Nga Artan Hoxha

Klement Çala, i cilësuar si ekspert i grabitjes se bankave, është emri i fundit i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit në lidhje me ngjarjen e 9 shkurtit 2017. Elbasanasi 29-vjeçar është një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke. Emri i Çalës është i teti i identifikuar për publikun deri tani në lidhje me grabitjet e transfertave bankare të bankave të nivelit të dytë në aksin Qafa e Kasharit – Rinas. Burime për “BalkanWeb” bëjnë të ditur se nga hetimet e kryera prej mesditës së të enjtes së 9 shkurtit dhe deri tani, janë arrestuar 6 persona të akuzuar si bashkëpunëtorë apo autorë direkt të grabitjes të 3.2 milionë dollarëve. Ndërkohë dy persona të tjerë, të cilët dyshohet të kenë patur një rol shumë të rëndësishëm në ketë grup kriminal, Admir Nikaj (Murataj) dhe Klement Çala, të arratisur sëbashku nga burgu i Trikallasë të premten e 22 marsit 2013, janë shpallur tashmë në kërkim. Tabloja prej 10 anëtarësh e këtij grupi, plotësohet me dy vëllezërit me origjinë nga Tropoja, të cilët janë nipërit e Admir Nikës. Këta të fundit janë shpallur në kërkim, por për arsye të sekretit hetimor media nuk i ka publikuar emrat e tyre.

Aksionet policore vijojnë të kërkojnë adresat ku strehohen katër personat e mësipërm, të cilët deri tani i kanë shpëtuar arrestimit.

Klement Çala, i biri i Pëllumb dhe Elida Çalës, i datëlindjes 10 qershor 1988, nga Elbasani është një emër i njohur sidomos pas grabitjes së famshme të Bankës Kombëtare Greke në qendër të qytetit të Larisës.

I arratisur nga burgu i Trikallas në 22 mars 2013, si pjesëtar i grupit prej 11 personash të Marjan Kolës, Klement Çala, u shpall menjëherë në kërkim nga policia greke.

Rreth orës 8:40 në mëngjesin e së enjtes të 16 majit 2013, Çala së bashku me një person tjetër, të dhënat e të cilit ende nuk dihen, kanë hyrë fillimisht si klientë në bankë dhe më pas nën kërcënimin e armëve të tipit Kallashnikov kanë grabitur rreth 1 milion euro. Ata kanë ikur nga vendi i ngjarjes përmes një dritareje.

Pak orë pas grabitjes është gjetur një makinë e djegur në zonën e Larisës, e cila ishte raportuar si e vjedhur që prej 17 tetorit, të 2011 në Athinë. Skenari duket i ngjashëm me grabitjet e transfertave bankare Tiranë-Rinas gjatë dy viteve të fundit.

Çala ishte identifikuar si autor i plagosjes së një efektivi të policisë greke dhe vrasjes së një qytetareje të pafajshme gjatë shkëmbimit të zjarrit me trupat e policisë. Policia greke kishte gjetur gjurmë ADN-je të Klement Çalës në furgonin e bardhë të vjedhur në Korinth, me të cilin të arratisurit nga burgu i Trikalasë kishin tentuar t’i shpëtonin arrestimit.

Më 29 qershor 2015, Klement Çala, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia e Vlorës. Policia lokale finalizoi me sukses operacionin “Streha e fundit”, ku u bë i mundur arrestimi i 29-vjeçarit Çala banues në Elbasan, si edhe i 31-vjeçarit Alkond Bengasi, banues në Elbasan, i shpallur në kërkim kombëtar.

Në momentin e ndalimit Çala po lëvizte në lagjen “24 maji” me automjetin e tij tip “Benz” me targë, AA 447 KO. Ai ruajti gjakftohtësinë dhe tentoi t’i shmangej arrestimit duke u paraqitur me emrin Semir Koca. Për këtë identitet ai dispononte edhe një pasaportë dhe një kartë identiteti, që i përkisnin Republikës së Kosovës. Pas verifikimeve me policinë e Kosovës rezultoi se ishte identitet i rremë.

Përveç akuzave të autoriteteve greke që e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për për vepra penale, pjesmarrje në organizatë kriminale, mbajtje armësh dhe e materialeve shpërthyese, grabitje me armë, vrasje dhe vrasje e mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë etj, Çalës iu shtuan dhe akuzat e reja pas arrestimit nga policia e Vlorës.

Personi i dytë i arrestuar, i cili fshihej në banesën e marrë me qira nga Klement Çala është Alkond Bengasi, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në përfundim të operacionit, u sekuestruan një armë zjarri, tip “Pistoletë TT, dy krehër të mbushura me fishekë, një pasaportë dhe një kartë identiteti të falsifikuara me identitet të Republikës së Kosovës. Një automjet tip “Benz” me targë: AA447KO që i përkiste shtetasit Klement Çala.

Nuk dihen ende rrethanat, por pas vetëm tre muajsh Çala është liruar nga burgu ndërsa për të ishte lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti. Grupi hetimor që po heton grabitjen e 9 shkurtit, është duke kërkuar prova për faktin se si mundi, Klement Çala të dilte nga burgu duke patur një numër kaq të madh akuzash mbi shpinë.

Më 16 dhjetor 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur dosjen hetimore dhe ka dërguar për gjykim një nga të arratisurit nga burgu i Trikallas në Greqi në mars të vitit 2013, si pjesë e grupit të Marjan Kolës.

Shtetasi Klement Çala akuzohet për disa vepra penale, si ajo e “vrasjes me dashje të punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë, dy herë, si edhe për veprat penale të krijimit të organizatës kriminale, largimit nga burgu dhe armëmbajtje pa leje”.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri, së bashku me disa të burgosur të tjerë, ndër të cilët Ilir Kupa dhe Fatos Sulaj, të dënuar tashmë në Shqipëri për këtë ngjarje, kanë organizuar dhe realizuar arratisjen nga burgu dhe kanë tentuar të vrasin dy prej policëve roje të atij institucioni.

Pas arratisjes nga burgu, nuk është bërë i mundur arrestimi i tij dhe autoritetet greke kanë kërkuar transferimin e procedimit penal në Shqipëri. Hetimi u zhvillua nga Prokuroria për Krime të Rënda, në mungesë të të pandehurit.

Në bazë të hetimeve, ka rezultuar se:

Më datë 22.03.2013, persona të panjohur që kishin hipur në një makinë tip VAN, i janë afruar territorit rrethues të burgut dhe, pasi janë diktuar nga policët e shërbimit të burgut, kanë dalë nga automjeti, duke mbajtur armë dhe bomba dore dhe me përdorimin e tyre kanë qëlluar kundër policëve dhe gardianëve të jashtëm të burgut.

Përleshja e armatosur ka zgjatur për rreth 30 minuta.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, disa të burgosur të pavjonit C2 të burgut, kryesisht me origjinë shqiptare midis të cilëve dhe shtetasi nën hetim Klement Çala, të cilët më parë kishin prerë kangjellat e dritares, kanë dalë në territorin e brendshëm të burgut, janë ngjitur në tarracë duke përdorur shkallë të sajuara dhe të përshtatura dhe kanë dalë nga burgu duke kapërcyer edhe rrethimin e jashtëm. Ka rezultuar se disa nga të burgosurit e arratisur janë larguar drejt godinave dhe të tjerë janë larguar pasi kanë hipur në automjetin e tipit VAN.

Automjeti me të cilin ata janë larguar, është gjetur më pas i djegur në një zonë bujqësore dhe ka rezultuar se ishte denoncuar i vjedhur në dt. 19.03.2013. Në ngjarje kanë mbetur të plagosur dy prej gardianëve të burgut dhe një prej të burgosurve shqiptarë, shtetasi E. Sinani i cili më pas ka gjetur vdekjen në dt. 02.07.2013, si rezultat i plagëve me armë zjarri.

Shtetasi Klement Çala nuk është kthyer më në burgun ku vuante dënimin dhe ndaj tyre, nga Gjykata e Shkallës së Parë Trikala, është nxjerrë urdhri i arrestit nr. 41/2013.

Nga materialet e dërguara ka rezultuar se në Greqi shtetasi Klement Çala ka qenë në ndjekje penale, si i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal grek dhe konkretisht; “Vrasjes me dashje” të kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Kanosje për shkak të detyrës” të kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 238 e 25 i Kodit Penal, “Vjedhje me dhunë” të kryer në bashkëpunim, të mbetur në tentativë “Vjedhje me armë” të kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” të kryer në bashkëpunim, të “Organizatës kriminale”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Në përfundim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur në burgun e Trikalës, Prokuroria për Krime të Rënda e akuzon të pandehurin Klement Çala për:

– “Vrasje me dashje e kryer ndaj punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë ndaj gardianit të burgut Karras Konstatinos.

– “Vrasje me dashje e kryer ndaj punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë ndaj gardianit të burgut Dhimitros Michail.

– “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

– “Krijimi i Grupit të strukturuar Kriminal”

– “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar Kriminal”.

Akuza e fundit për Klement Çalën dhe e shkuara e tij kriminale e bëjnë atë një person me rrezikshmëri të lartë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: