TIRANE– Kryeministri Edi Rama ka mbledhur mëngjesin e sotëm Kryesinë e Partisë Socialiste për të për të diskutuar lidhur me ndryshimet më të fundit që ka vendosur të bëjë në qeveri si largimet, ashtu edhe emërimet e reja.

Në përfundim të mbledhjes që zgjati rreth 45 minuta kryeministri Rama ka bërë publikë edhe katër emrat që do të zëvendësojnë ministrat e shkarkuar gjatë fundjavës që lamë pas.

Kështu:
Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm
Olta Xhakça, ministre e Mirëqenies
Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë
Eduard Shalsi, ministër i Pushtetit Vendor

Sipas këtij vendimit, Fatmir Xhafaj do të lërë Komisionin e Ligjeve dhe atë të Reformës në Drejtësi për të drejtuar një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, Ministrinë e Brendshme, pas largimit të ministrit Saimir Tahiri.

Sakaq, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë do të vijë Ogerta Manastirliu, e cila deri më sot ishte drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Manastirliu, e cila njihet si një bashkëpunëtore e Ramës në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, do të zëvendësojë në këtë detyrë Ilir Beqajn.

Vendin e ministrit Bledi Çuçit në Ministrinë e Pushtetit Vendor e zë Eduard Shalsi, ndërsa në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale do të jetë Olta Xhaçka, kryetarja e Forumit të Gruas në PS.

Një ditë më parë Rama konfirmoi largimet e 4 ministrave, Saimir Tahirit, Ilir Beqajt, Blendi Klosit, dhe Bledi Çuçit. Sakaq, ai arsyetoi se këto ndryshime po bëhen vetëm për fushatën e 18 qershorit dhe se nuk kanë lidhje me protestën e PD apo me ndonjë kërkesë të Ilir Metës.

Burime nga selia e PS, bëjnë me dije për “BalkanWeb” se pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe detyrat që do t’u caktohen 4 ish-ministrave për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Sakaq, kryeministri Rama pritet t’i nisë Presidentit Bujar Nishani shkarkimet dhe emërimet.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb