TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë sot në Kamëz ku ka inauguruar rrugë “Donald Trump” pranë kryqëzimit të Frutikulturës dhe “Bulevardit blu”, ndërsa ka sulmuar të gjithë kritikët e kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu, për marrjen e vendimit.

Basha tha se kryeministrit Edi Rama sulmoi Trump jo për interesa kombëtare por personale. Ai tha se Rama hodhi në sulm konet e tij kur mori vesh vendimin dy ditë më parë. Kreu i PD-së i bëri edhe një premtim banorëve të Kamzës. “S’do jetë e largët dita kur Donald Trump të jetë në Shqipëri”, tha ai.

“Para disa muajsh me guximin e të korruptuarit, të droguarit dhe të inkriminuarit, Edi Rama vendosi të sulmojë Presidentin amerikan. E bëri këtë i nxitur jo nga interesat kombëtare por ato personale. Dy ditë më parë kur mbarë Shqipëria e mori vesh gjestin tuaj për të emëruar këtë rrugë në emër të presidentit amerikan u hodhën në sulm konet e tij. Harron se ai vetë dhe paraardhësit e tij kanë emëruar rrugët e sheshet e shqiptarëve me emra kriminelësh, me emra xhelatësh dhe emra kriminelësh të vrarë në pusitë e krimit të zi.
Ky njeri që tregohet me gisht nga shqiptarët si njeriu që ngriti karrierën e tij në aleancë më krimin e organizuar, ka guximin të sulmojë vendimin tuaj për t’i dhënë këtij bulevardi emrin e kampionit të lirisë. Kjo tregon se sa e thellë është kriza morale e Edi Ramës. E falënderojmë presidentin amerikan Donald Trump”, tha Basha.

Disa muaj më parë, pas zgjedhjes së Donald Trump, President i SHBA-ve dhe ende pa e marrë konfirmimin zyrtar, Këshilli Bashkiak i Kamzës e shpalli Trump, qytetar nderi të Kamzës, një vendim që ngjalli po ashtu shumë diskutime. Por me sa duket kryebashkiaku i Kamzës ka shkuar më tej duke i vënë emrin e Trump edhe një rruge në Kamëz.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb