NGA: KLODIANA LALA
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë të instaluara në vilën luksoze të Admir Muratajt në Fushë-Pezë “tradhtojnë” të dyshuarin e radhës si bashkautor në grabitjen e blindit në Qafë Kashar-Rinas. Bëhet fjalë për Klement Çalën, i cili dyshohet të ketë qenë pjesëmarrës në grabitjen e 3.2 milionë dollarëve me 9 shkurt 2017.

Burime të besuara pranë grupit hetimor thanë se Klement Çala shfaqet në pamjet filmike duke hyrë dhe dalë nga vila e Muratajt, i cili cilësohet si kreu i grupit kriminal që realizoi grabitjet e 3 dhjetorit 2015 dhe 9 shkurtit të këtij viti. Të njëjtat burime thanë se Çala ka patur takime të shpeshta me Muratajn dhe të dyshuarit e tjerë, të cilët gjithashtu shfaqen në pamje, pak ditë përpara ngjarjes. Pikërisht në këtë kohë, prokuroria dyshon se është hartuar plani për grabitjen e blindave që transportonin vlera monetare te bankës të nivelit të dytë.

Një tjetër provë që e “tradhton” Calën, janë edhe shenjat e gishtërinjve të tij, të zbuluara në ambientet e vilës. Prokuroria ende nuk i ka kërkuar gjykatës caktimin e një mase sigurie në mungesë për Çalën, por provat se ai është përfshirë në ngjarje, janë të forta dhe brenda pak ditësh do të bëhet një veprim i tillë procedurial. I çuditshëm është fakti sesi Klement Çala ka mundur të lëvizë lirshëm përgjatë gjithë kësaj kohe, kur ndaj tij ekziston një urdhër arresti në mungesë.

Ai po gjykohet në gjykatën e Krimeve të Rënda, për akuzën e vrasjes së punonjësve të policisë, mbetur në tentativë, gjatë arratisjes nga burgu i Trikallasë në Greqi bashkë me Admir Muratajn, Ilir Kupën e disa të dënuar të tjerë. Ndërkohë, deri më tani për grabitjen e bankës, janë vënë në pranga 8 persona, ndërsa Admir Murataj vazhdon ende të jetë në arrati.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: