshin, i thashë hajde brenda. (…) Unë dyshova, ndaj i thashë vajzës të shkonte të thërriste djalin tim. (…). Djali erdhi, e pas tij erdhi dhe njësiti i fshatit dhe e morën (Agimin).” Kaloj nëpër duar emra hetuesish, prokurorësh, gjykatësish, vendime gjyqë- sore, kontrollin e banesës… Më shfaqet i tërë filmi kur erdhën dhe na çarçavitën gjithë shtëpinë, pikturat e Lirit, poezitë e tij, përmbysën gjithë bibliotekën, divanet, dollapin e shtresave të gjumit, deri dhe sendet intime vetjake, kujtoj edhe shkopinjtë e gomës në kurrizin tim gjatë hetimit në Degën e Punëve të Brendshme të Tiranës, shenjat e të cilëve shkërmoqën shpirtin e tim ati, a thua se nuk qe i mjaftueshëm lajmi i rremë se ia kishin vrarë të dy djemtë në kufi… Marr guximin dhe nis të lexoj, për të parën herë, “Akt Kqyrje Mjeko-ligjore”, e cila përshkruan ekzaminimin e parë të kufomës së qytetarit Ilirjan Zari, e më pas përshkrimin e këqyrjes së brendshme të kufomës… A ka Zot, a ka Perëndia fuqi t’i japi një motre kaq forcë, sa të lexojë një autopsi? Çarje e diafragmës, shkatërrim i brinjës së parë dhe të dytë, shkatërrim i plotë i pulmonit të djathtë, shkatërrim i plotë i vertebrës së pestë torakale dhe prerje e palcës. Shkaku i vdekjes: hemorragji akute dhe insuficiencë respiratore pas goditjes me armë zjarri… Një autopsi e detajuar disafaqëshe, rutinë. Por jo me motivin për të gjetur fajtorin që kishte qëlluar padrejtësisht. Po më pas, ç’u bë me këtë trup, me këtë trup që e priste jeta, dashuria, telajot e së ardhmes që kurrë nuk gëzuan ngjyrat e jetës së tij? Jo, nuk mbaron këtu. S’ka trup, s’ka varr, s’ka protokoll, s’ka asnjë gur për prindërit dhe ne ku të përgjunjemi. Vetëm rropatje, sorollatje, tallje, përçmim. “Ejani pas 15 vitesh, ishte armik i atdheut. Mos e kërkoni…”. Në çantën e Ilirit ndodhej një pincë, një kaçavidë, ca libra dhe një aparat fotografik. Ky qe armiku i atdheut. Lirinë dhe artin tim ia kam borxh guximit të tij prej artisi ëndrrashumë. [figura 2] Kthehem pas, në të sotshmen. Mbledh arsyen dhe pyes: Cili është “zeitgeist-i” i sotshëm për konceptin e një shoqërie të lirë? Cili është angazhimi i ligjeve ndaj pasojave që i shkaktuan burokratët e dehumanizuar një brezi të tërë, brez që mori udhët e botës, për të qenë i lirë? Dikur, në gjysmën e parë të viteve ’90, në Shqipëri u bënë një seri gjyqesh pothuaj show, të cilët shpejt u emërtuan nga njerëzit e thjeshtë si “gjyqet e kafeve”. Përfundimi i tyre ishte dënimi i disa prej funksionar- ëve të lartë të shtetit të viteve 1945-1991 për “shpërdorim detyre” (paçka se organi i akuzës u përpoq të provonte se të akuzuarit kishin kryer krime kundër njerëzimit dhe të drejtave themelore të njeriut).
Të dënuarit që ende vuanin dënimin më 1997, u lanë të lirë me amnistinë e përgjithshme të atij viti. Një nga të dënuarit me burgim të përjetshëm (përfitues i amnistisë) apeloi vendimin, u shpall i pafajshëm, dhe jetoi “ballëlart” para shoqërisë, i shfajësuar nga çdo shkelje ligjore. Mirë, e dimë, drejtësia në Shqipëri ka shumë thyerje e kthesa. Po drejtësia sociale, shoqëria, njerëzit, ata që ia kishin dalë të jetonin ende si njerëz, ku ishin? Dhe, ca më keq, ku janë? Sa e aftë është shoqëria shqiptare për të kërkuar drejtë- si sociale sot? Jo drejtësi duke pasur parasysh vetëm “kokat e mëdha” të totalitarizmit, por ata të tjerët, ushtarët e vegjël, burokratët, hallkat e vogla të zinxhirit apo ingranazhet e makinerisë së madhe. Edhe nëse përgjegjësia ligjore është e vështirë apo e pamundur të faktohet, drejtësia sociale është e arritshme dhe duhet të zbatohet! Qeveria e viteve 1992-1996 hartoi dhe zbatoi, aq sa mundi, një ligj të posaçëm për lustracionin, i cili ndalonte nga pozitat e vendimmarrjes çdo individ që faktohej se u kishte shërbyer organeve të ushtrimit të dhunës në Shqipërinë e periudhës 1945-1990. Një komision me qëllim të ngjashëm funksionoi pas vitit 1997 deri në fillim të viteve 2000. Subjekt i komisionit përkatës, gjithsesi, ishin individët e emëruar në pozicionet e larta qeverisëse.
Me gjithë zhurmat e njëpasnjëshme, asnjë forcë politike nuk pranoi rivendosjen e një ligji për lustracionin, kurse Gjykata Kushtetuese, haptazi në konflikt interesi, e përbërë edhe nga individë që lustracioni i përjashtonte nga pozita që kishin, më 2012 e shpalli antikushtetues ligjin e propozuar. Kurse sot, prej ca pak muajsh, kemi një Autoritet specifik për informimin me dokumentet e ish-Sigurimit. Informim, shumë mirë. Por si do të zbatohet, ligjërisht, rasti kur evidentohet bashkëpunëtori i dikurshëm? Si do të veprohet kur lehtësisht faktohet se hetuesi i para 27 viteve është gjykatës sot? Duket se organet qeverisëse nuk i rëndon ky shqetësim. Veprimi mbetet në ndërgjegjen e shoqërisë (në ekziston ende një e tillë). Duke pranuar të jetonin me të keqen dhe/ ose prej së keqes, një grup shoqëror jo i vogël njerëzish u dehumanizua gjatë regjimit totalitar. Sot këta njerëz, pavarësisht shkallës së tyre të implikimit me të keqen, janë pjesë e integruar në shoqërinë tonë shqiptare, apo në shoqërinë globale në përgjithësi. Mirëpo, a mund të ecet në rrugë, të jetohet normalisht si qytetar, si profesionist, si njeri, duke pasur ende në pozita vendimmarrëse të cilitdo nivel këto qenie njerë- zore, dikur të dehumanizuara? A mund të jetojë normalisht dhe e shëndoshë një shoqëri e cila ka harruar të kërkojë ndjesë dhe të reflektojë për krimet e drejtpërdrejta, për pjesëmarrjen apo për moskallëzimin e krimit? Diktatura as erdhi, as qëndroi në fuqi e vetme. E sollën dhe e mbajtën në pushtet jo vetëm ata që qeverisnin, por edhe ata që shërbenin. E keqja banale është ende mes nesh!
Ekskluzive për “GSH” * Shkurt 2017, Düsseldorf