TIRANE- Zbardhet dëshmia e anëtarit tjetët të bandës së grabitësve të rrugës së Rinasit, Dash Kupës, 41 vjeçari që është edhe kushëriri i parë i Ernest Kupës, i arrestuar dje në kuadër të operacionit “Patriot”.
“Ditën kur ka ndodhur ngjarja, madje para, gjatë dhe pasi ka ndodhur grabitja, unë kam qenë në picerinë që kam bashkë me djalin e xhaxhait. Këtë mund ta provoni lehtësisht. Shkoni shikoni kamerat e sigurisë”, është shprehur Kupa para hetuesve siç raporton “Panorama”.
Dash Kupa është edhe bashkëpronar i picerisë, që ndodhet pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë, ndërsa rezuloton të ketë qënë i dënuar edhe në shtetin fqinj, Greqinë. Ai u arrestua dje në pikën e kalimit kufitar të Morinës, kur po kthehej nga Kosova.
Gazeta “Panorama” shkruan sot se Dash Kupa ka pasur funksioninin e organizatorit në grup dhe nuk ka kryer veprime aktive, ashtu siç dyshohet kushëriri i tij.
Sipas Policisë, 41-vjeçari nga Kruja dyshohet se ka përgatitur planin e masave, si dhe ka koordinuar grupet në terren me informatorët. Por vetë i arrestuari, njësoj si i djali i xhaxhait të tij, Ernest Kupa, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke mos pranuar ngjarjen. Madje ai ka paraqitur edhe një alibi para hetuesve.
Përveç Admir Muratajt (Nikajt), që dyshohet të jetë organizatori kryesor i grabitjeve, tashmë është bërë publik edhe një emër tjetër, mes disa personave që kërkohen. Ai është Klement Çala, 28 vjeç, nga Elbasani.
Emri i tij figuron në kërkim ndërkombëtar në listën e Interpolit, por për akuza të ngritura nga autoritetet greke. Ndërsa në lidhje me grabitjet e ndodhura, ende nuk ka ndonjë provë konkrete për përfshirjen e tij, por dyshime, që sipas Policisë janë ngritur për shkak të miqësisë dhe bashkëpunimit të mëparshëm në krime që ai ka pasur me Admir Muratajn.
(m.a/BalkanWeb)